Botë

Beteja e nënës së pengut të vrarë izraelit për të pasur trashëgimtar me spermën e tij

Iris Haim

Foto: Associated Press

“Si popull i Izraelit, duhet ta kuptojmë sot se, pas 7 tetorit, ne duhet të vazhdojmë të rritemi – për t’u treguar armiqve tanë se rruga jonë, kjo vazhdimësi e jetës sonë këtu në këtë vend, dhe në përgjithësi, është përmes krijimit të jetës së re”, ka thënë Iris Haim, nëna e pengut izraelit, Yotam Haim, i cili u vra përderisa mbahej në Gaza. Në total, 205 pengje janë kthyer deri më tani, nga të cilët 148 janë liruar të gjallë, ndërsa 57 janë kthyer të vdekur, sipas Zyrës së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu. Shumica e tyre kishin vdekur prej javësh, në mos muajsh, gjë që e bënte spermën e tyre të papërdorshme – përveç rastit të Yotamit. Pikërisht këtu nëna e tij e ka parë një mundësi të papritur për të pasur nipin apo mbesën e parë

“Diçka mund të lindë nga gjithçka – nëse ti e dëshiron”, ka thënë Iris Haim, nëna e Yotamit, i cili u vra përderisa ishte peng në Gazë. Këto fjalë po e ndihmojnë atë të jetë shpresëplotë.

Fillimi i ri për të cilin Haim tani ëndërron është një nip ose mbesë – nga sperma që ajo e ruajti nga trupi i Yotamit pas kthimit të tij në shtëpi në dhjetor të 2023-tës.

“Po, ndodhi një katastrofë”, ka thënë Haim, 59 vjeçe, për CNN-in nga qyteti izraelit, Mevaseret Zion, disa kilometra në perëndim të Jerusalemit. “Por ajo nuk më kontrollon mua”.

Yotam, 28 vjeç, u rrëmbye nga militantë të udhëhequr nga Hamasi nga kibuci Kfar Aza më 7 tetor të 2023-tës. Pas 65 ditësh në robëri, ai u qëllua gabimisht nga trupat izraelite më 15 dhjetor 2023, së bashku me dy pengje të tjera – Alon Shamriz dhe Samer Talalka – teksa përpiqeshin të arratiseshin nga robërit e tyre në veri të Gazës.

Yotam është i vetmi peng izraelit për të cilin dihet se sperma i është ruajtur pas vdekjes, dhe familja e tij po lobon për ta përdorur atë për të sjellë në jetë një fëmijë.

Haim ka thënë se Yotam, i cili ishte beqar në kohën e vdekjes së tij, gjithmonë kishte dëshirë të kishte fëmijë. 

“Yotam e dëshironte me të vërtetë këtë – fliste shpesh për të”, ka thënë ajo.

Në total, 205 pengje janë kthyer deri më tani, nga të cilët 148 janë liruar të gjallë, ndërsa 57 janë kthyer të vdekur, sipas Zyrës së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu. Shumica e tyre kishin vdekur prej javësh, në mos muajsh, gjë që e bënte spermën e tyre të papërdorshme – përveç rastit të Yotamit. Pikërisht këtu nëna e tij e ka parë një mundësi të papritur për të pasur nipin apo mbesën e parë.

Sipas qeverisë izraelite, gjasat më të larta për të nxjerrë spermë të përdorshme janë brenda 24 orëve të para pas vdekjes, teksa afati maksimal është 72 orë.

Aktualisht, 50 pengje izraelite mbahen në Gaza, prej të cilëve besohet se të paktën 20 janë ende gjallë. Si Hamasi ashtu edhe Izraeli kanë pranuar propozimin e ri për armëpushim dhe negociatat indirekte për marrëveshje kanë rifilluar, duke rritur shpresat se më shumë pengje mund të kthehen së shpejti në shtëpi.

Territor i panjohur

Haim e ka kujtuar me dhimbje momentin kur autoritetet izraelite erdhën në shtëpinë e saj për t’i treguar për vdekjen e të birit. “Yotam është vrarë. Nga zjarri miqësor. Teksa po ikte nga robëria e Hamasit. U identifikua gabimisht si terrorist”, ka rikujtuar ajo fjalët që ia thanë oficerët.

“Katër fjali që nuk do t’i harroj kurrë”, ka deklaruar ajo për CNN-in.

