Eksperti rus, Aleksander Gabuev, drejtor i Qendrës Carnegie për Rusinë dhe Euroazinë në Berlin, analizon për revistën gjermane DER SPIEGEL ndryshimin e retorikës së Donald Trump ndaj Vlladimir Putinit dhe pasojat për luftën në Ukrainë.
Sipas Aleksander Gabuev, Donald Trump, ka ndërruar tonin ndaj Vlladimir Putinit, duke e quajtur retorikën e tij “budallallëk” (“bullshit”) dhe është treguar më pak i gatshëm të përsërisë argumentet e Kremlinit për luftën. Gabuev i tha revistës gjermane DER SPIEGEL se kjo lidhet me frustrimin e Trumpit ndaj kërkesave ekstreme dhe kokëfortësisë së Putinit. Trump ishte i gatshëm të pranonte de fakto pushtimin rus të disa territoreve ukrainase, por refuzoi të ndërpriste ndihmën ushtarake për Ukrainën – një kusht thelbësor për Putinin, i cili dëshiron kontroll të plotë mbi Ukrainën.
Sipas Gabuev, Trump nuk e kupton motivimin imperialist të Putinit. Për Trumpin, lufta është një konflikt që mund të zgjidhet me një “marrëveshje të mirë” (“deal”). Por për Putinin, synimi është nënshtrimi i Ukrainës. Gabuev e përshkruan Trumpin dhe ndërmjetësin e tij Steve Witkoff si njerëz pa përvojë në politikën ndërkombëtare. Putini i ka refuzuar propozimet e Trumpit, gjë që ky i fundit e ka interpretuar si fyerje.
Trump admiroi Putinin për “forcën” e tij dhe shpresonte ta përdorte Rusinë si kundërpeshë ndaj Kinës. Po ashtu, qëndrimi negativ i Trumpit ndaj presidentit ukrainas Vollodimir Zelenski dhe Ukrainës ka luajtur rol. Gabuev thekson se Trump është përpjekur të afrohet personalisht me Putinin, por ky është shumë më kokëfortë nga sa Trump kishte parashikuar.
Së fundmi Trump ka lejuar që vendet evropiane të blejnë armë amerikane për Ukrainën – një ndryshim nga qëndrimi i mëparshëm refuzues. Gabuev e sheh këtë si një qasje cinike dhe të orientuar drejt biznesit. Ai thekson paqartësinë rreth sasisë dhe llojit të armëve të premtuara (për shembull sistemet Patriot). Në çdo rast, Moska nuk pret që këto ndihma të ndryshojnë balancën në terren.
Putini nuk frikësohet nga tarifat ndëshkuese me të cilat është kërcënuar Trumpi, pasi eksportet ruse drejt SHBA janë minimale dhe të pazëvendësueshme në disa sektorë (si plehrat dhe platini). Kremlini nuk beson se SHBA do të zbatojë me të vërtetë tarifa ndaj vendeve që tregtojnë me Rusinë.
Sipas Aleksander Gabuev strategjia e Kremlinit ndaj Trumpit përmban tri plane.
Plani A: Trump pranon kërkesat e Putinit dhe ua imponon Ukrainës dhe Evropës.
Plani B: Trump nuk i pranon, por redukton ndjeshëm angazhimin e SHBA në luftë.
Plani C: SHBA rikthehet në politikën e epokës së Bidenit.
Sipas Gabuev, tani jemi diku mes planit B dhe C. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe të tjerë kanë qenë gjithmonë skeptikë ndaj Trumpit, duke kujtuar se gjatë mandatit të parë ai nuk solli përmirësim real në marrëdhëniet SHBA-Rusi.
Përpjekjet diplomatike të liderëve evropianë si Mark Rutte, Alexander Stubb, Keir Starmer, Emmanuel Macron dhe Friedrich Merz kanë luajtur rol në frenimin e afërsisë Trump-Putin. Megjithatë, zhgënjimi personal i Trumpit nga Putini ka qenë vendimtar.
Aleksander Gabuev paralajmëron se nëse SHBA nxit Ukrainën të sulmojë thellë në territorin rus, Putini mund të reagojë me masa më të ashpra – më shumë sulme ndaj qyteteve ukrainase, furnizim të rebelëve huthi në Jemen me armë për të goditur interesat amerikane në Detin e Kuq apo edhe sulme kundër ambasadave perëndimore në Kiev. Gabuev thekson se këto skenare janë ende hipotetike, por të mundshme në rast përshkallëzimi.
Gabuev e përshkruan luftën si një konflikt rraskapitës në të cilin Putini beson se koha është në anën e tij. Gabuev mendon se vetëm kur ushtria ruse të përballet me humbje masive dhe ngërç, Putini do të jetë i gatshëm të negociojë seriozisht – një situatë që Gabuev e krahason me luftën Iran-Irak. Sipas tij, ky moment nuk do të vijë para vitit 2026.
Gabuev theksoi se Putini nuk është i impresionuar nga Trump dhe ka përgatitur skenarë për çdo sjellje të tij. Ndihma perëndimore për Ukrainën është ende e pamjaftueshme për të thyer vendosmërinë ruse, por ka një ndikim. E ardhmja e luftës varet nga mobilizimi ukrainas, mbështetja e qëndrueshme nga Perëndimi dhe qëndrueshmëria e vetë Trumpit, i cili mbetet një protagonist i paparashikueshëm.
Përgatiti: E.R