Botë

Në kërkim të “trurit amerikan”

SHba - shkencëtar

Shtetet evropiane dhe të tjera gjetkë në botë po shfrytëzojnë politikat e Trumpit, të cilat kanë lënë pa financim mijëra studiues dhe studentë amerikanë, duke u ofruar vende pune, bursa e grante. Udhëheqësit botërorë e kanë quajtur këtë mundësi si “diçka që vjen një herë në shekull”, prandaj përpjekja për ta tërhequr “trurin amerikan” në vendet e tyre është vënë në qendër të politikave arsimore

Ndërkohë që presidenti Trump ka pezulluar miliarda dollarë ndihma federale për institucionet shkencore dhe universitetet, ka kufizuar drejtimet që studentët mund të studiojnë dhe ka filluar me dëbimin e emigrantëve, kombet rivale po shpresojnë të tërheqin studiuesit që janë lënë mënjanë apo refuzuar, ose thjesht janë zhgënjyer.

Për dekada të tëra, përpjekja për të konkurruar me institucionet dhe kompanitë amerikane ka qenë e vështirë. Shtetet e Bashkuara ishin një magnet për studiuesit, shkencëtarët dhe akademikët më të mirë. Në përgjithësi, buxheti ishte më i madh, paga ishte më e lartë, laboratorët dhe pajisjet ishin më të sofistikuara. Kështu ishin edhe ambiciet.

Në vitin 2024, Shtetet e Bashkuara shpenzuan gati 1 trilion dollarë - afërsisht 3.5 për qind të të ardhurave të përgjithshme ekonomike - për studime dhe zhvillim. Kur bëhej fjalë për studimet afatgjate që mbështetnin zhvillimet teknologjike dhe shkencore amerikane, qeveria shpenzonte rreth 40 për qind të të ardhurave.

Kjo është arsyeja pse udhëheqësit politikë, ata të edukimit dhe të biznesit në vendet e zhvilluara dhe me ekonomitë në zhvillim, janë shqetësuar prej kohësh për një ikje “të trurit” nga vendet e tyre. Tani ata po shfrytëzojnë shansin që Trumpi u ka ofruar për ta ndryshuar rrjedhën.

“Kjo është një mundësi që vjen një herë në shekull”, deklaruan nga Instituti Australian i Politikave Strategjike, ndërkohë që ky institut inkurajoi qeverinë që të ndërmerrte veprime.

Javën e kaluar, me rekomandimin e më shumë se dhjetëra anëtarësh, Bashkimi Evropian njoftoi se do të shpenzonte 500 milionë euro shtesë, ose 556 milionë dollarë, gjatë dy vjetëve të ardhshme për ta “shndërruar Evropën në një magnet për studiuesit”.

Një shumë e tillë është e vogël kur krahasohet me buxhetin e SHBA-së. Pra, është e kuptueshme nëse kërkesat e tyre plotësohen duke ua “treguar paratë”.

Në fund të fundit, pagat priren të jenë shumë më të ulëta në Evropë. Në Francë, për shembull, një studiues 35-vjeçar mund të presë të fitojë rreth 3.600 euro (rreth 4 mijë dollarë) në muaj pa taksa, sipas Ministrisë së Arsimit dhe Kërkimit të Francës. Në anën tjetër, një student postdoktoral në Stanford do të fitonte ekuivalentin e rreth 6.000 eurosh (rreth 6.685 dollarë) në muaj në Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, ka interes. Nga 1.600 persona që iu përgjigjën një sondazhi të marsit në revistën “Nature” - shumë prej të cilëve ishin doktorantë ose studentë në Shtetet e Bashkuara – tre nga katër prej tyre thanë se po e mendonin të largoheshin nga vendi për shkak të politikave të administratës Trump.
Dhe rrjeti më i fortë i sigurisë sociale i Evropës mund të kompensojë një pjesë të madhe të diferencës së pagave, tha Patrick Lemaire, presidenti i “College de Sociétés Savantes Académiques de France”, pjesë e një këshilli ndërkombëtar që përfaqëson rreth 50 mijë akademikë në Francë.

“Ka shumë më pak para në Evropë dhe pagat janë shumë më të ulëta”, tha ai. “Por në anën tjetër ju keni gjithashtu sigurim social dhe kujdes shëndetësor shumë të mirë, i cili është falas; shkollimi në shkolla dhe universitete është falas”.

Më poshtë janë të listuara disa nga kushtet e ofruara nga vendet dhe universitetet në mbarë botën për studiuesit dhe studentët amerikanë.

Franca

Përveç Bashkimit Evropian, Franca u zotua të ofrojë para në tryezë javën e kaluar. Presidenti Emmanuel Macron tha se qeveria e tij do të shpenzonte 113 milionë dollarë në një program për të tërhequr studiuesit amerikanë.

Institucione të tjera akademike po ndajnë fondet e tyre. Universiteti “Aix Marseilles” tha se do të shpenzonte deri në 16.8 milionë dollarë për të financuar 15 studiues të huaj. Oferta deri më tani ka tërhequr më shumë se 50 aplikantë, sipas revistës “Science”. Universiteti i Paris-Saclay po përgatitet gjithashtu që të ofrojë pesë pozita të reja pune për studiuesit amerikanë.

