Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Zvicra voton sot në referendumin për kufizimin e popullsisë në 10 milionë

Zvicra

Zvicra

Foto: Associated Press

Zvicra po voton të dielën për të vendosur nëse do të mbështesë një propozim për të kufizuar popullsinë e vendit, nëpërmjet një referendumi, i cili është krahasuar me votimin për Brexit në Britani dhe mund të ketë pasoja të gjera për ekonominë dhe marrëdhëniet e Bernës me Bashkimin Evropian.

I nxitur nga shqetësimet për emigracionin, presionin mbi shërbimet publike dhe mungesën e banesave, ndryshimi kushtetues i propozuar nga Partia Popullore Zvicerane do të kërkonte që popullsia e vendit të mos kalojë 10 milionë banorë deri në vitin 2050. Sipas projeksioneve zyrtare, Zvicra pritet ta arrijë këtë shifër në fillim të viteve 2040.

Kjo skemë e paprecedentë për të përcaktuar me ligj nivelin e popullsisë vjen në një kohë kur e djathta politike në Evropë po kërkon masa më të ashpra ndaj emigracionit, e nxitur nga pakënaqësia për koston e jetesës, rritjen e dobët ekonomike dhe kriminalitetin.

“Nëse popullsia kalon 10 milionë, hapësira do të bëhet e kufizuar dhe emigracioni duhet të kufizohet”, ka thënë Helen Gulea, 58 vjeçe, rrobaqepëse dhe punonjëse me kohë të pjesshme në një kioskë në Cyrih, me origjinë nga Kenia, e cila ka votuar me postë në favor të kufirit të propozuar.

Rezultatet e votimit pritet të fillojnë të publikohen rreth mesditës.

Nëse propozimi miratohet, arritja e kufirit prej 10 milionë banorësh do të aktivizonte një proces që mund ta detyrojë Zvicrën të heqë dorë nga marrëveshja për lëvizjen e lirë të fuqisë punëtore me Bashkimin Evropian, shtetet anëtare të të cilit furnizojnë një pjesë të madhe të tregut zviceran të punës.

Popullsia në plakje e Zvicrës tashmë ka kaluar 9 milionë banorë dhe sondazhet tregojnë se opinioni publik është pothuajse i ndarë në mënyrë të barabartë.

Edhe Zviceranët i thonë “jo” kufizimit të popullsisë, sipas rezultateve të para të votimit Botë 4 j. më parë Zviceranët i thonë “jo” kufizimit të popullsisë, sipas rezultateve të para të votimit

Një sondazh përfundimtar i realizuar këtë muaj tregoi se mbështetja për propozimin është në rënie dhe se më shumë qytetarë po e kundërshtojnë atë. Megjithatë, një sondazh i mëhershëm kishte sugjeruar se iniciativa mund të miratohej.

Patrick Leisibach, ekspert i migracionit në organizatën kërkimore “Avenir Suisse”, ka thënë se shqetësimi se mbipopullimi po e çon infrastrukturën publike në kufijtë e saj është bërë tashmë i përhapur në të gjithë vendin.

“Tradicionalisht ekziston një votë kundër emigracionit në krahun e djathtë politik, por sot edhe shumë njerëz në të majtën po e ndiejnë këtë presion”, ka thënë ai. 

Zviceranët i thonë “jo” kufizimit të popullsisë, sipas rezultateve të para të votimit

4 j. më parë / 14 qer 2026 13:18
Zvicer

Votuesit në Zvicër kanë refuzuar propozimin për të kufizuar popullsinë e vendit në 10 milionë banorë, sipas projeksioneve të para.

Ndonëse nuk janë numëruar ende të gjitha votat, tendenca aktuale tregon se rreth 55% e votuesve kanë votuar kundër propozimit, ndërsa 45% në favor të tij.

Propozimi ishte paraqitur nga Partia Popullore Zvicerane, e cila prej kohësh zhvillon fushata me qëndrime kundër emigracionit.

Ky referendum përçarës rrezikonte të vinte në pikëpyetje marrëveshjen e lëvizjes së lirë të personave mes Zvicrës dhe Bashkimit Evropian.

Popullsia e Zvicrës është rritur me shpejtësi që nga viti 2002, kur numëronte 7.3 milionë banorë. Sot ajo ka arritur në 9.1 milionë, ndërsa 27% e banorëve janë rezidentë zviceranë të lindur jashtë vendit.

Megjithatë, argumentet e Partisë Popullore se kufizimi i popullsisë do të ulte presionin mbi transportin, strehimin dhe mjedisin, nuk duket se bindën mjaftueshëm votuesit.

Shumë qytetarë të tjerë duket se ishin të shqetësuar për mundësinë e humbjes së fuqisë punëtore të nevojshme në sektorë si turizmi, spitalet dhe qendrat e kujdesit për të moshuarit.

Po ashtu, veçanërisht udhëheqësit e biznesit zviceran kishin frikë se vendi mund të humbiste qasjen e tij jetike në tregun e përbashkët evropian.

Mbi gjysma e produkteve zvicerane eksportohen në Bashkimin Evropian, por qasja e tyre në tregjet evropiane varet nga përkushtimi i Zvicrës ndaj lëvizjes së lirë të njerëzve. Nëse kufiri prej 10 milionë banorësh do të ishte miratuar, Zvicra do të detyrohej të anulonte këtë marrëveshje.

Gjithashtu, ka gjasa që një pjesë e votuesve zviceranë të kenë qenë të shqetësuar për pasojat e një vendimi që mund ta linte vendin më të izoluar në një botë gjithnjë e më të paqëndrueshme.

Megjithëse neutrale, Zvicra, ashtu si fqinjët e saj evropianë, po rrit shpenzimet për mbrojtjen dhe po shqyrton mënyra për të bashkëpunuar më ngushtë me vendet evropiane në fushën e sigurisë.

Sistemi i demokracisë direkte në Zvicër nënkupton se vendimet e rëndësishme merren përmes votimit popullor. Aktivistëve u mjafton të mbledhin 100,000 nënshkrime për të siguruar mbajtjen e një referendumi mbarëkombëtar.