Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Trumpi dhe Rubio s’do të ndalojnë ekstradimin e vëllezërve Tate në Britani

Tate Brothers

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, nuk planifikojnë të bllokojnë ekstradimin në Britaninë e Madhe të vëllezërve Tate, influencerët e njohur të "manosphere"-ës, të cilët akuzohen për përdhunim dhe trafikim qeniesh njerëzore.

Andrew dhe Tristan Tate ishin pjesë e grupit të figurave të rrjeteve sociale që promovojnë maskulinitetin ekstrem dhe që mbështetën Trumpin gjatë rizgjedhjes së tij në vitin 2024. Vëllezërit kanë deklaruar se kanë lidhje me dy djemtë e Trumpit dhe kanë gëzuar mbështetjen e disa këshilltarëve të lartë të presidentit.

Megjithatë, zyrtarisht dhe publikisht, Trumpi dhe administrata e tij kanë mbajtur distancë nga vëllezërit Tate për shkak të reputacionit të tyre të diskutueshëm.

"SHBA-ja ka një traktat ekstradimi me Britaninë e Madhe dhe administrata synon ta respektojë atë edhe në këtë rast”, ka thënë për Axios një zyrtar i lartë i administratës.

Zhvillimi vjen pasi SHBA-ja arrestoi vëllezërit Tate në Majami të shtunën, pasi autoritetet britanike ngritën 38 akuza të reja për krime seksuale ndaj tyre, duke e çuar numrin e përgjithshëm të akuzave ndaj të dyve në 59.

Edhe Vëllezërit Tate arrestohen në SHBA, Britania kërkon ekstradimin e tyre për akuza të reja Botë 3 d. më parë Vëllezërit Tate arrestohen në SHBA, Britania kërkon ekstradimin e tyre për akuza të reja

Ata gjithashtu u paditën në Rumani në vitin 2023 për akuza të veçanta që lidhen me krime seksuale.

Në dokumentet e paraqitura në gjykatë, Departamenti amerikan i Drejtësisë ka theksuar se Marco Rubio ka "diskrecion të plotë" për të bllokuar ekstradimin e tyre në Britani nëse vlerëson se vëllezërit po përndiqen për motive politike.

Të hënën, avokati i tyre, Joe McBride, u ka thënë gazetarëve jashtë gjykatës federale në Majami se akuzat ndaj dy vëllezërve janë "të motivuara politikisht”.

McBride ka thënë se vëllezërit janë të pafajshëm dhe do ta kundërshtojnë ekstradimin.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit i ka thënë Axios se "sekretari nuk ka biseduar me vëllezërit Tate apo me avokatët e tyre. Departamenti i Shtetit nuk ka në plan të ndërmarrë ndonjë veprim lidhur me këtë çështje në këtë moment”.

Burime të njohura me qëndrimin e Rubios thonë se sekretari i Shtetit, një katolik konservator, i cili gjatë kohës sa ishte senator amerikan ka luftuar për ligje më të forta kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe për mbrojtjen e viktimave, nuk është i prirur t'i ndihmojë vëllezërit Tate.

"Marco mendon se këta djem janë llum”, ka thënë një burim. "Nëse presidenti do ta rrëzonte vendimin e tij, gjë që nuk besoj se ka gjasa të ndodhë, atëherë ai do të kishte një problem”.

Një burim i njohur me mënyrën e të menduarit të Trumpit ka thënë se presidenti nuk dëshiron të ketë asnjë lidhje me vëllezërit.

Edhe Zbulohet se për kë është Trumpi në Kupën e Botës Botërori 2026 1 j. më parë Zbulohet se për kë është Trumpi në Kupën e Botës

"Vëllezërit Tate duan të shtiren sikur kanë qenë përgjegjës për fitoren e presidentit në vitin 2024, por ata nuk ishin pjesë e strategjisë sonë dhe presidenti nuk i njeh”, ka thënë një ish-këshilltar i fushatës së Trumpit.

Pasi Andrew Tate u përball për herë të parë me akuza për përdhunim në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2015, vëllezërit u shpërngulën në Rumani, ku filluan të drejtonin biznesin e tyre të pornografisë në internet, sipas një hetimi të gjerë dhe tronditës të revistës “The New Yorker”, të titulluar "Perandoria e Abuzimit e Andrew Tate".