Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2026

“Receta” e suksesit të Spanjës

Spanja

“Arkitektët” e modelit të futbollit spanjoll shpjegojnë se si u krijua stili dallues dhe shumë i suksesshëm

Përfaqësuesja e Spanjës në futboll ka konfirmuar statusin e ekipit përfaqësues më të suksesshëm të shekullit të 21-të, duke shtuar dy yje të Kupës së Botës në stemën e fanellës.

Gjenerata e vitit 2010 dhe ajo e vitit 2026 kanë disa dallime dhe jo vetëm për faktin se futbolli ka ndryshuar. Por ekziston edhe një lidhje e qartë mes tyre – kuptimi i përbashkët për lojën.

David Gutierrez, që është drejtori i Shkollës Nacionale të Trajnerëve në Federatën e Futbollit të Spanjës, e lidh suksesin e iberikëve të fuqishëm me një individ dhe vit të caktuar: Luis Aragonesin në vitin 2008. 

Jose Francisco Molina, që shërbeu si drejtor sportiv në federatën spanjolle nga viti 2018 deri në fund të vitit 2022, ndan të njëjtin mendim.

“Ai ishte personi që kuptoi llojet e lojtarëve që po prodhonin klubet spanjolle, e nga të cilat duhej të nxjerrnim talentin tonë. Klubet zhvillojnë lojtarë dhe ekipi kombëtar i thërret ata. Dhe Aragones vendosi ta bashkonte atë grup lojtarësh. Aty filloi gjithçka për ekipin përfaqësues dhe federatën. Meqenëse rezultoi kaq i suksesshëm, ne filluam ta ndiqnim atë stil loje”, tha Molina për FIFA.

Edhe De la Fuente vlerëson lojtarët: Grup shembullor Botërori 2026 22 o. më parë De la Fuente vlerëson lojtarët: Grup shembullor

“Ai na bëri të gjithëve të kuptojmë që gjenetikisht ndoshta nuk jemi as më të shpejtët dhe as më të fortët. Por ka një fushë ku shkëlqejmë dhe kjo është të kuptuarit se si të luajmë së bashku si një njësi. Këtë e theksojmë shumë kur edukojmë trajnerët”, ka thënë Gutierrez.

Drejtori aktual sportiv i Federatës spanjolle, Aitor Karanka, beson se mënyra se si Spanja zhvillon trajnerët është thelbësore për ta kuptuar suksesin e vendit në futboll.

“Trajnerët spanjollë mbështeten në stërvitjen e tyre dhe kultivojnë një kuptim të lojës te lojtarët në moshë shumë të re. Këtë e bëjnë jo vetëm me qëllim të zhvillimit të talentit individual, por edhe duke menduar për performancën kolektive. Metodologjia përqendrohet në stërvitjet e bazuara në posedim dhe ndërtimin e një grupi aftësish që u mundëson lojtarëve, pavarësisht aftësive të tyre të natyrshme, të interpretojnë lojën që në moshë të re”.

Leximi i lojës, karakteristika kryesore

Kur e shikon Spanjën duke luajtur, ndoshta karakteristika më e habitshme është që të gjithë duket se kanë një ndjesi të mprehtë për atë që po ndodh përreth tyre dhe një aftësi të jashtëzakonshme për të lexuar lojën në mënyrë që të kenë më tepër sesa thjesht instinkt për të vazhduar para.

Gjatë mandatit të Aragonesit, nga viti 2004 deri në vitin 2008, evolucioni i “La Roja” u rrënjos në akademinë e Barcelonës. Kjo skuadër siguroi shtyllën kurrizore të përfaqësueses së vitit 2010 dhe mbetet çelësi për ta kuptuar futbollin spanjoll.

Megjithatë, grupi fitues i Kupës së Botës së këtij viti është shumë më i larmishëm. Rodri dhe Fabian Ruiz, që janë “motorë”, nuk kanë luajtur asnjëherë për “blaugrana”.

“Gjithçka varet nga lojtarët dhe trajnerët. Por sigurisht që gjithçka buron nga klubet, sepse ka kaq shumë klube dhe akademi që bëjnë punë fanatstike në zhvillimin e lojtarëve të rinj”, ka thënë Jose Francisco Molina.

