Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka biseduar me homologun e tij rus, Vladimir Putin, për herën e parë në tre vjet, në përpjekje për të depërshkallëzuar krizën e Iranit, teksa Teherani zyrtar ka konfirmuar se po i jep fund çdo bashkëpunimi me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, përfshirë ndalimin e inspektorëve të saj të vizitojnë ndonjërën prej impianteve bërthamore iraniane, ka raportuar The Guardian.
Macroni kishte refuzuar të bisedonte me Putinin që prej kur lideri rus kishte urdhëruar pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022, porse Parisi zyrtar ka qenë gjithmonë e më i frustruar se mungesa e komunikimit me Moskën nuk po zgjidh kriza të ndryshme, dhe po i lë ngjarjet diplomatike të ekspozuara ndaj marrëdhënies midis Putinit dhe presidenti amerikan, Donald Trump.
Pas bisedës dyorëshe, një zëdhënës francez ka bërë të ditur se Macroni ishte optimist rreth mundësisë që Rusia të ushtronte presion ndaj Iranit për të rikthyer bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).
Zyrtarët francezë kanë shfaqur gatishmëri për të diskutuar vijën e kuqe të Iranit, sipas së cilës ai duhet të ketë të drejtë të pasurojë uraniumin brenda vendit.
Njëra prej arsyeve se pse Irani i dha fund bashkëpunimit me IAEA, sipas udhëheqësisë së vendit persian, ishte dështimi i agjencisë për të dënuar sulmet e Izraelit kundrejt bazave të tij bërthamore si shkelje flagrante e traktatit të mos-shpërndarjes së armëve bërthamore.
Në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, kanë bërë të ditur se vendimi i Republikës Islamike për të pezulluar bashkëpunimin me IAEA dërgon një “sinjal katastrofal”.
“Për zgjidhje diplomatike është esenciale që Irani të punojë së bashku me IAEA”, kanë thënë zyrtarët gjermanë.
Ndër të tjera, Berlini zyrtar ka njoftuar se ka qenë qysh herët i informuar sa i përket bisedës telefonike mes Macronit dhe Putinit.