Ushtria amerikane ka bërë të ditur të martën se ka kryer sulme siç ka thënë “në vetëmbrojtje” në jug të Iranit, përfshirë ato ndaj vendeve të lëshimit të raketave dhe anijeve që po vendosnin mina në Ngushticën e Hormuzit.
Veprimi ka ndodhur pak orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, kishte shkruar në rrjetet sociale se negociatat me Teheranin zyrtar “po ecin mirë”.
“Forcat amerikane kryen sulme vetëmbrojtëse në Iranin jugor sot për të mbrojtur trupat tona nga kërcënimet e paraqitura nga forcat iraniane...Komanda Qendrore e SHBA-së vazhdon të mbrojë forcat tona duke treguar përmbajtje gjatë armëpushimit në vazhdim”, ka thënë zëdhënësi i Komandës Qendrore, Tim Hawkins.
Detaje të mëtejshme nuk janë bërë të ditura menjëherë nga Komanda, përfshirë specifika mbi kërcënimet nga Irani dhe çfarë nënkupton kjo për negociatat.
Ministria e Jashtme e Iranit ka reaguar duke thënë se sulmet e SHBA-së në provincën jugore Hormozgan të Iranit, përfaqësonin siç ka thënë një “shkelje të rëndë” të armëpushimit të brishtë i cili është në fuqi për gati shtatë javë.
Edhe
Udhëheqësi suprem i Iranit thotë se SHBA-ja s’do të ketë më strehë të sigurt në rajonin e Gjirit
“Shtetet e Bashkuara kryen një shkelje të rëndë të armëpushimit në rajonin Hormozgan në 48 orët e fundit. Irani e mban regjimin amerikan përgjegjës për të gjitha pasojat që vijnë nga këto veprime agresive dhe të pajustifikuara”, ka deklaruar ministri i Jashtëm, Abbas Araghchi.
Ditëve të fundit të dyja palët kishin bërë përparim në një memorandum mirëkuptimi që mund të ndalonte luftën dhe të rikthente transportin detar përmes Ngushticës së Hormuzit të bllokuar, për të vazhduar me një hapësirë 60-ditore që negociatorët të diskutonin çështjet më komplekse, përfshirë programin bërthamor të Iranit.
Pas sulmeve kundër objektivave për të cilat SHBA-ja ka thënë se përfshinin disa vende, Sekretari Rubio u ka thënë gazetarëve gjatë një udhëtimi, se Ngushtica e Hormuzit duhet të jetë e hapur “në një mënyrë ose në tjetrën”.
Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump, kishte thënë më parë se çdo marrëveshje për t’i dhënë fund luftës me Iranin duhet të përfshijë një kërkesë që disa vende të tjera, përfshirë Arabin Saudite dhe Pakistan, t’i bashkohen “Marrëveshjeve të Abrahamit”, marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga SHBA-ja gjatë mandatit të parë të Trumpit për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin.
Edhe
SHBA-ja kryen sulme të reja ndërsa Irani mbyll Ngushticën e Hormuzit
Trumpi ka përmendur Arabinë Saudite dhe Katarin si vende që duhet “menjëherë” t’i bashkohen marrëveshjeve.
Bahraini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë ndër vendet që ishin bashkuar në vitin 2020, duke njohur diplomatikisht Izraelin.
Irani thotë se SHBA-ja ka shkelur armëpushimin
Ministria e Jashtme e Iranit ka thënë se SHBA-ja ka shkelur armëpushimin në rajonin Hormozgan pranë ngushticës së Hormuzit.
Ministria ka thënë në një deklaratë se Irani do të përgjigjet dhe nuk do të hezitojë të mbrohet.
Ushtria amerikane kreu sulme të hënën në Iranin jugor kundër objektivave, duke përfshirë anije që përpiqeshin të vendosnin mina dhe vende për lëshimin e raketave, në ato që i ka përshkruar si veprime mbrojtëse.
"Shtetet e Bashkuara kryen një shkelje të rëndë të armëpushimit në rajonin Hormozgan në 48 orët e fundit. Irani e mban regjimin amerikan përgjegjës për të gjitha pasojat që vijnë nga këto veprime agresive dhe të pajustifikuara", thuhet në deklaratën e ministrisë së Jashtme të Iranit.
Sulmet e reja amerikane vijnë në kohën kur administrata Trump thotë se janë bërë përparime të mëdha në negociatat për të arritur një marrëveshje për fundin e luftës.
Teherani zyrtar ka thënë se ka përparime mirëpo sipas tij, marrëveshja nuk është afër të ndodhë.
Udhëheqësi suprem i Iranit thotë se SHBA-ja s’do të ketë më strehë të sigurt në rajonin e Gjirit
Vendet e Lindjes së Mesme "nuk do të shërbejnë më si mburoja për bazat amerikane", ka thënë të martën Udhëheqësi Suprem iranian, Mojtaba Khamenei.
Në një fjalim me shkrim për të shënuar sezonin e Haxhit Islamik, Khamenei ka folur për një "rend të ri" që po del për rajonin e Gjirit dhe botën.
"Shtetet e Bashkuara jo vetëm që nuk do të kenë më një strehë të sigurt për keqbërjet e tyre dhe për krijimin e bazave ushtarake në rajon, por dita-ditës, po largohen gjithnjë e më shumë nga statusi i tyre i mëparshëm", ka thënë Khamenei.
Në mesazh, Khamenei ka thënë po ashtu se Izraeli dhe udhëheqësit e tij po "i afrohen fazave të fundit të ekzistencës së tyre të mjerë".
Më shumë se 10 javë pasi ai u shpall si udhëheqësi i ri suprem i Iranit pas vrasjes së babait të tij Ali Khamenei, iranianët ende nuk e kanë parë ose dëgjuar Khamenein, por ai ka lëshuar disa mesazhe me shkrim.
Mesazhi i fundit i Khameneit vjen ndërsa SHBA-ja dhe Irani përpiqen të gjejnë një zgjidhje për formulimin e një marrëveshje të mundshme për t'i dhënë fund luftës, e cila filloi në fund të shkurtit.