Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se Irani "nuk është serioz për bisedimet", gjatë fjalës së tij hyrëse në takimin e ministrave të jashtëm të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), të mbajtur të mërkurën në Manila të Filipineve.
"SHBA-ja është gjithmonë e përkushtuar ndaj diplomacisë. Ne jemi të hapur dhe gjithmonë të gatshëm të angazhohemi, të negociojmë dhe t'i zgjidhim mosmarrëveshjet”, ka deklaruar Rubio.
Ai ka shtuar se "problemi që kemi aktualisht (me Iranin) është se ata nuk janë seriozë për bisedimet.
Nëse ata janë seriozë, edhe ne jemi. Nëse jo, atëherë ne do të bëjmë atë që është e nevojshme për të mbrojtur interesat tona, si dhe interesat e aleatëve tanë”.
Rubio ka paralajmëruar për krijimin e një "precedenti të rrezikshëm" nëse Irani do të lejohej të kontrollonte Ngushticën e Hormuzit, duke thënë se ata "nuk e kanë, sipas asnjë mekanizmi ligjor ekzistues", të drejtën për të kontrolluar lëvizjen e trafikut nëpër këtë rrugë ujore ndërkombëtare.
“Në lojë është parimi themelor i lirisë së lundrimit", ka deklaruar Rubio.
Edhe
Rubio: SHBA-ja është e hapur për diplomaci por u përgjigjet sjelljeve të Iranit
"Nëse ky parim kërcënohet, atëherë mendoj se kërcënohet edhe ekonomia globale, si dhe rregullat që kanë mbështetur 150 vjet tregti ndërkombëtare”, ka deklaruar ai.
Ngushtica e Hormuzit ishte plotësisht e hapur për kalim të lirë dhe të sigurt para se SHBA-ja dhe Izraeli të sulmonin Iranin në shkurt, në fillim të konfliktit.
Irani e sheh kontrollin e kësaj rruge ujore si mjetin e tij më të vlefshëm presioni në negociata dhe, gjatë javëve të fundit, ka qëlluar vazhdimisht ndaj anijeve që, sipas tij, nuk kishin komunikuar me autoritetet iraniane para se të kalonin aty.