EXPRESS

“Espressiva Impressione” kulmon me versionin unik të “Moj e bukura More”

I pagëzuar si lojë fjalësh, lojë stilesh e periudhash të ndryshme muzikore, ka qenë koncerti i radhës i festivalit ndërkombëtar të muzikës kamertale “KamerFest”, “Espressiva Impressione”. Pianistja Veronika Koprivica nga Danimarka, violinisti Leonard Simaku dhe violonçelisti ukrainas, Alexander Zyumbrovskiy, kanë sjellë atë që e kanë konsideruar si shprehje të shprehjes midis romantikës e ekspresionit. Pjesa “Moj e bukura More” ka qenë kapitulli i veçantë i koncertit.

Bukuria muzikore është gërshetuar në programin e koncertit “Espressiva Impressione” të festivalit ndërkombëtar të muzikës kamertale “KamerFest”. Muzika romantike, ajo impresioniste dhe shqipe janë lidhur si poemë në tre kapituj unikë. E tillë ka qenë edhe vepra “Moj e bukura More” e aranzhuar nga Thomas Simaku, e cila si version për piano, violinë e violonçel është luajtur premierë.

Ka qenë koncert përplot emocion e elegancë muzikore. Pianistja Veronika Koprivica nga Danimarka, violinisti Leonard Simaku dhe violonçelisti ukrainas, Alexander Zyumbrovskiy, kanë sjellë atë që e kanë konsideruar si shprehje të shprehjes, e që është një lojë fjalësh.

Ka nisur me “Piano Trio nr.1” nga Mendelssohn, një prej veprave më të njohura për muzikë kamertale. Koha e parë “Molto allegro agitato” ka filluar me një temë nga violonçeli në shoqërim nga pianoja e më pas në linjë ritmike bashkohet edhe violina me një version të shtrembëruar të temës. Dy instrumentet harkore luajnë në unison, ndërsa pianoja zhvillon tema të tjera.

Pianistja Koprivica është shprehur se muzika e Mendelssohn është prej më të preferuarave të saj.

“Mendelssohn është një prej kompozitorëve të mi të preferuar. Mbase kompozitori më i rëndësishëm në shekullin e 19-të. Jo pse është më i miri, por sepse ishte mbështetës për shumë artistë të tjerë. Ishte dëshira jonë për ta dëgjuar të gjithë ju, sepse mendoj se është shumë e rëndësishme për njerëzit të rriten shëndetshëm me kulturën e muzikës dhe artet, si dhe të mendosh në paqe sepse muzika është gjuha më universale”, ka theksuar Koprivica.

Pjesa “Moj e bukura More” ka qenë kapitulli i veçantë i koncertit. Interpretimi delikat e ka bërë veprën tejet unike. Ritmi i ngadalësuar nga pianoja e nis rrëfimin muzikor të kësaj vepre, perlë arbëreshe. I njëjti tingull pasohet te violina e pastaj edhe te violonçeli. Të tri instrumentet bashkë e zhvillojnë pjesën tjetër të rrëfimit.

Violonçelisti Zyumbrovskiy ka thënë se kjo vepër ka qenë shumë e pasur me harmoni e emocion.

“Sot e kemi dëgjuar veprën origjinale për violinë solo dhe orkestër simfonike. Ishte shumë e pasur me harmonitë e saj. Është shumë e mirë, shumë e pasur me emocione dhe tonalitete të ndryshme. Ishte shumë më e gjatë sesa ajo që kemi interpretuar sot. Mendoj se është vepër e rëndësishme për repertorin e muzikës shqiptare”, është shprehur Zyumbrovskiy.

Violinisti Leonard Simaku ka thënë se është hera e parë që kjo vepër është interpretuar në këtë formacion.

“Pjesa ‘Më e bukura Mora’ është këngë tradicionale arbëreshe e 1400-s dhe Thomas Simaku e ka marrë dhe ka bërë një aranzhim të kësaj pjese për trio: violinë, violonçel dhe piano. Kjo ishte premiera botërore, sepse është luajtur edhe me violinë dhe orkestër, që e kam luajtur në Tiranë, pastaj ka edhe aranzhime të tjera për violinë dhe piano, por për trio ishte hera e parë që u prezantua”, ka thënë Simaku.

Në pjesën e fundit të koncertit është luajtur “Piano trio” nga Debussy.

“Është një program tej mase i vështirë duke përfshirë muzikën romantike, atë impresioniste franceze dhe atë shqiptare. Në përgjithësi jemi shumë të kënaqur, sepse ky festival u jep mundësi instrumentistëve të muzikës së dhomës dhe programi për këtë lloj muzike ka një bagazh shumë të gjerë. Harqet janë gjithmonë në dialog me instrumentin e pianos. Peshën më të madhe e ka pianoja sepse shoqëron, është tematike, ndërsa violina dhe violonçeli kanë tema që shprehin një moment. Gjithçka është e vështirë, sepse duhet të ketë komunikim midis instrumenteve të tjera”, ka shtuar Simaku.

Krejt në fund trioja ka interpretuar në bis një vepër nga argjentinasi Julian Plaza.