Botë

Tre të vdekur e dhjetëra të lënduar nga një stampedo në Indi

Indi

Foto: Associated Press

Tre persona kanë mbetur të vdekur teksa dhjetëra të tjerë janë shtruar në spital të dielën pas një rritjeje të papritur të turmës në një festival të njohur hindu në Indinë lindore, ka thënë një zyrtar i lartë qeveritar.

"Pati një rritje të papritur të turmës së besimtarëve për të parë hyjnitë hindu, gjatë së cilës disa njerëzve u ka rënë të fikët, u ndien të mbytur ose janë ankuar për gulçim", ka thënë Siddharth Shankar Swain, zyrtari më i lartë qeveritar në Puri, raporton AP.

Swain i ka thënë Associated Press se 15 persona janë dërguar me urgjencë në një spital qeveritar lokal, ku tre prej tyre janë shpallur të vdekur dhe 12 të tjerë janë liruar.

Autopsitë janë planifikuar për të ndjerët për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.

Dhjetëra mijëra besimtarë janë mbledhur në qytetin bregdetar të dielën herët në Tempullin Shree Gundicha pranë Tempullit të famshëm Jagannatha për të parë hyjnitë.

Qyteti bregdetar tempullor i Purit gjallërohet çdo vit me festivalin e madh "Rath Yatra", ose festivalin e qerreve, në një nga procesionet fetare më të vjetra dhe më të mëdha në botë.

Festivali shekullor përfshin nxjerrjen e hyjnive hindu nga tempulli dhe transportimin e tyre në qerre të dekoruara me ngjyra.

Festivali është një nga ngjarjet më të nderuara të hinduizmit dhe tërheq qindra mijëra besimtarë çdo vit nga e gjithë India dhe bota.