Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se aleatët evropianë nuk i kanë dhënë ende garanci të qarta dhe të forta për mbrojtjen e Ukrainës në rast të një agresioni të ri nga Rusia.
“Po ua bëj këtë pyetje të gjithë partnerëve tanë dhe ende nuk kam marrë një përgjigje të qartë dhe të paqartë”, ka theksuar ai të mërkurën para gazetarëve, ka raportuar BBC.
Këtë deklaratë Zelenskyt e ka dhënë një ditë pasi Mbretëria e Bashkuar dhe Franca nënshkruan një deklaratë që parashikon dërgimin e trupave në Ukrainë, nëse arrihet një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.
Megjithatë, garancitë e plota të sigurisë ende nuk janë miratuar. Shtetet e Bashkuara, që kanë udhëhequr përpjekjet për t’i dhënë fund luftës, raportohet se nuk e kanë nënshkruar një zotim të tillë gjatë bisedimeve në Paris të martën.
Pas takimit në Paris, ku morën pjesë rreth 30 vende anëtare të të ashtuquajturit “koalicioni i të vullnetshmëve” – grup i aleatëve të Kievit që thotë se synim e ka ta sigurojë një paqe të qëndrueshme në Ukrainë, kryeministri britanik Sir Keir Starmer ka deklaruar se Britania dhe Franca do të krijojnë “qendra ushtarake në të gjithë Ukrainën” për të penguar një pushtim të ardhshëm.
Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se mund të dërgohen mijëra trupa. Aleatët kanë propozuar që SHBA-ja të marrë rolin kryesor në monitorimin e një armëpushimi.
Por çështja kryesore, ajo e lëshimeve territoriale që Ukrainës po i kërkohet t’i bëjë Rusisë si pjesë e marrëveshjes së paqes, mbetet ende në diskutim. Moska zyrtare nuk ka reaguar ende ndaj njoftimeve të bëra në kryeqytetin francez.