Botë

Uria dhe frika në Sudanin e luftës nëpërmjet telefonave ilegalë

Sudan

Lufta në Sudan ka kthyer jetën e miliona njerëzve përmbys, ndërsa el-Fasheri, bastioni i fundit i ushtrisë është kthyer në një fushëbetejë të përgjakshme. Rrëfimet e Hafizës, Mostafës dhe Manahelit, të marra nga telefona të shpërndarë fshehurazi nga BBC-ja, zbulojnë tmerrin e përditshëm, urinë, frikën dhe një realitet ku kthimi në normalitet duket i pamundur

“Ajo nuk la fjalë të fundit”, rrëfen me qetësi Hafiza, teksa përshkruan se si nëna iu vra në një qytet të rrethuar në Darfur, gjatë luftës civile të Sudanit.

21-vjeçarja tregon se si jeta e familjes së saj u përmbys nga vdekja e nënës. Rrëfimin ajo e bën në një nga disa telefonat që BBC-ja ia doli t’i fuste te njerëzit e bllokuar në mes të luftës në el-Fasher.
Nën bombardimet e vazhdueshme, el-Fasher është shkëputur nga bota e jashtme për një vit, duke e bërë të pamundur hyrjen e gazetarëve në qytet. 

Hafiza përshkruan se si papritur e ka gjetur veten përgjegjëse për vëllain pesëvjeçar dhe dy motrat adoleshente. Babai iu vdiq para fillimit të luftës dy vjet më parë, e cila e ka vënë Ushtrinë kundër Forcave të Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake (RSF) dhe ka shkaktuar krizën më të madhe humanitare në botë.

Dy rivalët dikur ishin aleatë - duke ardhur në pushtet së bashku nëpërmjet grusht shtetit - por u kthyen kundër njëri-tjetrit rreth një plani ndërkombëtar për të ecur drejt sundimit civil.

Vendlindja e Hafizës është qyteti i fundit i madh i kontrolluar nga ushtria në rajonin perëndimor të Darfurit të Sudanit dhe ka qenë nën rrethim nga RSF-ja për 12 muajt e fundit.

E në gusht të vitit 2024, një predhë goditi tregun ku nëna e saj pati shkuar për të shitur mallra shtëpiake.

Jeta nën granatime

“Pikëllimi ende vazhdon. Nuk mund ta përballoj asnjë vizitë te vendi i saj i punës”, thotë Hafiza në një nga videomesazhet e para pasi mori telefonin. “Unë e kaloj kohën duke qarë vetëm në shtëpi”.

Të dyja palët në luftë janë akuzuar për krime lufte dhe shënjestrim të qëllimshëm të civilëve – akuzë që e mohojnë. RSF-ja gjithashtu ka mohuar akuzat nga SHBA-ja dhe grupet e të drejtave të njeriut për gjenocid kundër grupeve joarabe.

RSF-ja kontrollon kalimin brenda dhe jashtë qytetit dhe ndonjëherë lejon civilët të largohen. Në këtë mënyrë Hafiza arriti t’i çonte vëllezërit e motrat që të qëndronin me familjen në një zonë neutrale. E vetë qëndron në përpjekje për të fituar para për t’i mbështetur financiarisht.

Hafiza kalon ditët duke shpërndarë batanije dhe ujë për njerëzit e zhvendosur që jetojnë në strehimore. U ndihmon në kuzhinën e komunitetit dhe e mbështet një grup ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit në këmbim të pak parave sa të mbijetojë.

Netët i kalon e vetme.

“Mbaj mend vendet ku uleshin nëna dhe vëllezërit e motrat. Ndihem e shkatërruar”, thotë ajo.

“Gjithçka u përmbys”

Pothuajse në çdo video të 32-vjeçarit Mostafa, në sfond dëgjohet zhurma e granatimeve dhe e të shtënave.

Një ditë pasi vizitoi familjen, ai u kthye për të parë se si shtëpia e tij afër qendrës së qytetit ishte goditur nga predha - çatia dhe muret ishin dëmtuar - dhe grabitësit kishin plaçkitur atë që kishte mbetur.

“Gjithçka u kthye përmbys. Shumica e shtëpive në lagjen tonë janë plaçkitur”, thotë ai, duke fajësuar RSF-në.

Teksa Mostafa ishte vullnetar në një strehë për njerëzit e zhvendosur, zona u vu nën sulm intensiv. Ai arriti të incizonte. Kamera kapte edhe dridhjet që shkaktoheshin nga çdo shpërthim.

“Nuk ka vend të sigurt në el-Fasher”,  thotë ai. “Edhe kampet e refugjatëve po bombardohen me predha artilerie. Vdekja mund të prekë këdo, në çdo kohë, pa paralajmërim... nga një plumb, granatimet, uria a etja”.

