Është rrënuar të enjten shtëpia në “Rrugën A” në Prishtinë, e cila, sipas autoriteteve, paraqiste rrezik të lartë shembjeje. E familja që banonte aty ka thënë se prej këtij momenti do t'ia lënë drejtësisë të vendosë.
Rrënimi ishte planifikuar të realizohej të martën, por u shty pasi pronari i objektit, Faruk Maxhuni, refuzoi të largohej nga shtëpia.
Maxhuni dhe bashkëshortja e tij kanë kundërshtuar vazhdimisht vendimin për rrënimin e objektit, duke deklaruar se më herët kishin njoftuar Policinë dhe Inspektoratin e Komunës së Prishtinës se ndërtimi i ndërtesave të reja në këtë lagje po e rrezikonte stabilitetin e shtëpisë së tyre. Ata kanë kërkuar kompensim para rrënimit.
Gjatë rrënimit, bashkëshortja e Farukut, Shqipe Berisha-Maxhuni, në një prononcim për media ka thënë se kjo çka po ndodh është padrejtësi e madhe, derisa ka shprehur besim te drejtësia.
“Qe një vit e ngre zërin. E dinë të vërtetën të gjithë nga ana ime. Kjo çka po ndodh sot është padrejtësi shumë e madhe. E drejta e banimit është e garantuar me ligj dhe Kushtetutë. Sot m’u cenua kjo e drejtë. Prej këtij momenti, ia lë në dorë drejtësisë. I besoj drejtësisë”, ka thënë ajo.
Për këtë çështje reagoi një ditë më parë edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka thënë se objekti ishte ndërtuar pa leje dhe ndodhej në pronë komunale.
Edhe
Rama: Shtëpia te Rruga A është ndërtuar pa leje dhe në pronë komunale
Sipas Ramës, familjet që banonin në objektet e kësaj zone janë evakuuar para dy vjetësh për shkak të punimeve në “Rrugën A” dhe rrezikut nga rrëshqitja e dheut.
“Edhe pse këto objekte kanë qenë të ndërtuara pa leje në pronë komunale, Kryeqyteti ka paguar dhe vazhdon të paguajë shpenzimet e qirasë për familjet e evakuuara. Lusim personin në fjalë që të mos rrezikojë jetën e tij dhe të ekipeve tona duke hyrë në këtë zonë, e cila mbetet e rrezikshme për shkak të punimeve dhe është pronë komunale. Pajtohem me ata që thonë se prona është e shenjtë. E tillë është edhe kjo pronë, e cila është në pronësi të Komunës dhe meriton të njëjtin respekt dhe mbrojtje sipas ligjit”, ka deklaruar Rama.
Shtëpia qe dëmtuar pas punimeve për hapjen e “Rrugës A”.


-
Qytetarët kërkojnë vlerësim e kompensim për shtëpitë e shembura në Rrugën A
-
Shtëpia drejt rrëshqitjes totale në vend të rrënimit nga Komuna e Prishtinës
-
Në Prishtinë po intervenohet për largimin e rrezikut në ndërtesat e banimit
-
Rama: Kemi nisur lirimin e banesave komunale që janë shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme