Fejton – KOHA Ditore, 21 nëntor 2007

Serbët tash ofrojnë modelin e Ishujve Alland

Serbët tash ofrojnë modelin e Ishujve Alland

Në raundin e parafundit, Beogradi heq dorë nga Hong-Kongu, del me propozim të ri (KOHA Ditore, 21 nëntor 2007)

Pas takimit në Bruksel pritet vetëm edhe një takim treditësh në afërsi të Vjenës që fillon me 26 nëntor dhe ky do të jetë fundi i negociatave nën udhëheqjen e Trojkës

Bruksel, 20 nëntor 2007 - Delegacioni i Kosovës edhe në takimin e parafundit me palën serbe ka refuzuar çdo ide për statusin e Kosovës, e cila do ta përjashtonte pavarësinë. Në takimin e së martës në Bruksel, delegacioni i Beogradit, pasi që ideja e tyre për modelin e Hong-Kongut ishte refuzuar, ka dalë me idenë për një autonomi për Kosovën sipas modelit të ishujve Alland në Finlandë. Por edhe kjo ide nga pala kosovare shihet vetëm si ide për të anashkaluar realitetin dhe për të njohur faktin se nuk ka zgjidhje pos pavarësisë së Kosovës. Këtë e tha zëdhënësi i Ekipit kosovar të Unitetit, Skënder Hyseni, duke folur në fund të takimeve. Delegacioni i Serbisë, siç shpjeguan presidenti i Serbisë, Boris Tadiq dhe kryeministri Vojisllav Koshtunica, ka argumentuar se ”përderisa ideja për modelin e Hong-Kongut është refuzuar si ide aziatike”, tash ata propozojnë një ide evropiane, sepse ishujt Alland janë një ishull në territorin e Finlandës ku jetojnë suedezët dhe gëzojnë autonomi të gjerë.

Zëdhënësi i Ekipit Negociator kosovar tha se pala serbe sot ka propozuar edhe shembuj si Portoriko apo Makao për Kosovën, por Kosova është rast unik dhe ka dalë nga okupimi duke fituar lirinë dhe pavarësinë, prandaj nuk mund të transferohen shembuj të tjerë në Kosovë. Ai tha se pala kosovare është e gatshme të shqyrtojë disa pyetje që sot i kanë parashtruar përfaqësuesit e Trojkës, Ischinger dhe Wisner, por pa dashur të saktësojë se për cilat pyetje është fjala. Në emër të Ekipit të Unitetit, Skënder Hyseni tha po ashtu se ”nuk mund të raportohet kurrfarë progresi për shkak të mungesës së vazhdueshme të palës serbe që ta njohë realitetin”.

Të njëjtën kritikë, por kësaj radhe për palën kosovare, patën presidenti i Serbisë, Tadiq, dhe kryeministri, Koshtuncia. “Për fat të keq pala shqiptare (kështu serbët e quajnë Ekipin kosovar të Unitetit) nuk dëshiron të marrë parasysh propozimet tona”, ka thënë Tadiq. Ai dhe Koshtuniuca përsëritën se janë kundër afateve artificiale. I pyetur nga “Koha Ditore” se, pasi që pranojnë se nuk ka shumë kohë, e BE-ja thotë se duhet marrë vendim pas 10 dhjetorit, a e mban ende qëndrimin për shkëputjen e marrëdhënieve diplomatike me ato vende që do ta njohin pavarësinë e Kosovës, Koshtunica u përgjigj: ”Ka autoritet edhe më të lartë se BE- ja, e ky autoritet është Organizata e Kombeve të Bashkuara, prandaj shtetet e BE-së nuk duhet të ndërmarrin hapa që janë kundër Kartës së Kombeve të Bashkuara”.

