Presidenti amerikan, Donald Trump, është mbledhur me kabinetin e tij të mërkurën, në një moment të ndjeshëm për bisedimet që synojnë t’i japin fund luftës me Iranin.
Gjatë këtij takimi, i pari që nga 26 prilli, Trumpi ka deklaruar se pala iraniane po “negocion me forcat e fundit”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoBesimi i Trumpit se një marrëveshje është afër vjen vetëm disa ditë pasi ai këmbënguli se administrata e tij dhe Teherani kishin “negociuar në masë të madhe” një zgjidhje, por se bisedimet ende ishin në një gjendje të paqëndrueshme.
Presidenti po kërkon një marrëveshje që do të rihapë Ngushticën e Hormuzit dhe do t’i japë atij një argument të besueshëm se kapaciteti bërthamor i Iranit është zvogëluar mjaftueshëm për të shpallur fitoren, duke e mbyllur një konflikt që ka qenë politikisht jopopullor për republikanët.
Por, ashtu si qëndrojnë gjërat, Trumpi rrezikon që përfundimi i “luftës së tij të zgjedhur” të jetë një rezultat i pakënaqshëm.
Marrëveshja në zhvillim shtyn shumë çështje kritike për më vonë dhe tashmë ka ekspozuar presidentin republikan ndaj kritikave të ashpra, madje edhe nga disa prej mbështetësve të tij, se udhëheqësit e linjës së ashpër të Iranit do të dalin nga konflikti të dëmtuar, por më të fortë politikisht.
E gjithë kjo po ndodh pikërisht në momentin kur zgjedhjet e mesmandatit për kontrollin e Kongresit po afrohen, dhe kur republikanët shqetësohen se kostot në rritje dhe çmimet e karburantit po ndikojnë negativisht në disponimin e votuesve amerikanë.
Trumpi, në fillim të mbledhjes së kabinetit, ka thënë se nuk i interesojnë zgjedhjet e mesmandatit dhe se ende ka punë për t’u bërë për arritjen e një marrëveshjeje, teksa është shprehur me një shkallë sigurie se të dy palët do ta arrijnë atë.
“Ata duan shumë të bëjnë një marrëveshje”, ka thënë Trumpi. “Deri tani nuk e kanë arritur. Ne nuk jemi të kënaqur me të, por do të jemi, përndryshe do të duhet ta përfundojmë punën”, ka shtuar ai.
Por bisedimet u komplikuan më tej pasi forcat amerikane kryen, siç i ka quajtur Pentagoni, sulme “mbrojtëse” ndaj bazave të lëshimit të raketave dhe anijeve për vendosjen e minave në jug të Iranit të hënën. SHBA-ja ka thënë se kishte vepruar me “përmbajtje” duke pasur parasysh armëpushimin disajavor, ndërsa Irani e ka dënuar veprimin si shenjë të “keqbesimit dhe mosbesueshmërisë”.
Ndërsa Trumpi këmbëngul se një marrëveshje është brenda mundësive, duket se ka dallime mes SHBA-së dhe Iranit për disa çështje kyç.
Sipas marrëveshjes së mundshme, Teherani do të pranonte të hiqte dorë nga rezervat e uraniumit të pasuruar shumë, një kërkesë kyç e Trumpit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Irani ka 440.9 kilogramë uranium të pasuruar deri në 60% pastërti, një hap teknik i afërt me nivelin 90% të nevojshëm për armë bërthamore, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA). Irani nuk është zotuar publikisht se do të heqë dorë nga uraniumi i tij.
Trumpi ka thënë të hënën në një postim në Truth Social se uraniumi, i cili besohet se ndodhet nën objektet bërthamore të goditura nga sulmet ajrore amerikane vitin e kaluar, do t’i dorëzohej SHBA-së ose “do të shkatërrohej në vend ose në një vend tjetër të pranueshëm, me Komisionin e Energjis Atomike ose një ekuivalent të tij si dëshmitar të këtij procesi dhe ngjarjeje”.
Ky koment tregon një zbutje të qëndrimit të mëparshëm të Trumpit, i cili kërkonte që SHBA-ja ta merrte kontrollin e plotë të rezervave të uraniumit të Iranit.