Gjysmë ore pasi i dhanë lajmin për vdekjen e Yotamit, një nga oficerët iu afrua dhe i pëshpëriti te veshi se ajo mund ta kërkonte tërheqjen e spermës. 

Sperma e Yotamit u sigurua brenda afatit të kërkuar. U morën dhjetë mostra – “mjaft për pesë fëmijë”, ka kujtuar Haim, fjalët që i kishte thënë mjeku që e finalizoi procedurën.

Haim tani përballet me një betejë të vështirë për të marrë miratimin që të përdorë spermën e të birit për të sjellë në jetë një nip apo mbesë. Nëse arrin të ketë sukses, sfida e radhës do të jetë të gjejë një grua që të kujdeset dhe ta rrisë fëmijën.

Sperma mbijeton për kohë relativisht të shkurtër pas vdekjes, prandaj mjekët mund ta nxjerrin atë nga indi testikular. Çdo qelizë e gjallë që gjendet, transferohet dhe ruhet në azot të lëngshëm.

Megjithatë, asnjë nga këto mostra nuk mund të përdoret pa miratimin e gjykatës familjare – dhe është pikërisht aty ku Haimi po përballet tani me një sfidë të madhe ligjore për të vazhduar trashëgiminë e të birit.

Në Izrael, nxjerrja e spermës nga një trup i pajetë lejohet, por nuk ekziston ndonjë ligj që e përcakton qartë procesin e përdorimit të saj për qëllimin e krijimit të pasardhësve.

“Në sistemin izraelit, nuk kemi ligj të posaçëm për këtë procedurë”, ka thënë Nily Shatz, avokatja e Iris Haim, tek ka shtuar se gjykatat familjare kanë miratuar përdorimin pas vdekjes të spermës nga prindërit e të ndjerit në vetëm dy raste në të kaluarën; megjithatë, rasti i dytë u përmbys më vonë pas një apelimi të bërë nga shteti. 

“Të gjitha rastet e tjera janë refuzuar”, ka treguar ajo.

Rasti i parë, sipas Shatz, ishte ai i një gruaje që pas viteve të tëra betejash ligjore arriti të bëhej gjyshe pasi dëshmoi se i biri, i vrarë në Gaza në vitin 2002, dëshironte të kishte fëmijë. 

Megjithatë, gjykata pati deklaruar asokohe se vendimi nuk duhet të shihej si precedent, duke thënë se ligjvënësit duhet të vendosin për këtë çështje në të ardhmen. Rasti i dytë ishte ai i një çifti që ende po lufton në gjykatë për të pasur një nip apo mbesë nga sperma e të birit të ndjerë, i cili vdiq në vitin 2012.

Javën e kaluar, pas intervistës së CNN-it me Shatzin, një gjykatë në Eilat i dha leje në parim për Sharon Eisenkot që të përdorë spermën e djalit të saj Maor – ushtar i vrarë në Gaza në vitin 2023 – për të pasur një nip apo mbesë nëpërmjet një nëne surrogate. 

“Nëse paraqitet një kërkesë specifike në lidhje me identitetin e gruas që do të bartë embrionin e fertilizuar me spermën e Maorit, ajo do të kërkojë miratimin e gjykatës”, thuhet në vendimin e së enjtes. 

Siç është praktikë e zakonshme në gjykatat familjare, emrat e plotë të personave të përfshirë nuk bëhen publikë, porse gjykata e referoi CNN-in te ky vendim.

Kujdesi i skajshëm

Meirav Ben-Ari, një ligjvënëse në parlamentin izraelit (Knesset), po shtyn përpara një projektligj që lejon zyrtarisht anëtarët e familjes të përdorin spermën e ruajtur, edhe nëse i ndjeri nuk ka shprehur qartë dëshirën për të pasur fëmijë pas vdekjes, për sa kohë që mund të provohet se ai do ta kishte dashur një gjë të tillë.

Ben-Ari i ka thënë CNN-it se projektligji “nuk po ecën përpara tani, sepse koalicioni (qeverisës) e kundërshton atë, kryesisht partitë fetare”.

Koalicioni i kryeministrit Netanyahu përbëhet nga disa prej partive më fetare konservatore që kanë qenë ndonjëherë në pushtet në Izrael, përfshirë grupacione ultra-ortodokse dhe të djathta ekstreme sioniste-fetare, të cilat po ndikojnë ndjeshëm në strukturën ligjore dhe shoqërore të vendit.

