Nënkryetari dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka kritikuar pozicionimet që po ndodhin brenda partisë në prag të Kuvendit të jashtëzakonshëm Zgjedhor, duke u bërë thirrje delegatëve që të mos hynë në beteja që nuk janë të tyre.
Në një status në Facebook sot, Haziri ka bërë thirrje që beteja e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duhet të jetë me delegatët në kutinë e votimit.
“Beteja e Lumir Abdixhikut me nënshkruesit e mocionit, në emër të kërkesave politike, është dhe duhet të mbetet beteja e kryetarit të katërt të LDK-së me votuesit e tij. Të gjithë ata që po dalin në analiza, vlerësime e mësime, për apo kundër, janë vetëm pozicionime politike për veten e tyre e jo për të ardhmen e LDK-së!”, ka shkruar Haziri.
Nënkryetari i partisë ka thënë se LDK-ja ia ka pa sherrin pozicionimeve duke harruar se kush janë rivalët politikë. Shtoi se nënshkrimet për votëbesim ndaj Abdixhikut janë dorëzuar, “prandaj fjalët e tepërta me kah 10 statuse në ditë, ftesa për protestë në mbrojtje po e gërryejnë besimin e idealistëve”.
“Bajagi ia kemi pa sherrin pozicionimeve, duke harru kënd e kemi familje politike, kush janë rivalët politikë dhe pse çdo herë na përsëritet situata e njëjtë! Tri degë dhe tre kolegë tanë shkaktuan proces. 1/3 e delegatëve u ftuan me u deklaru me nënshkrime për këtë kërkesë. Atëherë, çka po na duhen fjalët e tepërta me kah 10 statuse në ditë, me gjuhë të ashpër prej disa aktivistëve, ftesa për protestë në mbrojtje e konsumues politikë që po e gërryejnë besimin e idealistëve”, ka shkruar Haziri.
Sipas tij, është më mirë të kërkohet falje për gabimet e së kaluarës sesa të vazhdohet me gabime.
Edhe
Haziri: LDK-ja u takon idealistëve e idealistët e saj janë anëtarësia, jo funksionarët
“Funksionarët edhe mund të pajtohen, por jo besimtarët në sjelljen e funksionarëve. Koha e ka dëshmu. Ma mirë me thanë na falni për gabimet e së kaluarës, se sa me vazhdu me gabime. LDK ka shkaktu procese e ka realizu ëndrra kur ka qenë e bashkuar. Kemi premtu që jemi besë e shpresë për Republikën. Mbajeni fjalën, bashkëpatriotë. Mos hyni në beteja që nuk janë tuajat. Përkitazi me këtë, e kam një porosi të madhe të babës tim hero: ‘Me dikënd që duhesh të pajtohesh, kurrë mos u idhno’ “, ka përfunduar Haziri.
Një grup i të pakënaqurve kanë dorëzuar nënshkrimet për të thirrur Kuvend të jashtëzakonshëm për shkarkimin e Abdixhikut nga kryetari i LDK-së. Nga LDK-ja kanë thënë se shumë shpejt pritet ta caktojnë datën e Kuvendit.
Ndërkohë, Abdixhiku pezulloi bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje për një koalicion të mundshëm.