Një metodologji e fuqishme është gjithashtu “çelës” i hapave që u ndërmorrën nga ekipet përfaqësuese spanjolle.

Theksi në metodologji dhe edukim taktik ka qenë temë e përsëritur midis trajnerëve spanjollë që kanë punuar jashtë vendit.

Edhe Rritet numri i përkrahësve të Botërorit me 64 përfaqësuese Botërori 2026 8 o. më parë Rritet numri i përkrahësve të Botërorit me 64 përfaqësuese

Aitor Karanka theksoi se si qasja e Spanjës ndikoi në punën e tij gjatë kohës si trajner në Angli.

“Nëse shikoni Premier Leaguen, janë disa trajnerë spanjollë dhe ata ndjekin metodologjinë tonë. Unë isha trajneri i parë i huaj në Middlesbrough dhe kur shkova për herë të parë atje, më duhej të ndryshoja sistemin dhe t’i mësoja lojtarët me idenë se nuk të duhen pesë apo dhjetë sekonda për të arritur në zonën e kundërshtarit. Duhej të ngulisja një filozofi që do të formësonte modelet tona të lojës”, ka thënë Karanka.

Vrapime intelegjente

David Gutierrez, drejtori i shkollës spanjolle të trajnerëve, ka treguar se në kurset për trajnerë çdo gjë mbështetet në një kuptim të lojës, “në mënyrë që trajnerët të kenë mjetet e nevojshme dhe që lojtarët të mos kufizohen në një kornizë të ngurtë”.

“Lojtarët duhet të kuptojnë të gjitha aspektet sulmuese dhe mbrojtëse të sportit tonë. Me këtë bazë, ata mund të përshtaten me ngjarjet në fushë. Nuk ka të bëjë me të diturit se çka do të ndodhë më pas, por që lojtarët të krijojnë ato situata dhe hapësira për veten e tyre”, thotë Gutierrez.

Molina, që aktualisht është në krye të përfaqësueses së Hondurasit, beson se kjo qasje përmirëson vendimmarrjen e lojtarëve dhe aftësinë për t’u përshtatur.

“Talenti luan rol, por është diçka në të cilën duhet të punosh fort. Kur ke një ide të qartë se si do të luash, ku mund të pozicionohen shokët e skuadrës, çfarë vrapimesh do të bëjnë dhe ku do të krijohen hapësirat, marrja e vendimeve bëhet shumë më e lehtë. Nuk shkon gjithnjë ashtu siç pret, por synohet krijimi i situatave dhe është diçka për të cilën mund të punosh”.

Këto koncepte u zbatuan gjatë aksionit të golit të Pedro Porros ndaj Francës në gjysmëfinale. Kishte shumë pasime nga spanjollët dhe lëvizje të sakta nga çdo lojtar.

Gutierrez thotë se e rëndësishme është të bëhen vrapime intelegjente dhe të përdoret topi në mënyrë efektive. Ai megjithatë thotë se ka ende hapësirë për përmirësim.

Edhe Spanja feston triumfin në Kupën e Botës Botërori 2026 19 o. më parë Spanja feston triumfin në Kupën e Botës

“Sot çdo gjë shqyrtohet me hollësi mikroskopike. Ne dimë më shumë për kundërshtarin dhe për veten tonë. Ne shqyrtojmë gjëra të tilla si ngarkesat stërvitore dhe vrapimi me intensitet të lartë. Futbolli është bërë më fizik, me lojë më të shpejtë në sulm. Lojtarët po bëhen më shumë si sportistë të gjithanshëm dhe po bëjnë gjithçka më shpejt. Kjo nxjerr në pah përfitimet e modelit tonë, por e bënë atë gjithnjë e më të vështirë pasi mbështetja në posedim është më komplekse kur gjithçka ndodh me shpejtësi”, thotë Gutierrez, që udhëheq shkollimin e trajnerëve në Spanjë.

Spanjollët po i qasen kompleksitet në rritje të lojës me një ndjenjë sigurie, të mbështetur jo vetëm nga rezultatet në fushë por edhe nga besimi i fortë se janë në rrugën e duhur.