Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Konstituimi i Kuvendit hyn në afat kushtetues, deputetët përballë 30 ditëve vendimtare

Dhjetë ligje në një seancë

Foto: Ilustrim

Foto: Driton Paçarada

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, nga e enjtja nis afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit.

Deri më 7 gusht, deputetët e rinj kanë kohë për ta konstituuar legjislaturën e njëmbëdhjetë të Kuvendit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Detyrimi buron nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar më 25 qershor të 2025-s, kur pati ngërç në Kuvend.

Neni 66 i Kushtetutës përcakton që “Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve”.

Certifikimi i rezultateve është bërë të mërkurën nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Ndërkaq, bazuar në interpretimin e bërë nga Kushtetuesja, termi “mbajtja” e seancës konstituive nënkupton që ajo të përmbyllet.

Nisjes së afatit 30-ditor i hapi rrugë certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit nga KQZ-ja, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën. 

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radnoniqi, tha se me shpalljen e rezultateve përfundimtare, që u bë para 11 ditëve, certifikimi i tyre ndryshon pasi dy kandidatë të Aleancës kanë hequr dorë nga mandati i fituar si deputet.

“Ndërsa te radhët e Aleancës kemi ndryshim në renditje ku në vend të Ardian Gjinit – zëvendësohet me Bekë Berishën kurse në vend të Daut Haradinajt kemi Burim Ramadanin”, ka thënë Radoniqi.

Bazuar në rezultatin zyrtar: Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 53 mandate, Partia Demokratike 22, Lidhja Demokratike 18 deputetë, Aleanca 7 dhe 20 ulëset e komuniteteve pakicë janë ndarë ndërmjet 11 partive të ndryshme. 

Të 120 deputetët e zgjedhur nga tash hyjnë në një periudhë ku afatet për formimin e institucioneve janë të përcaktuar me kushtetutë.

Nga e enjtja nis afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit. 

Partisë më të madhe, Vetëvendosjes i takon e drejta për propozimin e kryekuvendarit, i cili zgjidhet me shumicë të thjeshtë. Bazuar në aktgjykimin e Kushtetueses, nëse kandidati nuk i merr votat pas tri tentimeve, duhet të propozohet kandidat tjetër. 

Pas këtij hapi, duhet të zgjidhen nënkryetarët që një i takon LVV-së, PDK-së, një LDK-së, një Listës Serbe dhe një komuniteteve të tjera joshumicë.

Kuvendi konsiderohet i konstituuar në momentin që zgjedh kryetarin dhe pesë nënkryetarët.

Me themelimin e parlamentit i hapet rruga krijimit të qeverisë dhe zgjedhjes së presidentit.

Për të nisur afatet për formimin e ekzekutivit duhet së pari që presidenti të mandatojë kandidatin për kryeministër. Pastaj ai ose ajo ka kohë 15 ditë që të marrë besimin e deputetëve.

E për çështjen e presidentit, që nga dita e konstituimit të kuvendit ligjvënësit kanë 60 ditë kohë për ta zgjedhur kreun e shtetit. 

Konstituimi i kuvendit dhe zgjedhja e qeverisë nuk do të jenë problem për Vetëvendosjen, pasi ka fituar 53 mandate dhe nevojiten 61 vota që edhe sipas deklarimeve të zyrtarëve të saj i ka, duke llogaritur në votat e deputetëve të pakicave, pa përfshirë ata të Listës Serbe. 

E për presidentin duhen 80 vota, e që nënkupton se nevojitet edhe pjesëmarrja e PDK-së ose LDK-së.

Zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit ishin të tretat të përgjithshme të mbajtura brenda 1 viti e gjysmë, të cilat u desh të organizohen pasi deputetët e Legjislaturës së dhjetë dështuan të zgjedhin presidentin e ri, pas skadimit të mandatit pesëvjeçar të Vjosa Osmanit.