Shatz, avokatja e Haimit, ka thënë se pas tmerrit të 7 tetorit, ka ardhur koha që parlamenti të miratojë një ligj për këtë çështje, veçanërisht duke marrë parasysh se familjet e qindra ushtarëve të rënë tashmë po nxjerrin spermën e të ndjerëve.

Pavarësisht se Haim ka dëshirë të madhe të bëhet gjyshe, përdorimi i spermës së burrave të ndjerë mbetet një çështje e debatueshme në Izrael. Kjo ngre pyetje të thella etike, fetare dhe ligjore, që deputetët ende nuk i kanë adresuar plotësisht.

Për momentin, rastet trajtohen individualisht nga gjykatat familjare, ka shpjeguar avokatja Nily Shatz. Dhe për shkak të mendimeve kundërthënëse brenda qeverisë për këtë praktikë, secili rast shihet e trajtohet me kujdes ekstrem.

Aktualisht, që familjet të përdorin spermën e një anëtari të ndjerë, ata duhet ta bindin gjykatën se i ndjeri dëshironte të kishte fëmijë — madje edhe pas vdekjes.

Familja e Yotamit po përpiqet ta arrijë këtë përmes dëshmive nga të afërmit, miqtë dhe terapisti i tij. Por një provë e tillë, që është e paprekshme dhe e vështirë për t’u dokumentuar, do të jetë e vështirë për shumë familje të tjera.

“Nuk është logjike të presësh që dikush të thotë: ‘Unë dua të kem një fëmijë, edhe nëse largohem nga kjo botë’”, ka thënë Shatz, duke nënvizuar se kjo nuk është diçka që burrat e rinj zakonisht e mendojnë.

Rritje masive e kërkesave pas 7 tetorit

Më parë, në Izrael, nxjerrja e spermës pas vdekjes (PSR – Posthumous Sperm Retrieval) lejohej vetëm për partnerët, nëse të afërmit nuk kundërshtonin. Ndërsa prindërit e të ndjerit duhej të kërkonin leje ligjore. Pas sulmeve të 7 tetorit, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur t’i zbusë disa prej rregullave.

Që atëherë, rastet e nxjerrjes së spermës janë rritur ndjeshëm. Zyrtarë të Ministrisë kanë thënë për CNN-in se janë kryer të paktën 224 nxjerrje sperme nga ushtarë dhe punonjës të sigurisë të rënë në detyrë, si dhe 17 nga civilë të vdekur.

“Në vitet e mëparshme, zakonisht kryheshin rreth 15–20 raste të tilla në vit”, thuhet në deklaratën e Ministrisë.

Mjekë, familje të pikëlluara dhe ekspertë ligjorë i kanë thënë CNN-it se mizoritë e 7 tetorit e kanë bërë më urgjente se kurrë çështjen e ruajtjes dhe përdorimit të spermës, ndërsa shoqëria izraelite po përballet me frikën ekzistenciale për mbijetesën e popullit hebre. 

Zyrtarët izraelitë kanë tërhequr paralele të vazhdueshme mes sulmeve të Hamasit më 7 tetor dhe mizorive naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke përforcuar narrativën se konflikti në Gazë është luftë për mbijetesë.

Për Haimin, sjellja në jetë e një nipi apo mbese është mënyrë për të dëshmuar se Izraeli do të vazhdojë të rritet, pavarësisht masakrës.

“Çdo nënë që i është vrarë fëmija dëshiron të ketë diçka prej tij, jo vetëm fotografi. Ajo dëshiron diçka të prekshme”, është shprehur Haim, me sytë që iu mbushën me lot. 

“Si popull i Izraelit, duhet ta kuptojmë sot se, pas 7 tetorit, ne duhet të vazhdojmë të rritemi – për t’u treguar armiqve tanë se rruga jonë, kjo vazhdimësi e jetës sonë këtu në këtë vend, dhe në përgjithësi, është përmes krijimit të jetës së re”, ka vazhduar ajo.

