Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të mërkurën se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të vazhdojnë me sulme të tjera ndaj Teheranit nëse Irani nuk pranon një marrëveshje paqeje, por ka sugjeruar se Uashingtoni mund të presë disa ditë për të “marrë përgjigjet e duhura”.
Duke folur me gazetarët, Trumpi ka thënë se situata ishte “pikërisht në kufi” dhe mund të përshkallëzohej shpejt.
Gjashtë javë pasi ai ka ndaluar sulmet për një armëpushim, bisedimet për t’i dhënë fund luftës kanë treguar pak përparim, ndërsa rritja e çmimeve të benzinës ka ndikuar negativisht në vlerësimet e presidentit.
“Më besoni, nëse nuk marrim përgjigjet e duhura, gjithçka ndodh shumë shpejt. Ne jemi të gjithë gati për të vepruar”, ka deklaruar ai.
I pyetur se sa gjatë do të priste, Trumpi është përgjigjur se “mund të jenë disa ditë, por se gjithçka mund të ndodhë shumë shpejt”.
Edhe
Udhëheqësi suprem i Iranit s’lejon dërgimin jashtë vendit të uraniumit të pasuruar
Ndërkohë Irani ka paralajmëruar kundër sulmeve të reja.
“Nëse agresioni kundër Iranit përsëritet, lufta rajonale e premtuar do të shtrihet përtej rajonit këtë herë”, ka thënë Gardat Revolucionare në një deklaratë.
Trumpi ka përsëritur vendosmërinë e tij për të mos lejuar Iranin të sigurojë armë bërthamore.
“Jemi në fazat përfundimtare me Iranin. Do të shohim çfarë ndodh. Ose do të kemi marrëveshje, ose do të bëjmë disa gjëra paksa të pakëndshme, por shpresojmë që kjo të mos ndodhë”, u ka thënë Trumpi gazetarëve.
Edhe
Trumpi e Netanyahu zhvillojnë bisedë të tensionuar telefonike për Iranin
Irani ka paraqitur këtë javë një ofertë të re ndaj SHBA-së. Përshkrimet nga Teherani sugjerojnë se ajo përsërit kryesisht kushtet që Trumpi i kishte refuzuar më parë, përfshirë kërkesat për kontroll mbi Ngushticën e Hormuzit, kompensim për dëmet e luftës, heqjen e sanksioneve, lirimin e aseteve të ngrira dhe tërheqjen e trupave amerikane.
Trumpi ka thënë të martën se kishte qenë vetëm një orë larg urdhërimit të sulmeve këtë javë, si përgjigje ndaj kërkesave nga disa vende fqinje të Gjirit Persik.