Autorja me origjinë iraniane e romanit grafik dhe filmit të vlerësuar “Persepolis”, Marjane Satrapi, ofroi një rrëfim thellësisht personal mbi Revolucionin Islamik të Iranit. Romani grafik i vlerësuar jashtë mase përshkruan jetën e hershme të Satrapit në Teheran. Si adoleshente, ajo u përball me kufizimet e vendosura nga udhëheqja e re islamike e Iranit, pas revolucionit të vitit 1979. Prindërit e saj e dërguan në Evropë, ku ajo nisi një jetë në mërgim. “Ne mund të jemi vetëm altoparlanti, kaq”, kishte thënë dikur në një intervistë për “The Guardian”. “Nëse mendojmë se jemi diçka më shumë se një altoparlant, atëherë më mirë të mos flasim – është çështje dinjiteti”
Elizabeth Grenier
Artistja franko-iraniane, Marjane Satrapi, e cila u bë e njohur në mbarë botën me romanin e saj grafik dhe filmin “Persepolis”, ka vdekur në moshën 56-vjeçare, ka raportuar agjencia e lajmeve AFP.
“Marjane Satrapi vdiq nga pikëllimi pak më shumë se një vit pas vdekjes së Mattias Ripa, bashkëshortit të saj dhe dashurisë së jetës”, ka thënë familja e artistes në një deklaratë për media.
Ripa, producent, aktor dhe skenarist suedez, vdiq më 8 prill 2025.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPas vdekjes së bashkëshortit, Satrapi themeloi fondacionin kinematografik “Mattias and Marjane Ripa-Satrapi” për të mbështetur studentët e huaj që dëshironin të vinin në Paris për të studiuar kinematografi. Ajo dokumentoi dhimbjen e saj duke postuar në Instagram mesazhin ku shkruhej: “Sepse kam humbur dashurinë e jetës sime”.
“Persepolis”, vepër që shënoi historinë e romanit grafik
Shkrimtarja, ilustratorja dhe regjisorja me origjinë iraniane u bë e famshme për veprën autobiografike, “Persepolis”. Romani grafik (i përkthyer e botuar edhe në shqip më 2015 v.j.) i vlerësuar jashtë mase, përshkruan jetën e hershme të Satrapit në Teheran. Si adoleshente e re, ajo u përball me kufizimet e vendosura nga udhëheqja e re islamike e Iranit, pas revolucionit të vitit 1979. Prindërit e saj e dërguan në Evropë, ku ajo nisi një jetë në mërgim.
Me imazhet e saj të fuqishme bardh e zi dhe stilin e drejtpërdrejtë, shpesh ironik të rrëfimit, “Persepolis” i njohu shumë lexues në botën perëndimore me kontekstin politik dhe shoqëror të Iranit. Vepra tregoi gjithashtu se romanet grafike mund të shërbejnë si një medium serioz i shprehjes letrare.

Një adoleshente rebele në Teheranin islamik
E lindur më 22 nëntor 1969 në Rasht, Iran, dhe e rritur në kryeqytet, Satrapi u rrit në një familje të angazhuar politikisht, e cila ndikoi në formimin e botëkuptimit të saj që në moshë të hershme. Fëmijëria e saj u zhvillua në sfondin e Revolucionit Islamik të vitit 1979 dhe krijimit të mëvonshëm të Republikës Islamike, përvoja që më vonë do të bëheshin themeli i veprës së saj më të popullarizuar.
E ekspozuar ndaj mendimit politik perëndimor që në moshë shumë të re, ajo u inkurajua nga prindërit të ishte e vendosur dhe të mbronte të drejtat e saj. Por ndërsa kufizimet shoqërore u ashpërsuan nën regjimin islamik të Iranit, familja e saj u shqetësua për sigurinë e artistes, pasi ajo shpërfillte kodet e veshjes dhe dëgjonte muzikë të ndaluar. Në moshën 14-vjeçare, ata e dërguan për të jetuar në Vjenë.
