Dy studiues kinezë janë akuzuar se kontrabanduan në SHBA një patogjen të rrezikshëm biologjik për ta studiuar atë në Universitetin e Michiganit, kanë thënë autoritetet federale amerikane, transmeton agjencia “AP”.
Yunqin Jian (33) dhe Zunyong Liu (34) janë akuzuar për komplot, kontrabandë, deklarime të rrejshme dhe mashtrim për viza, pasi autoritetet zbuluan se Liu hyri në SHBA me një kërpudhë helmuese të cilën e kishte fshehur në çantë.
Liu u përpoq ta kontrabandonte patogjenin përmes aeroportit të Detroitit në mënyrë që të mund ta studionte në Universitetin e Michiganit ku punonte e dashura e tij, Jian, thuhet në padi.
FBI-ja tha se patogjeni, i njohur si Fusarium graminearum, është një “armë e mundshme e agroterrorizmit”, sipas një reviste shkencore.
Patogjeni mund ta sulmojë grurin, elbin, misrin dhe orizin dhe po ashtu t’i sëmurë bagëtitë e gjithashtu njerëzit, është thënë në akuzë.
“Veprimet e dyshimta të këtyre shtetasve kinezë, përfshirë një anëtari besnik të Partisë Komuniste Kineze, janë nga shqetësimet më të rënda për sigurinë kombëtare”, tha prokurori i SHBA-së, Jerome Gorgon Jr.
Në korrik të vitit 2024, Liu u ndal në aeroportin e Detroitit dhe u kthye në Kinë, pasi e ndryshoi historinë e tij gjatë marrjes në pyetje në lidhje me patogjenin që i ishte zbuluar në çantë, ka thënë FBI.
Ai fillimisht kishte thënë se nuk di gjë për mostrat, por më pas e pranoi se planifikonte t’i përdorte ato për kërkime në laborator.
FBI tha se në telefonin e Liut e gjetën një revistë shkencore me titull, “Lufta bimë-patogjenë në kushtet klimatike të ndryshuara”.
Një javë para se të mbërrinte në SHBA, Liu shkëmbeu mesazhe me partneren e tij, e cila tha: “Është për të ardhur keq që ende duhet të punoj për ju”, sipas hetuesve.
Agjentët e FBI-së e vizituan Jian në laboratorin e kampusit të Universitetit të Michiganit në shkurt, ndërsa ajo u tha atyre: “100% jo”, kur u pyet nëse e kishte ndihmuar Liun me patogjenin në laborator.
Agjencia tha se gjeti një deklaratë të nënshkruar në telefonin e saj që shprehte mbështetjen e saj për Partinë Komuniste Kineze.
Mesazhet mes të dyve në vitin 2024, sugjerojnë se Jian po kujdesej për Fusarium graminearum në laboratorin e kampusit përpara se Liu të kapej në aeroport, tha FBI. Universiteti s’ka leje federale për ta trajtuar atë patogjen.
Jian u paraqit në gjykatë të martën dhe u dërgua në burg ndërsa është në pritje të seancës dëgjimore për kushtet e lirimit me kusht.
SHBA-ja nuk ka traktat ekstradimi me Kinën, që do të thotë se arrestimi i Liut është i pamundur nëse ai nuk kthehet.