Papritmas, gjithçka ndodhi shumë shpejt për mbrojtësin e Luzernit, Adrian Bajrami. Tre muaj pas kthimit në Zvicër, ai është në ekipin e përzgjedhësit Murat Yakin për kualifikimet e Botërorit. Telefoni nuk i ndalet
“Telefoni im nuk po ndalet”, thotë 23-vjeçari Adrian Bajrami, pak orë pas ftesës që mori nga ekipi përfaqësues i Zvicrës.
“Po pranoj numër të madh të mesazheve dhe përgëzimeve nga familja dhe shoqëria, që natyrisht se më bëjnë shumë të lumtur”.
Të enjten në orën 10:30, Murat Yakin njoftoi për risinë. Bajrami, mbrojtësi i fuqishëm që luan me të majtën, pjesë e Luzernit nga vera, është përfshirë në skuadër për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës së këtij muaji. Bajrami po ashtu e mori thirrjen në atë mëngjes.
Kur trajneri i Luzernit, Mario Frick, doli në konferencë për shtyp vetëm një orë e gjysmë më pas dhe deklaroi se sa “krenar është klubi”, Bajrami nuk ishte në stadium. Disa çaste më vonë, futbollisti i ri i përfaqësueses zvicerane gjeti kohë për “Blick”, për t’i përshkruar përshtypjet e para nëpërmjet telefonit.
Shtatë vjet në Portugali
Njëra prej temave ishte për bashkëlojtarët e rinj. “Nuk i njoh shumë prej tyre ende”, thotë Bajrami. Ka arsye për këtë. Si 16-vjeçar, ai u largua nga të rinjtë e Young Boysit për të lënë gjurmë në Portugali, tek Akademia e famshme e Benficas. Ai qëndroi në Portugali për shtatë vjet dhe arriti në ekipin e parë, derisa vendosi të kthehej në Zvicër dhe t’i bashkohej Luzernit.
“E njoh Zeki Amdounin nga përfaqësuesja, pasi ka luajtur me mua te Benfica vitin e kaluar”, thotë Bajrami. Ai është i lënduar. Por kë e njeh nga lista aktuale?
“Natyrisht, edhe Fabian Riederin. Kam luajtur me të tek ekipi i të rinjve të Young Boysit. Ai është ende shok shumë i mirë i imi. Por, mezi pres t’i shoh gjitha fytyrat e tjera”.
Pritje e veçantë për Granit Xhakën
Një temë e veçantë është kapiteni i përfaqësueses, 33-vjeçari Granit Xhaka. Futbollisti me më së shumti paraqitje te Zvicra vazhdimisht e ka marrë vëmendjen e lojtarëve të rinj. Shembulli më i mirë është Ardon Jashari, që për momentin është i lënduar.
Çfarë kontakti ka Bajrami me Xhakën?
“Ende nuk e njoh atë personalisht, por mezi pres që ta takojë. Ai është model për shumë futbollistë të rinj. Ishte njësoj për mua. Gjithmonë e kam ndjekur Granitin”.
Bajrami dikur ishte te grupmosha U18 e Zvicrës. Gjatë kohës te Benfica, ai vendosi të luante për Shqipërinë. Ka luajtur për grupmoshën U18 dhe tri ndeshje miqësore për Shqipërinë A.
Tani është kthyer te Zvicra. Çfarë e bëri dallimin?
“U linda dhe u rrita në Zvicër. Është shtëpia ime”, thotë Bajrami. “Qëkur nisa të luaja për Luzernin, e kam ndier se sa më rehat ndihem këtu. Nuk mundem, nuk dua dhe asnjëherë nuk do t’i fsheh rrënjët shqiptare. Jam krenar për këtë. Por është e qartë se ndihem në shtëpi në Zvicër”.
Më pas Bajrami nisi të bëhej gati për ndeshjen e radhës. Luzerni do të përballet me Sionin të shtunën nga ora 18:00.
Luzerni e transferoi përfundimisht të huazuarin nga Benfica para një jave, duke nënshkruar me të kontratë deri në vitin 2028. Fillimisht, Bajrami ishte vetëm i huazuar në Luzern. “Remo Meyer është dhelpër”, thotë Mario Frick, drejtori sportiv i Luzernit. Vlera e Bajramit do të rritet ndjeshëm pas ftesës në përfaqësuese.