Hagai Levine, mjek i shëndetit publik dhe drejtues i ekipit shëndetësor në Forumin e Pengjeve dhe Familjeve të Zhdukura, ka thënë për CNN-in se luftërat e fundit të Izraelit kanë bërë që shumë njerëz në vend të fillojnë të “mendojnë për vdekjen, për fatin e tyre, për atë që është më e rëndësishmja për ta”.

“Kjo të detyron të jesh në një situatë të tillë. Kjo është ajo që lufta po na bën”, ka shtuar ai.

Levine është një nga zërat që mbështet idenë që ushtarët të vendosin herët nëse dëshirojnë të kenë fëmijë, dhe që të ruajnë spermën ndërsa janë ende gjallë.

Disa kanë propozuar gjithashtu që ushtarët të lënë pas një ‘testament biologjik’ – deklaratë e cila përcakton dëshirat personale për përdorimin e vezëve ose spermës pas vdekjes, qofshin ato të ruajtura gjatë jetës apo të nxjerra pas vdekjes.

Dilema etike

Nxjerrja e spermës pas vdekjes ngre padyshim çështje komplekse morale, etike, ligjore dhe fetare. Edhe pse teknologjia ka avancuar, kritikët thonë se ligji nuk e ka ndjekur këtë zhvillim.

Sipas ekspertëve, kundërshtimi kryesor vjen nga mungesa e një pëlqimi të qartë nga i ndjeri dhe ideja e sjelljes në jetë të një fëmije që nga fillimi është pa baba.

“Edhe nëse i ndjeri donte të ishte prind sa ishte gjallë, kush thotë se ai donte të kishte një fëmijë pas vdekjes? Nuk është e njëjta gjë”, ka thënë Gil Siegal, drejtues i Qendrës për Mjekësinë Ligjore, Bioetikën dhe Politikat e Shëndetit në Kolegjin Akademik Ono.

“Ti po sjell në botë një fëmijë që e ka të njohur, të emërtuar dhe të vdekur prindin. Kjo ka ndikim të madh psikologjik dhe është ndryshe nga një familje me një prind të gjallë”, ka shtuar Siegal.

Disa kundërshtojnë gjithashtu idenë që një fëmijë të lindë si një monument i gjallë për të nderuar babanë e ndjerë – barrë kjo që fëmija nuk ka zgjedhur ta mbajë.

Në këtë rast, “gjyshërit janë duke kërkuar një ‘përkujtimore’ – si formë nderimi – ose po përpiqen të rikrijojnë diçka që nuk mund të rikrijohet”, ka vazhduar Gil Siegal. Ai ka theksuar edhe dimensionin fetar, tek ka argumentuar se “nxjerrja e spermës është një akt ndërhyrës, dhe në judaizëm ekziston ndalimi i rreptë për shpërfytyrimin e trupit të të vdekurit”.

Për të zbutur këto dilema, Bella Savitsky beson se djemtë e rinj duhet të pyeten qartë nëse duan që sperma e tyre të mund të ruhet pas vdekjes, para se të nisin shërbimin ushtarak. Por ajo e pranon se Ministria e Mbrojtjes mund të jetë e kujdesshme për të mos e zyrtarizuar një praktikë të tillë, nga frika se mund të dëmtojë moralin e trupave.

“Po, ndodhi një tragjedi. Por çfarë tjetër ndodhi?”

Për Iris Haim, pavarësisht vështirësive, beteja për të pasur një nip apo mbesë i jep forcë përballë tragjedisë së 7 tetorit dhe shpresë për të ardhmen.

Në muajin maj, Zyra e Prokurorit të Shtetit në Izrael i kishte dhënë miratimin në parim që Haimi të mund të përdorë spermën e Yotamit – hapi i parë drejt asaj që mund të jetë rrugë e gjatë për të sjellë në jetë një nip apo mbesë. Familja ende duhet të paraqesë prova se Yotam do të kishte dashur një fëmijë, ka thënë avokatja e saj, Nily Shatz.

Haim e përmbyll me reflektim dhe vendosmëri, duke thënë se “në fund, realiteti na ndodhi më 7 tetor. Tani – çfarë do të bëjmë me këtë realitet? Do të qajmë, do të vajtojmë, do të pyesim: pse na ndodhi kjo?”

“Po, ndodhi një fatkeqësi. Pikë. Por çfarë tjetër ndodhi? Edhe shumë gjëra të mrekullueshme ndodhën. Atë po e synoj unë”, ka shtuar ajo.