Çmimet e pronave të banimit në Kosovë kanë vazhduar të rriten edhe gjatë këtij viti. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ato janë rritur për 5.3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa rritja më e madhe është shënuar jashtë Prishtinës
Çmimet e banesave kanë shënuar rritje për 5.3 për qind në tremujorin e parë të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Sipas Indeksit të Çmimeve të Pronave të Banimit, publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), rritje më e madhe e çmimeve është shënuar jashtë rajonit të Prishtinës – deri në 12.3 për qind.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Indeksi i Çmimeve të Pronave të Banimit (IÇPB) në Kosovë u rrit me 5.3 % në tremujorin e parë (TM1) 2026, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2025. Ndërkaq, krahasuar me tremujorin e katërt (TM4) 2025, çmimet e pronave të banimit shënuan rritje prej 2.4 %. Në rajonin e Prishtinës, çmimet e pronave të banimit u rritën me 1.4 % në tremujorin e parë 2026, krahasuar me tremujorin e parë 2025. Në rajonet e tjera të vendit, çmimet e pronave të banimit u rritën për 12.3 % në tremujorin e parë 2026, krahasuar me tremujorin e parë 2025”, thuhet në të dhënat e ASK-së.
Sipas ekonomistit Shkumbin Misini, rritja e çmimeve të banesave është ndikuar nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm.
Misini tha se e gjithë kjo po nxitet nga investimet e diasporës dhe rritja e kostos së ndërtimit, si pasojë e faktorëve globalë.
“Investimet nga diaspora luajnë rol kyç sepse 75 për qind e investimeve të tyre shkojnë në patundshmëri. Faktori i dytë i ngritjes së çmimeve është faktori për shkak të ndryshimeve globale që kanë ndodhur në tregje botërore, sidomos lufta në Iran, për arsye se diku mesatarisht, kohë më parë i kam analizuar disa të dhëna, diku 20-25 për qind është rritur çmimi i lëndës së parë për banesa. Domethënë, lënda e parë, i bie armatura, cementi e të tjera”, ka thënë ai.
Misini tha se edhe kostoja operative e bizneseve ndërtuese është në rritje e sipër.
“Cilët faktorë kanë ndikuar? Faktori i parë është rritja e pagave, mungesa e fuqisë punëtore profesionale, sepse më herët pagat kanë qenë shumë të ulëta të fuqisë punëtore, të mjeshtërve, e të tjerë. Sot një mjeshtër profesional paguhet më shumë sesa një doktor shkence, një profesor universitar dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kostos operative të biznesit, ky është faktor i brendshëm”, ka thënë ai.
Edhe në fund të vitit të kaluar ishte evidentuar trend i rritjes së çmimeve. Sipas të dhënave, në tremujorin e katërt të vitit 2025, çmimet e pronave të banimit në rajonin e Prishtinës ishin rritur për 4.9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.