Ky është një sqarim për audiencën për përfshirjen e KTV-së në një format të pazakontë interviste të transmetuar më 21 mars, si dhe një reagim ndaj qasjes po ashtu të pazakontë të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Ambasadori Aivo Orav, para largimit nga Kosova, foli për media. KOHA u përfshi në realizimin e këtij adresimi duke u mbështetur në raportet e shkëlqyeshme mes mediave dhe Zyrës së BE-së të ndërtuara ndër vite. KOHA u kontaktua me mundësinë që të jetë një prej pesë mediave që do ta intervistonin ambasadorin njëkohësisht, meqë nuk kishte kohë që të jepte intervista ndaras.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNdonëse nuk e përkrah këtë format, KOHA e pranoi bazuar në rrethanat e largimit të parakohshëm të ambasadorit, korrektësinë e bashkëpunimit të deritashëm si dhe marrëveshjen që intervista të shfaqej në pesë mediat në të njëjtën kohë. Në këtë fazë, KOHA nuk u njoftua që krahas këtij formati të konferencës për shtyp, Zyra e BE-së po organizonte edhe një të tillë për mediat në gjuhën serbe dhe një intervistë një me një për një medium tjetër në gjuhën shqipe. Dakordimi ishte që publikimi të bëhej më 21 mars, në 20:00. Ajo që ndodhi ishte që mediat në gjuhën serbe nuk ishin pjesë e marrëveshjes së embargos dhe informatat u publikuan nëpër media online, pavarësisht gjuhës, qysh në mesditë. Për më shumë, në orën 20:00 kur u transmetua konferenca e pesë mediave, doli edhe intervista e veçantë në një medium tjetër.
KOHA si medium mbi 30-vjeçar e kupton dhe respekton plotësisht përcaktimin e çdo institucioni, organizate a individi të përzgjedhë se ku zgjedh të japë intervistë. Megjithatë, e konsideron të dëmshëm dhe të papranueshëm manipulimin që ka ndodhur në organizimin e adresimit të fundit të ambasadorit Orav.
As në e-mailin e autorit të intervistës nga KOHA dhe as në atë të redaksisë, që kërkojnë sqarim të situatës, Zyra e BE-së dhe shërbimi i saj për media nuk janë përgjigjur. Për korrektësi më poshtë gjeni letrën që redaksia ia ka dërguar Zyrës së BE-së në Prishtinë.
Znj. Eva Palatova
U.D. Shefe e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë
E nderuara znj. Palatova,
Pas shqetësimeve të ngritura tashmë nga kolegu ynë pranë shërbimit për media të Zyrës së BE-së në Prishtinë, po ju drejtohem në emër të KOHËS për të ngritur zyrtarisht çështjen e mënyrës se si është organizuar intervista e fundit me ambasadorin Orav.
KOHA ka pranuar të marrë pjesë në formatin e propozuar të intervistës së përbashkët në mirëbesim dhe si shenjë respekti, pavarësisht preferencës sonë të qartë për intervistë individuale. Në praktikë, formati i propozuar i ngjante më shumë një konference për shtyp sesa një interviste, pasi përfshinte disa media nga i njëjti vend dhe i njëjti mjedis mediatik.
Megjithatë, e pranuam këtë aranzhim bazuar në shpjegimin që na u dha dhe me mirëkuptimin se një marrëveshje e tillë do të respektohej dhe zbatohej ashtu siç ishin fjalët dhe në formë transparente.
Ajo që pasoi qe shkelje serioze e besimit nga ana e Zyrës së BE-së. Ne u vumë në lajthitje duke besuar se marrëveshjet e dakorduara më herët do të respektoheshin.
Nuk u informuam dhe në asnjë formë nuk na u bë e ditur, që krahas formatit të dakorduar, të intervistës së përbashkët me pesë media, do të zhvillohej dhe transmetohej një intervistë e veçantë individuale nga një medium tjetër. Kjo drejtpërdrejt është në kundërshtim me arsyetimin që na u dha për arsyet e refuzimit të kërkesave për intervista individuale dhe ngre shqetësime serioze, derisa dëmton besimin e ndërsjellë të ndërtuar ndër vite.
Për më tepër, embargoja e dakorduar për transmetim dhe publikim nuk u respektua. Përmbajtje nga një intervistë e tretë filloi të publikohej më herët gjatë ditës, duke e cenuar kështu parimin e publikimit të koordinuar. Si rezultat, KOHA e ka paguar tagrin e qasjes profesionale, të respektimit të etikës dhe marrëveshjeve të arritura. Në dëm të KOHËS, publikimet tona të vonuara ofruan pak vlerë shtesë informative. Vlen të theksohet se publikimet e para të hershme nuk u bënë nga mediat pjesëmarrëse në intervistën e përbashkët, pjesë e së cilës ishte edhe KOHA.
Kjo çon te një shqetësim i tretë, që reflekton qasjen e BE-së ndaj Kosovës. Ideja për të organizuar një intervistë të veçantë në grup për mediat në gjuhën serbe është problematike. Ajo anon më shumë drejt ndarjes etnike sesa bashkëpunimit brenda të njëjtit vend, veçanërisht duke pasur parasysh se përgjigjet e ambasadorit janë dhënë në anglisht dhe kanë trajtuar çështje me interes për të gjithë qytetarët e Kosovës. Në të kundërtën e kësaj qasjeje, ne i shohim qytetarët e Kosovës si një audiencë të vetme. Nga aspekti profesional, fakti që nuk na është ofruar mundësia as për të koordinuar kohën e embargos me kolegët nga mediat në gjuhën serbe ka çuar në situatën ku shumë media, pavarësisht gjuhës, e kanë publikuar përmbajtjen para nesh.
Po ashtu problematik ka qenë edhe shkurtimi i papritur i intervistës së përbashkët, nga 90 në 51 minuta. Si pasojë, janë lënë jashtë tema kyçe që ishin planifikuar paraprakisht, përfshirë dialogu me Serbinë — një çështje me shumë peshë për publikun.
Të marra së bashku, këto veprime shkojnë përtej koordinimit të dobët dhe duken si ngatërrim i qëllimshëm. Ato tregojnë për një model komunikimi selektiv, mungesë transparence dhe mosrespektim të kushteve të dakorduara. Në praktikë, kjo nënkupton lajthitje të qëllimshme të partnerëve që kanë vepruar në mirëbesim.
Për një institucion si Bashkimi Evropian — i cili vazhdimisht promovon parimet e drejtësisë, transparencës dhe besimit të ndërsjellë në raport me mediat — një sjellje e tillë është veçanërisht shqetësuese.
Në këto rrethana, konsiderojmë se besimi mbi të cilin është ndërtuar bashkëpunimi ynë me shërbimin për media të Zyrës së BE-së në Prishtinë është dëmtuar seriozisht.
Prandaj, kërkojmë nga ju një shpjegim dhe një hulumtim të brendshëm për atë se si dhe pse ka ndodhur kjo situatë, si dhe ku qëndron përgjegjësia. Kjo ka rëndësi të veçantë për ta rikthyer besimin dhe për të shmangur situata të ngjashme në të ardhmen. Ne si KOHA, nga ana tjetër, e kemi detyrim t’ua shpjegojmë lexuesve dhe shikuesve tanë pjesëmarrjen në një proces interviste të menaxhuar në mënyrë joprofesionale.
Rrjedhimisht, do ta bëjmë këtë shpjegim si dhe do të përcaktohemi për mënyrën e bashkëpunimit të ardhshëm me shërbimin për media të Zyrës së BE-së në Kosovë.
Me respekt
Brikenda Rexhepi
Kryeredaktore KOHA
