Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Zelensky u kërkon aleatëve të NATO-s më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore

zelensky

Presidenti i Ukrainës planifikon ta shfrytëzojë takimin e NATO-s në Turqi për t’u bërë thirrje aleatëve të Kievit që ta furnizojnë Ukrainën me sistemet e mbrojtjes ajrore, për të cilat ka nevojë urgjente, në mënyrë që të mbrohet nga sulmet gjithnjë e më të ashpra ruse.

Thirrja e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyt për ndihmë tingëllon edhe më urgjente pasi raketat ruse goditën kryeqytetin ukrainas dy herë brenda më pak se një jave, duke u përplasur me blloqe banesash dhe duke vrarë më shumë se 50 civilë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Samiti në Ankara do t’i japë gjithashtu Zelenskyt mundësinë të zhvillojë një takim të rëndësishëm me Donald Trumpin dhe duhet të theksojë se sulmet “brutale” të Rusisë janë shenjë dobësie, e jo force, si dhe Vladimir Putini duhet të vihet nën presion për të hyrë në bisedime drejt një paqeje me dinjitet.

Sulmet e fundit ndaj Ukrainës vijnë në një kohë kur ajo ka shtuar sulmet e saj me dronë me rreze të gjatë veprimi kundër Rusisë, duke goditur  rafineri nafte dhe objektiva ushtarake, si dhe duke shkaktuar mungesa  të konsiderueshme të karburantit me ndërprerje të energjisë elektrike.

Duke theksuar seriozitetin e këtij kërcënimi, kryetari i bashkisë së Moskës, Sergei Sobyanin, deklaroi se mbrojtja kundërajrore kishte ndërprerë “shumicën” e 430 dronëve të lëshuar nga Ukraina drejt kryeqytetit gjatë natës. Shkalla e dëmeve nuk ishte ende e qartë.

Rrjetet sociale janë të mbushura me video që tregojnë njerëzit duke pritur me orë të tëra në radhë për të blerë karburant dhe duke u përleshur për sasitë e pakta që u lejohet të blejnë.

Në prag të takimit të NATO-s, i cili do të mbahet të martën dhe të mërkurën, Zelensky shprehu shpresën se takimi në Turqi nuk do të jetë "i zbrazët", por do të sjellë rezultate konkrete.