Ndjenja e shkëputjes dhe vështirësitë që përjetoi jashtë vendit – izolimi, konfuzioni kulturor dhe kthimi i saj i mëvonshëm në Teheran – u bënë tema qendrore të “Persepolis”. I botuar fillimisht si seri në frëngjisht duke filluar nga viti 2000, “Persepolis” më vonë u përmbledh në një vëllim të vetëm dhe u përkthye në më shumë se 30 gjuhë. Gjithashtu i fitoi shumë çmime prestigjioze letrare dhe të artit grafik.
Përtej “Persepolis”, librat e Satrapit përfshijnë, “Embroideries” dhe “Chicken with Plums”, të cilët eksplorojnë histori personale dhe familjare. Në “Woman, Life, Freedom” të vitit 2024, ajo bashkëpunoi me më shumë se 20 aktivistë, artistë, gazetarë dhe akademikë, për të paraqitur luftën për të drejtat e grave në Iran, duke i bërë homazh kryengritjes iraniane të vitit 2022 pas vrasjes së 22-vjeçares, Jina Mahsa Amini, e cila ndodhej në paraburgim për shkak të një shkeljeje të pretenduar të kodit të veshjes për gratë.

Regjisore e vlerësuar me çmime
Përveç romaneve grafike, Satrapi ishte edhe një regjisore e vlerësuar me çmime. Në vitin 2007, ajo bashkëdrejtoi një adaptim të animuar të “Persepolis” së bashku me Vincent Paronnaud. Filmi u shfaq premierë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Cannes, ku mori “Çmimin e Jurisë”, dhe më pas u nominua për çmim “Oscar” në kategorinë e filmit më të mirë të animuar.
Satrapi vazhdoi të punonte në kinematografi, duke drejtuar adaptimin për ekran të “Chicken with Plums” në vitin 2011 dhe më vonë filmin “The Voices” (2014), një komedi e zezë në gjuhën angleze me Ryan Reynolds në rolin kryesor. Krijimtaria e saj filmike shfaqte të njëjtën përzierje të shpikjes vizuale dhe intensitetit emocional që karakterizonte veprat e saj letrare.
“Ne mund të jemi vetëm altoparlanti”
Satrapi jetoi pjesën më të madhe të jetës si e rritur në Evropë. Ajo mbërriti në Francë në vitin 1994 dhe mori shtetësinë franceze në vitin 2006. Shpesh reflektonte mbi mërgimin, identitetin dhe keqkuptimet që mund të lindin mes kulturave. Gjatë gjithë karrierës së saj, artistja mbeti një mbrojtëse e zëshme e lirisë së shprehjes dhe një kritike e ashpër e autoritarizmit. Puna e saj i rezistoi narrativave të thjeshtuara politike. Ndërsa ishte shumë kritike ndaj regjimit iranian, ajo sfidonte gjithashtu paraqitjet reduktuese ose stereotipike të iranianëve në mediat perëndimore.
“Unë jam iraniane”, theksonte shpesh në intervista dhe në veprat e saj. “Por ky identitet përmban shumë dimensione. Gjëja e parë që mësova ishte se nuk mund të gjykosh një komb të tërë nga qeveria e tij”.
Ajo ishte gjithashtu kritike ndaj qeverisë franceze, duke refuzuar në vitin 2025 titullin më të lartë të Francës “Legjioni i Nderit”, për shkak të asaj që e përshkroi si “hipokrizi” në marrëdhëniet e vendit me Iranin.
Me kronikat intime të përvojave personale, Satrapi lë pas një trashëgimi veprash që kanë ndryshuar mënyrën se si mund të tregohen historitë e revolucionit dhe mërgimit, dhe rrëfimet e saj do të vazhdojnë të frymëzojnë brezat që do të vijnë.
“Ne mund të jemi vetëm altoparlanti, kaq”, kishte thënë dikur në një intervistë për “The Guardian”. “Nëse mendojmë se jemi diçka më shumë se një altoparlant, atëherë më mirë të mos flasim – është çështje dinjiteti”, kishte deklaruar Satrapi.