Botë

Rusia liron studiuesin politik francez në shkëmbim të burgosurish për një basketbollist

Laurent Vinatier

Foto: Associated Press

Laurent Vinatier, studiues politik francez i cili vuante dënim trevjeçar në Rusi dhe përballej me akuza të reja për spiunazh, është liruar në një shkëmbim të burgosurish mes  Francës dhe Rusisë, njoftoi të enjten Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB), transmeton agjencia “AP”. 

Në këmbim basketbollisti rus Daniil Kasatkin, i burgosur në Francë dhe për të cilin Shtetet e Bashkuara kishin kërkuar ekstradimin, u lirua dhe u kthye në Rusi të enjte, tha  FSB-ja.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve “TASS” publikoi atë që tha se ishte pamje e FSB-së, ku Vinatier shihet i veshur me një kostum sportiv të zi dhe xhaketë dimri, duke u informuar për lirimin e tij, ndaj të cilit ai tha “faleminderit” në rusisht. Ai u transportuar me makinë dhe hipi në një avion pasi Kasatkin zbriti prej tij. Nuk ishte menjëherë e qartë se kur ishte filmuar videoja.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha të enjten pasdite se “bashkëqytetari ynë Laurent Vinatier është i lirë dhe është kthyer në Francë” në një postim në X, duke shprehur “lehtësim” dhe “mirënjohje” ndaj stafit diplomatik për përpjekjet e tyre.

Vinatier u arrestua në Moskë në qershor 2024. Autoritetet ruse e akuzuan atë se nuk ishte regjistruar si “agjent i huaj” ndërsa mblidhte informacion mbi “aktivitetet ushtarake dhe ushtarako-teknike” të Rusisë që mund të përdoreshin në dëm të sigurisë kombëtare. Një gjykatë e dënoi atë me tre vjet burgim.

Vitin e kaluar, Vinatier u akuzua gjithashtu për spiunazh, sipas FSB-së — një vepër penale e dënueshme me nga 10 deri në 20 vjet burgim në Rusi.

Studiuesi është falur nga presidenti rus Vladimir Putin, tha FSB-ja.

Putin kishte premtuar se do ta shqyrtonte çështjen e Vinatier pasi një gazetare franceze e pyeti gjatë konferencës së tij vjetore për shtyp më 19 dhjetor nëse familja e Vinatier mund të shpresonte për një falje presidenciale ose lirimin e tij në një shkëmbim të burgosurish. Presidenti rus tha në atë kohë se nuk dinte “asgjë” për këtë.

Disa ditë më vonë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se Rusia kishte bërë “një ofertë për francezët” lidhur me Vinatierin.

Vinatier është këshilltar për Centre for Humanitarian Dialogue, një organizatë joqeveritare me seli në Zvicër, e cila tha në qershor 2024 se po bënte “gjithçka të mundur për ta ndihmuar” atë.

Akuzat për të cilat ai u dënua lidhen me një ligj që kërkon që kushdo që mbledh informacion mbi çështje ushtarake të regjistrohet pranë autoriteteve si “agjent i huaj”.

Aktivistët për të drejtat e njeriut e kanë kritikuar këtë ligj dhe legjislacion tjetër të miratuar së fundmi si pjesë e një goditjeje nga Kremlini ndaj mediave të pavarura dhe aktivistëve politikë, me qëllim shtypjen e kritikave ndaj luftës në Ukrainë.

Vitet e fundit, Rusia ka arrestuar një numër të huajsh — kryesisht amerikanë — me akuza të ndryshme penale dhe më pas i ka liruar ata në shkëmbime të burgosurish me Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore.

Shkëmbimi më i madh që nga Lufta e Ftohtë ndodhi në gusht 2024, kur Moska liroi gazetarët Evan Gershkovich dhe Alsu Kurmasheva, bashkë me amerikanin Paul Whelan dhe disidentë rusë, në një marrëveshje shumëkombëshe që liroi dhjetëra njerëz.

Mediat ruse raportuan për arrestimin e Kasatkinit verën e kaluar. Agjencia e lajmeve “Interfax” raportoi se ai u ndalua në një Aeroport të Parisit me kërkesë të SHBA-së, ku autoritetet dyshonin se Kasatkin ishte i përfshirë me një grup “ransomware”.