Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Veteranët në marshin e UÇK-së kërkojnë lirimin e ish-krerëve në Hagë: Lufta jonë ishte e drejtë

uck

Foto: Driton Paçarada

Në kuadër të shënimit të Ditës së Çlirimit të Prishtinës, ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të veshur me uniformat e UÇK-së, kanë marshuar nëpër sheshet e kryeqytetit, ndërsa kanë kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Ata deklaruan se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe se ish-drejtuesit e saj po përballen padrejtësisht me procesin gjyqësor në Hagë, ndërsa u shprehen optimistë që ata të kthehen sa më shpejt në Kosovë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Veterani invalid i luftës së UÇK-së, Asllan Doshi, i njohur si zëvendëskomandant Togu, tha se marshi dhe përkujtimi i luftës çlirimtare janë shprehje respekti për veteranët, invalidët dhe të gjithë ata që kontribuuan në çlirimin e vendit.

“Ne e besojmë që lirimi duhet me qenë i menjëhershëm se është domethënë dënim edhe është gjykim i padrejtë i luftës tonë çlirimtare”, tha ai.

Edhe veterani i luftës së UÇK-së, Hajzer Bistrica, kujtoi angazhimin e tij gjatë luftës, duke thënë se ka shërbyer në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që nga ditët e para deri në çlirimin e vendit.

Bistrica tha se ndihet krenar që është dëshmitar i gjallë i sakrificës së luftës dhe se emocionet e kësaj dite janë të papërshkrueshme.

“Kam shërbyer në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës qysh prej ditëve të para deri në ditën e çlirimit. Jam pjesëmarrës që kam bartur armatimin nga Shqipëria në Kosovë që të ju ndihmojë sado pak ushtarëve, të cilët nuk kanë pasur mundësi me marrë rrugën, jemi krenarë për atë periudhë që kemi pasur mundësinë që t’u ndihmojmë ushtarëve tonë që kanë qenë këtu. Jam krenar që sot e arrita edhe jam dëshmitar i gjallë i asaj sakrifice që ka ndodhur”, tha ai.

Duke folur për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, Bistrica tha se ata nuk do të duhej të përballeshin me atë proces dhe se pret kthimin e tyre sa më shpejt në Kosovë.

Komandanti i Zonës së Pestë Operative Llap-Gollak, Islam Kelmendi, tha se uniforma e UÇK-së mbetet simbol i shenjtë për luftëtarët dhe se çdo paraqitje me të zgjon emocionet e kohës së luftës.

Ndërsa, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, falënderoi veteranët e UÇK-së për pjesëmarrjen në marsh, duke thënë se aktiviteti u organizua në shenjë përkujtimi të sakrificës së dëshmorëve dhe familjeve që kontribuuan për lirinë e vendit.

“I falënderoj shumë veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që sot na u bashkuan. Kemi bërë një marsh si shenjë e përkujtimit të sakrificës së madhe, të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe të secilit dëshmor, të secilës familje që ka sakrifikuar çdo gjë që sot ta kemi lirinë, demokracinë, që sot të bëhemi bashkë e të planifikojmë për të ardhmen e vendit tonë. Urime 11 Qershori, Dita e Çlirimit të kryeqytetit! Faleminderit shumë veteranëve! Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe familjeve që kanë dhënë çdo gjë që sot të jemi të lirë e ta festojmë këtë ditë të mrekullueshme në paqe”, tha Rama.

Lexo përditësimet tjera
rama

Prishtina shënon Ditën e Çlirimit, theksohet se liria e fituar duhet të shoqërohet me përgjegjësi

Në shënim të 27-vjetorit të çlirimit të Prishtinës, Kuvendi Komunal mbajti seancë solemne, ku morën pjesë...