Zëvendësdrejtori i përgjithshëm për zhvillimin e sportit te skuadra e Zenit St. Petersburgu, Andrey Arshavin, ka folur për dy sulmues të premten. Njëri prej tyre ishte Mirlind Daku.
Në një intervistë për mediumin rus “Sport-Express”, Arshavin, që vlerësohet futbollisti më i mirë rus i shekullit 21, ka thënë se do ta dëshironte Dakun në skuadër. Daku paraqitet te Rubin Kazani.
Ai ka theksuar se blerja e sulmuesit të Dynamo Moskës, Konstantin Tyukavin, është thuajse e pamundur, ndërsa më i lehtë do të ishte transferimi i Dakut.
“Tyukavin do të ishte ndihë e madhe për Zenitin. Është thuajse e pamundur ta transferojmë atë nga Dynamo. Do të ishte më lehtë për Dakun, mendoj unë”, ka deklaruar Arshavin, duke dhënë sinjale se Daku mund të përfundojë te skuadra e njohur ruse.
Daku në këtë edicion të kampionatit të Rusisë i ka nëntë gola në 17 ndeshje. Së fundmi është ballafaquar me lëndime.