Botë

Ministri izraelit: Gaza do të shkatërrohet plotësisht

Bezalel Smotrich

Foto: Associated Press

Ministri izraelit i Financave nga krahu i të djathtës ekstreme, Bezalel Smotrich, ka thënë se Gaza do të shkatërrohet plotësisht, ka raportuar “The Guardian”.

“Gaza do të shkatërrohet plotësisht, civilët do të dërgohen në jug drejt një zone humanitare pa praninë e Hamasit apo terrorizmit dhe prej aty ata do të fillojnë të largohen në masë të madhe nëpër vende të treta”, ka thënë ai gjatë një konference në vendbanimin e pushtuar të Ofras në Bregun Perëndimor.

Smotrich, i cili së fundmi ka thënë se Izraeli nuk do të tërhiqet nga Gaza edhe nëse arrihet ndonjë marrëveshje për pengjet, ka theksuar se shpreson që territori do të aneksohet formalisht gjatë mandatit të qeverisë së tanishme.

Izraeli ka miratuar të hënën planet për të kapur të gjithë Rripin e Gazës dhe për të qëndruar në territor për një kohë të papërcaktuar, kanë thënë dy zyrtarë izraelitë. Nëse lëvizja zbatohet, ajo do të zgjeronte edhe më tej operacionet e Izraelit në territorin palestinez dhe me gjasë do të nxiste kundërshtim të ashpër ndërkombëtar. Ministrat e kabinetit izraelit miratuan planin në një votim herët në mëngjes, disa orë pasi shefi ushtarak izraelit ka thënë se ushtria po thërret dhjetëra mijëra ushtarë rezervë.