Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërmorën sulme të reja ajrore ndaj Iranit në orët e para të së enjtes, ndërsa Teherani u kundërpërgjigj duke shënjestruar Bahrejnin, Kuvajtin dhe Katarin, në një përshkallëzim të ri të konfliktit që rrezikon marrëveshjen e përkohshme të armëpushimit, e cila synonte t’i jepte fund luftës në Gjirin Persik.
Sulmet ndodhën vetëm disa orë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se sulmet e fundit iraniane ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit shënuan fundin e armëpushimit të brishtë. Të mërkurën, forcat amerikane goditën një sërë objektesh ushtarake dhe infrastrukturë portuale në Iran, pasi Teherani kishte sulmuar disa anije tregtare pranë brigjeve të Omanit.
Megjithatë, sulmet e së enjtes u konsideruan më të gjera. Sirenat e alarmit u dëgjuan të paktën dy herë në Bahrejn, ku ndodhet selia e Flotës së Pestë të Marinës Amerikane. Deri më tani nuk ka raportime të menjëhershme për dëme në Bahrejn, Kuvajt apo Katar.
Ushtria e Kuvajtit bëri të ditur se po ndërhynte në mënyrë aktive për të neutralizuar dronët dhe raketat hyrëse, ndërsa Garda Revolucionare e Iranit mori përgjegjësinë për sulmet ndaj Bahrejnit dhe Kuvajtit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo
Nga ana tjetër, Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane (CENTCOM) njoftoi se ka goditur rreth 90 objektiva në territorin iranian, duke publikuar pamje që sipas saj tregojnë sulme ndaj pistave të aeroporteve dhe lëshuesve të raketave.
“Forcat amerikane mbeten vigjilente, me kapacitete vdekjeprurëse dhe të gatshme për të kryer operacionet e urdhëruara nga Komandanti i Përgjithshëm”, thuhet në deklaratën e CENTCOM.
Sipas autoriteteve amerikane, sulmet kishin për qëllim të “dobësonin më tej” aftësinë e Iranit për të kërcënuar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, rrugë strategjike përmes së cilës, para shpërthimit të luftës, kalonte rreth një e pesta e tregtisë botërore të naftës dhe gazit natyror.
Ndërkohë, mediat shtetërore iraniane raportuan shpërthime në disa zona të vendit, përfshirë Bushehrin, ku ndodhet kompleksi i centralit bërthamor iranian, si dhe në qytetet portuale jugore Chabahar, Konarak, Bandar Abbas dhe Sirik.