Në një tjetër mesazh, ai flet edhe për mungesën e ujit të pastër. Njerëzit pinë nga burimet e kontaminuara me ujërat e zeza.

Uria e skajshme

Si Mostafa ashtu edhe 26-vjeçarja Manahel – e cila gjithashtu mori një telefon nga BBC-ja – dolën vullnetarë në kuzhinat e financuara nga donacionet prej sudanezëve që jetojnë jashtë shtetit.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar për urinë në qytet, diçka që ka ndodhur tashmë në kampin e afërt Zamzam, që u bë shtëpi e më shumë se 500 mijë njerëzve të zhvendosur.

Shumë njerëz nuk mund të shkojnë as në treg “dhe nëse shkojnë përballen me çmime të larta”,  thotë Manahel. “Çdo familje është e barabartë tani - nuk ka të pasur apo të varfër. Njerëzit nuk mund të përballojnë as nevojat themelore si ushqimi”.

Pasi gatuajnë oriz a diçka të tillë, ata ua dorëzojnë ushqimin njerëzve në strehimore. Për shumë, ai është i vetmi vakt që mund ta kenë gjatë ditës.

Kur nisi lufta, Manahel sapo kishte mbaruar universitetin, ku studioi Sheriatin dhe drejtësinë.

Gjersa luftimet arritën në el-Fasher, ajo u zhvendos me nënën dhe gjashtë vëllezërit e motrat në një zonë më të sigurt, më larg vijës së frontit. Por babai i saj refuzoi të largohej nga shtëpia e tyre. Disa fqinj ia kishin besuar gjërat e tyre dhe ai vendosi të qëndronte për t’i mbrojtur ato - një vendim që i kushtoi atij me jetë.

Manahel thotë se ai u vra nga artileria e RSF-së në shtator 2024.

Frika nga pushtimi

Që nga fillimi i rrethimit një vit më parë, pothuajse 2 mijë njerëz janë vrarë ose plagosur në el-Fasher, sipas OKB-së.

Pas perëndimit të diellit, njerëzit rrallë largohen nga shtëpitë e tyre. Mungesa e energjisë elektrike mund ta bëjë natën të frikshme për shumë prej 1 milion banorëve të el-Fasherit. Njerëzit kanë frikë të ndezin drita nëse kanë, sepse mund të zbulohen nga dronët, shpjegon Manahel. Por mbi të gjitha këto shqetësime, ekziston një frikë e pazakontë. Si Manahel ashtu edhe Hafiza kanë drojën se qyteti do të bjerë në duart e RSF-së.

“Si vajzë, mund të më përdhunojnë”, thotë Hafiza në një nga mesazhet e saj.

Ajo, Manahel dhe Mostafa janë të gjithë nga komunitetet joarabe dhe frika u buron nga ajo që ndodhi në qytetet e tjera që ka marrë RSF-ja, veçanërisht el-Geneina, 400 kilometra në perëndim të el-Fasherit.

Në vitin 2023 ajo pa masakra të tmerrshme, përgjatë vijave etnike, për të cilat SHBA-ja dhe të tjerët thonë se ishin gjenocid. Luftëtarët e RSF-së dhe milicia aleate arabe dyshohet se synonin njerëz nga grupet etnike joarabe, si grupi etnik massali - të cilin RSF-ja e ka mohuar më parë.

Një grua e këtij komuniteti në një kamp refugjatësh mbi kufirin në Çad përshkruan se si u përdhunua në grup nga luftëtarët e RSF-së dhe nuk ishte në gjendje të ecte për gati dy javë. OKB-ja ka thënë se janë dhunuar edhe fëmijë.

Një burrë tregoi se ishte dëshmitar i një masakre nga forcat e RSF - ai u arratis pasi u plagos dhe u la aty me mendjen se do të vdiste.

OKB-ja vlerëson se midis 10 mijë dhe 15 mijë njerëz u vranë vetëm në el-Geneina në vitin 2023. Dhe tani më shumë se një çerek milion njerëz nga qyteti - gjysma e popullsisë së tij të mëparshme – është në mesin e atyre që jetojnë në kampet e refugjatëve në Çad.

RSF-ja nuk ka komentuar deklarimet e këtyre personave. Megjithatë, në të kaluarën ajo ka mohuar çdo përfshirje në spastrimin etnik në Darfur, duke thënë se autorët kishin veshur veshje të RSF-së për t'ua hedhur fajin atyre.

Vizita e kontrolluar

Pak gazetarë kanë pasur qasje në el-Geneina që atëherë, por pas muajsh negociatash me autoritetet civile të qytetit, një ekip i BBC-së u lejua ta vizitonte në dhjetor 2024. Atyre iu caktuan kujdestarë nga zyra e guvernatorit dhe iu lejua të kenë qasje vetëm ku donin autoritetet.

U bë menjëherë e qartë se RSF-ja ishte duke kontrolluar. Ekipi i BBC-së i pa duke patrulluar me automjete të armatosura dhe pati bisedë të shkurtër me disa prej tyre, kur treguan granatat e tyre raketore kundër automjeteve (RPG).

Nuk kaloi shumë kohë për të kuptuar se sa ndryshe e shihnin konfliktin. Komandanti i tyre këmbënguli se nuk kishte civilë si Hafiza, Mostafa dhe Manahel që jetonin në el-Fasher.

“Personi që qëndron në një zonë lufte merr pjesë në luftë. Aty nuk ka civilë, të gjithë janë nga ushtria”, pati deklaruar ai.

Ai pati pretenduar se el-Geneina ishte në paqe dhe se shumica e banorëve të saj – “rreth 90%” - ishin kthyer. “Shtëpitë që më parë ishin bosh tani janë të mbushura sërish”.

Por qindra mijëra banorë të qytetit ende jetojnë si refugjatë në Çad dhe shteti ka mbetur me shumë lagje të shkreta dhe të shkatërruara.

Gazetarët kanë përshkruar se ka qenë vështirë të kuptohet jeta në el-Geneina për shkak të sigurimit që i përcillte. Gazetarëve iu lejua vizita në një treg. E udhëtimi u përfundoi me një intervistë me Tijani Karshoumin, guvernator i Darfurit Perëndimor, paraardhësi i të cilit u vra në maj të vitit 2023 pasi akuzoi RSF-në për kryerjen e gjenocidit.

Ishte intervista e tij e parë që nga viti 2023 dhe ai tha se ishte neutral gjatë trazirave të el-Geneinas dhe nuk mbante anën me askënd.

“Ne kemi kthyer një faqe të re me sloganin e paqes, bashkëjetesës, duke shkuar përtej hidhërimit të së kaluarës”, qe shprehur ai, duke shtuar se shifrat e viktimave që ka përmendur OKB-ja janë “të ekzagjeruara”.

Gjithashtu në dhomë ishte një burrë për të cilin u kuptua më vonë se ishte përfaqësues i RSF-së.
Përgjigjet e Karshoumit për pothuajse të gjitha pyetjet e BBC-së ishin gati identike, nëse pyetej për akuzat për spastrim etnik apo për atë që ndodhi me ish-guvernatorin, Khamis Abakar.

Gati dy javë pasi BBC-ja foli me Karshoumin, Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj tij, duke thënë se ai “mban përgjegjësinë në sulmin fatal” ndaj paraardhësit të tij dhe se ai “kishte qenë i përfshirë në planifikimin, drejtimin ose kryerjen ... abuzime serioze të të drejtave të njeriut dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar, duke përfshirë vrasjet, përdhunimet dhe forma të tjera të rënda të dhunës seksuale dhe rrëmbimit me bazë gjinore”.

“Duke qenë se jam i dyshuar në këtë çështje, besoj se çdo deklarate nga ana ime do t'i mungonte besueshmëria”, u shpreh ai kur u pyet për këto akuza.

Por ai ka shtuar se “asnjëherë nuk ka qenë pjesë e konfliktit fisnor dhe ka mbetur në shtëpi gjatë përleshjeve” dhe ka shtuar se nuk është përfshirë në asnjë shkelje të së drejtës humanitare.

“Akuzat për vrasje, rrëmbime ose përdhunime duhet të trajtohen nëpërmjet një hetimi të pavarur”, ka deklaruar Karshoum. “Që nga fillimi i konfliktit në Khartoum, ne nxitëm për paqe dhe propozuam nisma të njohura për të parandaluar dhunën në shtetin tonë të brishtë shoqëror”.

“Kthimi i pamundur”

Është e vështirë të imagjinohet që njerëzit e el-Geneinas të kthehen ndonjëherë në shtëpi. E njëjta gjë vlen edhe për 12 milionë sudanezë të tjerë që kanë ikur nga shtëpitë e tyre dhe janë ose refugjatë jashtë vendit ose jetojnë në kampe brenda Sudanit.

Në fund Hafiza, Mostafa dhe Manahel e panë jetën në el-Fasher të padurueshme dhe në nëntor të vitit 2024 të tre u larguan nga qyteti për të qëndruar në qytetet e afërta.

Me rimarrjen e kontrollit nga ushtria mbi kryeqytetin, Khartoum, në mars, Darfur mbetet rajoni i fundit i madh ku paraushtarakët janë ende kryesisht në kontroll - dhe kjo e ka kthyer el-Fasherin në një fushë-betejë edhe më intensive.

“El-Fasher është bërë vend i frikshëm”, tha Manahel ndërsa paketonte gjërat e saj. “Po largohemi pa e ditur fatin tonë. A do të kthehemi ndonjëherë në el-Fasher? Kur do të përfundojë kjo luftë? Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë”.