Presidenti amerikan, Donald Trump, ka ripërsëritur kërcënimin e tij për përdorimin e forcës ushtarake për të aneksuar Grenlandën.
Në një intervistë për NBC News ai ka thënë se nuk do ta përjashtonte këtë mundësi që territori danez vetëqeverisës të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara, raporton CNN.
Trumpi ka folur vazhdimisht për marrjen e kontrollit të ishullit të pasur me burime, për të cilin ai këmbëngul se SHBA-ja ka nevojë për qëllime të sigurisë kombëtare.
"Unë nuk e përjashtoj këtë”, ka deklaruar Trumpi në një intervistë që është transmetuar të dielën.
"Unë nuk them se do ta bëj, por nuk përjashtoj asgjë. Ne kemi shumë nevojë për Grenlandën.
Grenlanda është një numër shumë i vogël njerëzish, për të cilët ne do të kujdesemi dhe do t'i vlerësojmë ata, dhe të gjitha këto. Ne kemi nevojë për të për sigurinë ndërkombëtare”, është shprehur ai.
Trump ka shprehur vazhdimisht interes për blerjen e ishullit, ose që SHBA-ja ta marrë atë me forcë ose detyrim ekonomik, edhe pse aleati i NATO-s, Danimarka, dhe po ashtu Grenlanda e kanë hedhur poshtë me vendosmëri idenë.
Ekspertët thonë se Grenlanda ka një pozicion unik gjeopolitik, mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, gjë që mund të ndihmojë në zmbrapsjen e çdo sulmi të mundshëm nga Rusia. Ai shtrihet gjithashtu përgjatë një korsie kryesore të transportit detar dhe është pjesë e hendekut Grenlandë-Islandë-Mbretëria e Bashkuar, një rajon strategjik detar.
Por ekspertët dyshojnë gjithashtu se Trumpi po shikon edhe aspekte të tjera të Grenlandës, siç është rezerva e saj e burimeve natyrore, të cilat mund të bëhen më të qasshme pasi ndryshimet klimatike shkrijnë akullin e territorit. Këto përfshijnë naftën dhe gazin, dhe metalet e rralla të tokës në kërkesë të lartë për veturat elektrike, turbina me erë dhe pajisje ushtarake.
Që kur Trumpi ka nisur të shprehë planet për presidencën e tij në dhjetor, dëshira e tij për të aneksuar Grenlandën ka ngritur pikëpyetje në lidhje me sigurinë e ardhshme të ishullit, teksa SHBA,-ja, Rusia dhe Kina luftojnë për ndikim në Arktik.