Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka insistuar se plani 28-pikësh për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, i cilësuar gjerësisht si i favorshëm për Rusinë është “hartuar nga SHBA-ja”.
Kjo deklaratë vjen pasi një grup senatorësh thanë se Rubio u kishte treguar atyre se drafti, të cilin njëri prej tyre e përshkroi si një “listë dëshirash ruse” nuk pasqyronte qëndrimin zyrtar të Washingtonit. Më vonë, Rubio u distancua nga ato komente dhe tha se dokumenti është “me autorësi amerikane”, por “bazuar në kontributin” e të dyja palëve, Rusisë dhe Ukrainës.
Reagimi i tij u dha teksa po udhëtonte drejt Gjenevës për bisedime me zyrtarë ukrainas dhe evropianë të sigurisë lidhur me planin, të cilin presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar që Kievi ta pranojë sa më shpejt.
Aleatët evropianë të Ukrainës kanë kundërshtuar disa prej pikave kyçe të draftit, i cili nuk është bërë publik, por detajet e tij kanë rrjedhur gjerësisht. Plani thuhet se parasheh tërheqjen e trupave ukrainase nga zonat lindore ku Rusia s’ka arritur të avancojë me forcë, si dhe kufizimin e madhësisë së ushtrisë ukrainase.
Të shtunën, senatori republikan Mike Rounds deklaroi se Rubio u kishte thënë ligjvënësve se drafti nuk ishte politikë zyrtare amerikane. Ai shtoi se plani i ishte paraqitur Steve Witkoffit, i dërguari diplomatik i Trumpit, nga “dikush… që përfaqësonte Rusinë”. Sipas tij, “nuk është rekomandimi ynë dhe as plani ynë i paqes”.
Menjëherë pas këtyre deklaratave, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, i quajti pretendimet e Rounds “plotësisht të rreme”, duke theksuar se Rubio dhe administrata qëndrojnë pas qëndrimit se plani është hartuar nga SHBA-ja me kontribut nga Rusia dhe Ukraina.
Edhe vetë Rubio doli me një postim, duke përsëritur: “Propozimi i paqes është hartuar nga SHBA-ja. Ai bazohet në kontribut nga pala ruse, por edhe në kontributet e mëhershme dhe aktuale nga Ukraina”.
Ndërkohë, presidenti Trump, i cili e ka bërë prioritet arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund konfliktit, tha të shtunën se plani nuk është një “ofertë përfundimtare” për Ukrainën pavarësisht se më herët kishte deklaruar se presidenti Volodymyr Zelensky “do të duhet” ta pranojë atë.