Rusia dhe Kina kanë thënë të mërkurën se planet e presidentit amerikan, Donald Trump, për mburojën raketore “Kupola e Artë” kërcënojnë stabilitetin strategjik, dhe se Washingtoni ka vepruar në mënyrë të papërgjegjshme duke mos punuar për zëvendësim të një traktati historik bërthamor.
Kritika u bë në një deklaratë të përbashkët pasi takimit mes presidentit kinez, Xi Jinping dhe atij rus, Vladimir Putin të mërkurën në Pekin.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Kupola e Artë” parashikon zgjerimin e mbrojtjes tokësore, si raketat interceptuese, sensorët dhe sistemet e komandës dhe kontrollit, ndërsa shton edhe elemente hapësinore të projektuara për të zbuluar, gjurmuar dhe potencialisht për të rrëzuar kërcënimet hyrëse nga orbita. Këto do të përfshinin rrjete të avancuara satelitore dhe armë orbitale.
“Palët besojnë se projekti amerikan ‘Kupola e Artë’, i cili synon të ndërtojë një sistem të pakufizuar, shumënivelësh, shumëdimensional dhe global të mbrojtjes raketore për të shkatërruar të gjitha llojet e raketave, përfshirë raketat e të gjitha llojeve të ‘kundërshtarëve të barabartë’, në të gjitha fazat e fluturimit të tyre dhe para se ato të lëshohen, përbën një kërcënim të qartë për stabilitetin strategjik”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
“Këto plane bien plotësisht në kundërshtim me parimin kyç të ruajtjes së stabilitetit strategjik, i cili kërkon ndërlidhjen midis armëve strategjike sulmuese dhe atyre mbrojtëse”, thekson më tej deklarata.
Kina dhe Rusia kanë thënë gjithashtu se shprehin keqardhje për “politikën e papërgjegjshme” të Shteteve të Bashkuara, e cila lejoi që traktati i kontrollit të armëve bërthamore New START i vitit 2010 të skadonte në fillim të këtij viti, pa një marrëveshje zëvendësuese.
Rusia ka thënë se mbështet qëndrimin e Kinës për të mos marrë pjesë në bisedime të mundshme SHBA-Rusi për kontrollin e armëve bërthamore.
Rusia dhe Kina deklaruan gjithashtu se disa fuqi bërthamore të paidentifikuara kanë plane për të vendosur raketa tokësore me rreze të mesme dhe të shkurtër veprimi, gjë që përbën kërcënim për shtete të tjera.
Ato thanë se përpjekjet e disa shteteve për të pozicionuar “sulme raketore parandaluese ose preventive me qëllim goditjen dhe çarmatosjen e armikut” janë shumë destabilizuese dhe paraqesin kërcënim strategjik.
Ndërkohë, Rusia ka publikuar të mërkurën pamje që tregojnë trupa të saj duke transportuar koka bërthamore drejt sistemeve lëvizëse të raketave Iskander-M, duke i ngarkuar ato dhe duke i zhvendosur drejt vendeve të lëshimit, si pjesë e një stërvitjeje të madhe bërthamore në Rusi dhe Bjellorusi.