Botë

Rriten tensionet, Hungaria dëbon dy diplomatë ukrainas pas akuzave për spiunazh

Ministri i Punëve të Jashtme i Hungarisë, Peter Szijjarto

Ministri i Punëve të Jashtme i Hungarisë, Peter Szijjarto

Foto: Associated Press

Ministri i Punëve të Jashtme i Hungarisë, Peter Szijjarto, ka deklaruar të premten se ka dëbuar, sipas tij, “dy spiunë që punojnë nën petkun e misionit diplomatik të ambasadës së Ukrainës në Budapest”, ka raportuar The Guardian.

Szijjarto e ka cilësuar vendimin e Ukrainës për të arrestuar dy ish-ushtarakë nën akuzat e spiunazhit në favor të Hungarisë si “fushata e fundit e shpifjeve”, tek ka shtuar përmes një videoje në rrjetin social Facebook se “ne nuk do të tolerojmë lëshimin e vazhdueshëm të fushatave shpifëse kundër Hungarisë dhe komunitetit hungarez në Ukrainë”.

Bazuar në regjistrimin zyrtar të popullsisë në vitin 2001, rreth 150 mijë hungarezë etnikë jetojnë në rajonin e Zakarpattia në pjesën perëndimore të Ukrainës.

Më herët gjatë ditës, Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës pati njoftuar se ka arrestuar dy të dyshuar në lidhje me një rrjet të spiunazhit të përkrahur nga Hungaria. Dy personat e ndaluar, janë ish-anëtarë të forcave të armatosura të Ukrainës, e tashmë përballen me akuza për tradhti ndaj shtetit, vepër penale kjo që dënohet me burgim të përjetshëm.