Ish-presidenti i SHBA-ë, Donald Trump vuri në dispozicion garancinë prej 175 milionë dollarësh për çështjen civile ndaj tij në New York, ku ai është shpallur fajtor për mashtrim me pasurinë. Me depozitimin e garancisë, Trump shmang sekuestrimin e pasurive të tij nga ana e autoriteteve shtetërore.
Republikani Trump, që pritet të përballet me presidentin demokrat Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit, u gjet fajtor më 16 shkurt për fryrje artificiale të pasurisë në vlerën e miliarda dollarëve me qëllim që të merrte kredi dhe të siguronte marrëveshje biznesi me kushte më të mira.
Në vendimin e 16 shkurtit të gjykatësit Arthur Engoron, parashikohej që Trump të paguante një gjobë prej 454 milionë dollarësh, por më 25 mars, Gjykata e Apelit, vendosi ta shtynte ekzekutimin e vendimit të gjobës, nëse Trump depononte një garanci prej 175-milionë dollarëshe brenda një afati 10-ditor.
Trupi gjykues i përbërë nga tre gjykatës të apelit në New York pritet të marrin në shqyrtim apelimin e vendimit nga Trump.
Vendimi për të reduktuar shumën e garancisë që duhet të depozitojë Trump nuk është një tregues se si mund të vendosë përfundimisht trupa prej tre gjyqtarësh.
Vendimi për depozitimin e garancisë shmang sekuestrimin nga prokurorja e përgjithshme e New Yorkut, Letitia James, të pasurive të Trumpit, përfshirë kullën Trump dhe vendpushimin e tij dhe fushën e golfit në Westchester dhe pronën e tij në Mar-a-Lago në Florida.
Ish-presidenti ka mohuar çdo shkelje dhe ka deklaruar se çështja e ngritur ndaj tij është një gjueti shtrigash për qëllime politike, nga ana e prokurores James, e zgjedhur nga radhët e demokratëve, që ngriti padi ndaj tij në vitin 2022.