Edhe presidenti i Serbisë, Tadiq, tha se ”Serbia nuk do të heqë dorë nga sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën dhe nuk do të pranojë dezintegrimin e territorit të Serbisë”. Koshtunica në konferencë për gazetarë në një mënyrë indirekte akuzoi ambasadorin amerikan Wiesner se ai po propozon të njëjtat gjëra sikur edhe Agim Çeku. ”Wiesner na pyeti se a jemi në gjendje të diskutojmë disa tema të tjera duke lënë anash statusin, si për shembull partneritet të dy shteteve, konfederatë apo diçka të tllë, e unë iu përgjigja qartë se jo”, ka thënë Koshtunca. Ai tha se disa ide të Wisnerit janë të njëjta me ato që paraqet Agim Çeku për raporte mes dy shteteve të pavarura. Koshtunica tha se kanë refuzuar edhe propozimet për marrëveshje neutralisht nga statusi, sepse ky propozim, siç tha ai: ”është një trik për ta bërë Kosovën të pavarur e që Serbia të bëhet kinse nuk është”.

Para se të organizohej takimi i drejtpërdrejtë mes delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit, të dyja delegacionet patën takime të ndara me Treshen ndërkombëtare dhe me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Javier Solana. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në mesin e këtyre takimeve u tha gazetarëve në Bruksel se ”Kosova do të veprojë në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, por gjithmonë duke pasur parasysh vullnetin e popullit të Kosovës”.

Edhe kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, partia e të cilit fitoi zgjedhjet e fundit në Kosovë dhe i cili pritet të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës, tha se ”shpallja e pavarësisë do të bëhet në koordinim me miqtë e Kosovës, pra me Washingtonin dhe Brukselin”. Thaçi e tha këtë duke u përgjigjur në thirrjet që u dëgjuan në Bruksel pas takimit të ministrave të jashtëm të BE-së që të mos ketë nxitim në shpalljen e njëanshme të pavarësisë pa koordinim me bashkësinë ndërkombëtare.

”Kosova ka qenë gati për pavarësi prej tetë vjetësh. Është e gatshme sot, e nesër do të jetë edhe më e përgatitur. Por ne do të respektojmë agjendën e bashkësisë ndërkombëtare. Pas 10 dhjetorit jam i sigurt se bashkësia ndërkombëtare do të bëjë më shumë që të marrë një vendim sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë Thaçi.

Pas takimit të sotëm, gjasat për arritjen e marrëveshjes janë më të vogla ,sepse palët pretendojnë se janë jashtëzakonisht konstruktive në pozicionet e tyre. Ndërkohë, përfaqësuesi i BE-së në Treshen ndërkombëtare që ndërmjetëson me këto negociata ,Wolfgang Ischinger, ka thënë sot se tashmë janë duke u shterur të gjitha variantet e mundshme të zgjidhjes dhe askush nuk mund të thotë se nuk është bërë gjithçka që të gjendet zgjidhja. Edhe pse negociatave po iu vjen fundi ,Ischinger tha se ai ende vazhdon të ketë besim në sukses. Pas takimit të Bruksel pritet vetëm edhe një takim treditësh në Baden, në afërsi të Vjenës, që fillon më 26 nëntor, dhe ky do të jetë fundi i negociatave nën udhëheqjen e Trojkës. Zëdhënësi i Ekipit të Unitetit, Skënder Hyseni, tha se Kosova ka pasur zgjedhje të shkëlqyeshme të shtunën, dhe pa marrë parasysh këto zgjedhje ,Ekipi i Unitetit do të mbetet i tillë çfarë është deri në fund të procesit negociator, ashtu siç kishte marrë mandatin, e ky proces përfundon më 10 dhjetor. Ai tha se zgjedhjet si proces, e procesi negociator janë të ndara dhe nuk kanë pasur ndikim në njëritjetrin.


Në prag të 18 vjetorit të shtetësisë së Kosovës, KOHA rikthen raportimet kryesore të korrespondentit Augustin Palokaj nga Brukseli në tre muajt e fundit që çuan te shpallja e pavarësisë më 2008. Lexoni këto përmbajtje në një vend: