Ish-prokurori i posaçëm Jack Smith, i cili udhëhoqi dy hetimet penale federale ndaj presidentit amerikan Donald Trump dëshmoi para Komitetit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve të enjten në lidhje me përpjekjen e Trumpit për ta “përmbysur në mënyrë të paligjshme rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020” dhe për të parandaluar transferimin e pushtetit te Joe Bideni, raporton agjencia "AP".
“Në vend që të pranonte humbjen e tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, presidenti Trump u përfshi në një skemë të paligjshme për t’i përmbysur rezultatet dhe për të penguar transferimin e ligjshëm të pushtetit”, i tha Smith Dhomës së Përfaqësuesve, duke dënuar “narrativat e rreme dhe mashtruese” që rrethonin hetimin e tij.
“Presidenti Trump u ndoq penalisht sepse provat treguan se ai shkeli me dashje ligjin, të cilin u betua ta zbatonte”, shtoi ai.
Pasi Trump fitoi zgjedhjet e vitit 2024, prokurori federal mbylli dy hetimet federale. Njëri përfshinte përpjekje për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe tjetri përfshinte mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara pasi ai u largua nga Shtëpia e Bardhë. Departamenti i Drejtësisë kështu iu përmbajt politikës së tij, që daton që nga skandali Watergate, për të mos ndjekur penalisht një president në detyrë.
Megjithatë, në janar 2025, Jack Smith, në raportin e tij përfundimtar mbi çështjen zgjedhore, deklaroi me besim se “pa zgjedhjen e Trumpit si president në vitin 2024 dhe kthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë”, ai do të kishte qenë në gjendje ta dënonte atë.
Seanca e sotme dëgjimore para Komitetit të kontrolluar nga republikanët ishte mundësia e parë e Smith për t’i folur publikisht popullit amerikan.
“Nëse më pyetni nëse do të ndiqja penalisht një ish-president bazuar në të njëjtat fakte sot, do ta bëja, pavarësisht nëse ai president ishte demokrat apo republikan”, shtoi ai.