Spanja

Diana Morant, ministrja e Shkencës, Inovacionit dhe Universiteteve në Spanjë, tha se qeveria po ndan 45 milionë euro shtesë për të tërhequr shkencëtarët “e lënë anash ose të nënvlerësuar nga administrata Trump”. Programi u ofron studiuesve amerikanë një grant shtesë prej 200 mijë dollarësh në krye të një pakete miliona dollarëshe të ofruar normalisht.

Katalonja, rajoni i begatë verilindor i Spanjës, njoftoi për lansimin e një programi prej 34 milionë dollarësh për të tërhequr studiues amerikanë të cilët “vlerësojnë se liria e tyre akademike është kufizuar”. Dymbëdhjetë universitete do të ofrojnë ndihmë në sponsorizimin e 78 shkencëtarëve “të cilësisë së lartë” nga Shtetet e Bashkuara gjatë tre vjetëve të ardhshëm.

Danimarka

Përmes një postimi në rrjetin Instagram, Brian Mikkelsen, shefi ekzekutiv i Odës Daneze të Tregtisë, bëri këtë apel: “Kjo është një ftesë e drejtpërdrejtë për studiuesit amerikanë”. Njerëzit e talentuar po humbasin punën ose mbështetjen financiare, sepse politika po e lë në hije shkencën, tha ai. “Ne duam që ju ta dini se ka një alternativë. Në Danimarkë, ne e vlerësojmë shkencën. Ne besojmë në fakte”. Ai tha se oda dhe shoqëria e inxhinierëve po kërkojnë të shtojnë 200 pozita të reja pune për studiuesit gjatë tre vjetëve të ardhshëm. Nuk flitej për financim.

Suedia

Johan Pehrson, ministri suedez i Arsimit, organizoi një takim muajin e kaluar me zyrtarë nga nëntë universitete për të diskutuar se si të tërheqin studiuesit amerikanë të pakënaqur. “Për akademikët dhe shkencëtarët amerikanë: Ne kemi nevojë për ju!”, shkroi ministri në rrjetin social X. As ai nuk përmendi ndonjë shumë të caktuar.

Norvegjia

“Liria akademike është nën presion në SHBA”, tha Jonas Gahr Store, kryeministri i Norvegjisë. Qeveria po ofron 100 milionë krona, ose 9.6 milionë dollarë, për të financuar studiuesit amerikanë me përvojë dhe të tjerë ndërkombëtarë vitin e ardhshëm.

Britania e Madhe

Qeveria e Partisë Laburiste thuhet se po planifikon të shpenzojë 50 milionë funta, ose 66 milionë dollarë, për të financuar ndër të tjera edhe zhvendosjen në vendin e tyre të shkencëtarëve ndërkombëtarë.

Kanadaja

Rrjeti Shëndetësor Universitar në Toronto dhe organizata të tjera kanë planifikuar të ndajnë 30 milionë dollarë kanadezë (21.5 milionë dollarë) për të rekrutuar 100 shkencëtarë të rinj nga Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë. Në prill, “University of British Columbia” inicioi “Javën e Aplikantëve të SHBA-së” dhe rihapi afatin për aplikim për disa programe pasuniversitare për t’u dhënë studentëve amerikanë një mundësi tjetër për të aplikuar.

Portugalia

Duke vënë theksin te politikat e administratës Trump, Shkolla e Mjekësisë NOVA e Portugalisë njoftoi se do të ofrojë 2 milionë dollarë shtesë për të mbuluar pagat e “studiuesve ndërkombëtarë të ekselencës” për tri vjet si dhe një pjesë të kostos së zhvendosjes.

Austria

“Rrënimi i lirisë së shkencës dhe demokracisë në SHBA më lë pa fjalë”, tha Eva-Maria Holzleitner, ministrja e Grave, Shkencës dhe Kërkimit, në një video në Instagram. “Ne jemi duke punuar në programet tona për të ofruar një strehë të sigurt për studentët dhe shkencëtarët në rrezik”.
Muajin e kaluar, Austria lansoi portalin e saj kombëtar në “Euraxess — Researchers in Motion”, një platformë e mbështetur nga 43 vende evropiane që ofron një bazë të dhënash të gjerë të ofertave për punë, bursave dhe granteve, si dhe informacione rreth organizimit të një projekti kërkimor në Evropë.

Australia

Akademia e Shkencave e Australisë që nga muaji i kaluar ka filluar të kërkojë studiues të talentuar në nivel global, me presidentin e vendit i cili ka deklaruar se kjo është “një mundësi urgjente dhe e paparë për të tërhequr mendjet më të zgjuara që të largohen nga Shtetet e Bashkuara”. Përmes kësaj thirrjeje janë kërkuar donacione shtesë për të financuar nismën. 

Edhe Irlanda, Belgjika, Koreja e Jugut dhe Kina kanë diskutuar gjithashtu për lansimin e programeve për studiuesit, shkencëtarët dhe studentët e Shteteve të Bashkuara.