Punësimi i emigrantëve në Bashkimin Evropian ka arritur një nivel rekord në vitin 2025, duke ngushtuar hendekun me punonjësit vendas, por duke lënë ende të pashfrytëzuar një potencial të konsiderueshëm të fuqisë punëtore, sipas një raporti të Fondacionit ROCKWOOL Berlin (RFBerlin) të parë nga Reuters të enjten.
Norma e punësimit te emigrantët është rritur në 68,2% vitin e kaluar, nga 67,8% në vitin 2024, sipas studimit të Qendrës për Kërkim dhe Analizë të Migracionit (CReAM) pranë RFBerlin, bazuar në të dhënat e Eurostat-it.
"Përqindja e emigrantëve të punësuar ka ardhur duke u rritur prej vitesh dhe shifrat janë afër atyre të popullsisë vendase”, ka thënë Tommaso Frattini, zëvendësdrejtor i CReAM.
Përmirësimi më i madh është vënë re te emigrantët që nuk vijnë nga BE-ja. Norma e tyre e punësimit është rritur me 6,6 pikë përqindjeje midis viteve 2017 dhe 2025, duke kaluar nga 59,4% në 66% dhe duke ngushtuar kështu diferencën me popullsinë vendase.
Norma e punësimit është rritur gjithashtu te emigrantët nga vendet e BE-së, duke shkuar nga 71,1% në 74,8%. Ndërkohë, te personat që punojnë në vendin e tyre të lindjes, kjo normë është rritur nga 67,2% në 71,6% gjatë së njëjtës periudhë.
Megjithatë, situata ndryshon ndjeshëm nga njëri vend në tjetrin. Punësimi i emigrantëve që nuk vijnë nga BE-ja është veçanërisht i lartë në Maltë, Republikën Çeke dhe Irlandë, por shumë më i ulët në Belgjikë dhe Finlandë.
Edhe
Gjithnjë e më nxehtë – klima e re e Evropës
Në Gjermani, kjo normë qëndron në 66,1%, krahasuar me 79,6% te popullsia vendase, sipas studimit.
Raporti thekson se diferencat e mbetura përqendrohen te gratë emigrante që nuk vijnë nga BE-ja dhe te emigrantët me arsim të lartë.
“Sot, sfida nuk është më thjesht përfshirja e emigrantëve në tregun e punës, por te të siguruarit që aftësitë e tyre të shfrytëzohen plotësisht”, ka thënë Christian Dustmann, drejtor i RFBerlin.