Botë

Tajlanda e Kamboxhia pajtohen sërish për armëpushim

t k

Foto: Associated Press

Tajlanda dhe Kamboxhia janë pajtuar për armëpushim të menjëhershëm, kanë thënë ministrat e mbrojtjes së të dyja shteteve të shtunën.

Të dyja palët janë dakorduar t’i ngrijnë lëvizjet e trupave dhe të lejojnë banorët që jetojnë përgjatë zonave kufitare të kthehen në shtëpi, duke ndaluar kështu javë përleshjesh që kanë lënë të vdekur të paktën 41 persona.

Nëse armëpushimi qëndron në fuqi për 72 orë, 18 ushtarët kamboxhian që mbahen nga Tajlanda do të lirohen, raportoi BBC. 

Marrëveshja erdhi pasi zyrtarët e dy shteteve mbajtën bisedime për disa ditë.

Deklarata e përbashkët thekson se duhet të ndalen sulmet mbi civilët, infrastrukturën dhe objektivat ushtarakë.

“Të dyja palët duhet të shmangin sulmet e paprovokuara ose lëvizjen e trupave drejt pozicioneve të trupave të palës tjetër”, thuhet në deklaratë.

Marrëveshja e armëpushimit qe prishur në fillim të dhjetorit kur nisën përplasje të reja. Të dy shtetet fajësojnë njëra-tjetrën se e shkelën marrëveshjen.