Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Për katër vjet, mbi 200 mijë persona vdiqën nga i nxehti në Evropë

nxehtë

Mbi 200 mijë persona kanë vdekur si pasojë e temperaturave ekstreme në Evropë gjatë katër vjetëve të fundit, ndërsa shumica e këtyre vdekjeve mund të ishin parandaluar, ka thënë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Sipas OBSH-së, valët e të nxehtit nuk janë më dukuri të rralla klimatike, por janë shndërruar në një krizë të përsëritur që po shkakton vuajtje, po merr jetë njerëzish dhe po vë nën presion sistemet shëndetësore dhe infrastrukturën.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Organizata thekson se numri i viktimave është vetëm një pjesë e problemit, pasi miliona njerëz të tjerë po përballen me pasoja fizike dhe psikologjike nga temperaturat e larta.

OBSH-ja vlerëson se masat individuale, si shmangia e ekspozimit në vapë, mbajtja e ambienteve të freskëta dhe hidratimi i rregullt, ndihmojnë në mbrojtjen e shëndetit, por nuk janë të mjaftueshme për t’u përballur me një problem kaq të gjerë.

Për këtë arsye, organizata ka prezantuar edicionin e dytë të udhëzuesit për planet e veprimit ndaj të nxehtit dhe shëndetit, duke u bërë thirrje vendeve dhe qyteteve që të përgatiten më mirë për valët e të nxehtit.

Sipas OBSH-së, masa të tilla si shtimi i hapësirave të gjelbra në qytete, krijimi i qendrave të freskimit, kujdesi për të moshuarit gjatë periudhave me temperatura të larta, mbrojtja e punëtorëve nga ekspozimi në diell dhe përforcimi i kapaciteteve të institucioneve shëndetësore mund të shpëtojnë mijëra jetë.

“Qëllimi ynë është i qartë dhe ambicioz: zero vdekje të lidhura me temperaturat ekstreme”, thuhet në mesazhin e OBSH-së.