Jermaine Thomas, i lindur në një bazë ushtarake amerikane nga një baba shtetas amerikan, u rrit dhe jetoi gjithë jetën në SHBA. Megjithatë, për shkak të boshllëqeve ligjore dhe mungesës së shtetësisë, u deportua në Xhamajkë – një vend ku nuk kishte qenë kurrë. Tani 39 vjeç, ai jeton i pastrehë në Kingston, pa dokumente dhe pa të ardhme të qartë. Historia e tij ngre pikëpyetje të mëdha për trajtimin e personave pa shtetësi në SHBA
I lindur në një bazë ushtarake amerikane, djali i një shtetasi amerikan që shërbente në ushtri, Jermaine Thomas, kurrë nuk e kishte menduar se mund të mos ishte amerikan.
Një muaj më parë, ai u lidh me pranga në kyçet e duarve dhe këmbëve dhe u detyrua të hipte në një avion për në Xhamajkë – vendlindja e babait të tij dhe një vend ku Thomas nuk kishte qenë kurrë më parë.
“Është shumë e vështirë ta përshkruaj me fjalë”, i tha ai CNN-it. “Vetëm mendoja me vete: kjo nuk mund të jetë duke ndodhur vërtet”.
Ai është ligjërisht pa shtetësi. Nuk është shtetas i Shteteve të Bashkuara, ani pse babai i tij ishte shtetas amerikan; as i Gjermanisë, ku ai lindi në një spital ushtarak amerikan; as i Xhamajkës, vendlindja e babait të tij; dhe as i Kenias, ku ka lindur nëna e tij.
Thomas, 39 vjeç, thotë se foli për CNN-in nga një vend për të pastrehët në Kingston, kryeqyteti i Xhamajkës – qytet ku tani ndodhet i braktisur, qindra kilometra larg miqve dhe familjes, pasi një arrestim për hyrje të paligjshme në pronë e çoi më pas në duart e Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave (ICE).
Anëtarët e familjes së tij i thanë CNN-it se kanë frikë ta vizitojnë nga frika se mund të mos jenë në gjendje të kthehen në SHBA – duke u përfshirë në fushatën e gjerë të deportimeve të administratës Trump.
Thomas thotë se e vetmja mundësi që i ka mbetur tani është të aplikojë për shtetësi xhamajkane përmes babait të tij të ndjerë. Por nuk ka ndërmend ta bëjë këtë, pasi “jeta ime, fëmijët e mi, familja ime janë në Shtetet e Bashkuara,” tha ai.
Xhamajka “nuk është vend i keq”, tha ai për CNN. “Thjesht nuk i përkas këtij vendi”.
I lindur jashtë, i rritur në SHBA
Thomas lindi në vitin 1986, në një spital ushtarak amerikan në Frankfurt, Gjermani, nga një nënë e lindur në Keni dhe një baba shtetas amerikan që shërbeu për më shumë se një dekadë në ushtri, ku riparonte helikopterë ushtarakë. Babai i tij ishte bërë shtetas amerikan i natyralizuar në vitin 1984, sipas dokumenteve që ka parë CNN-i.
Një anëtar i afërt i familjes së Thomasit, i cili kërkoi të mbetej anonim nga frika e “hakmarrjes” nga autoritetet e emigracionit, tha për CNN: “Asnjëherë nuk është vënë në dyshim nëse ai ishte amerikan”, sipas asaj që familja ka besuar, pasi ai kishte lindur nga një baba amerikan në një bazë ushtarake amerikane.
Familja u kthye në SHBA nga Gjermania në vitin 1989. Një formular vizash tregonte kombësinë e Thomasit 3-vjeçar si xhamajkane, sipas dokumenteve gjyqësore, dhe ai hyri në vend si banor i përhershëm ligjor. Sipas anëtarit të familjes, i ati i Thomasit, i cili vdiq në vitin 2010, do të ishte kujdesur për dokumentacionin e djalit, dhe familja nuk e kishte ditur se ai ishte regjistruar si xhamajkan në formular.
Thomas u rrit në Florida dhe Virxhinia, por shumicën e jetës së tij e kaloi në Teksas, ku punoi në punë të ndryshme si ndërtim, pastrim dhe në një lavash makinash. Ai shpesh ishte i pastrehë dhe u dënua për krime të ndryshme, përfshirë posedim droge, grabitje dhe vjedhje që datojnë të paktën që nga viti 2006, çka çoi në disa vite burgim. Ai vuajti një dënim prej 30 ditësh në vitin 2011 për një akuzë për dhunë në familje me nivel të ulët. Së fundmi, nga viti 2020 deri në 2023, ai ishte i burgosur për drejtim në gjendje të dehur dhe për ngacmim të një punonjësi publik – një vepër penale e shkallës së tretë, sipas të dhënave të Departamentit të Sigurisë Publike të Teksasit.
Tricia McLaughlin, zëvendëssekretare në Departamentin e Sigurisë Kombëtare, e përshkroi Thomasin si “një të huaj kriminal të dhunshëm nga Xhamajka” që “kaloi gati dy dekada duke përbërë një kërcënim serioz për sigurinë publike”, në një deklaratë që ndau me CNN-in. “Kriminelë të rrezikshëm si z. Thomas nuk kanë vend në komunitetet amerikane”, tha ajo.
Thomas pranoi se ka kryer krime, përfshirë edhe krime të dhunshme. Ai tha se ishte “vendosur në situata në jetë ku je i detyruar të mbijetosh në një mënyrë apo në një tjetër”.
Sipas dokumenteve mjekësore që ka parë CNN, ai ka çrregullim shizoafektiv me tip bipolar dhe thotë se ka marrë ilaçe psikiatrike në SHBA – megjithatë, tani është pranë përfundimit të tyre në Kingston.
Anëtari i familjes së tij tha se Thomasi “ka bërë shumë zgjedhje të gabuara” të nxitura nga problemet e tij të shëndetit mendor, por ai “nuk është i dhunshëm”.
Një dëbim që ndryshoi gjithçka
Thomas thotë se saga që çoi në faktin që ai mbeti i bllokuar dhe i pastrehë në Xhamajkë filloi në shkurt, kur u dëbua nga apartamenti që ndante me shokë në Killeen të Teksasit, rreth një orë në veri të Austinit.
Ai tregon se zyrtarët që kryen dëbimin nxorën të gjitha sendet nga banesa dhe i lanë në oborr. Ditën tjetër, Thomas u kthye për të kontrolluar sendet e tij, të shokëve të tij të dhomës dhe qenin e vajzës së tij të adoptuar. Më pas erdhi policia, pasi kishte marrë një telefonatë në lidhje me një qen të lidhur. Ai u shpjegoi oficerëve se qeni ishte në litar dhe jo me zinxhir. Kur policia i kërkoi identifikimin, ai refuzoi, duke thënë se nuk kishte kryer ndonjë krim. Më pas, ai u prangos dhe u dërgua në burg, ndërsa qeni përfundoi në strehë për kafshë.
Sipas të dhënave nga Departamenti i Sigurisë Publike të Teksasit, ai u arrestua më 21 shkurt për hyrje të paligjshme në pronë. Ai u deklarua “jo kundërshtues” ndaj akuzës dhe u dënua me 30 ditë burgim, një gjobë prej 100 dollarësh dhe shpenzime gjyqësore. Thomas i tha CNN-it se avokati i caktuar nga gjykata i kishte sugjeruar të mos e kundërshtonte akuzën, pasi ndryshe mund të qëndronte me muaj në burg.
Policia e Killeenit i tha CNN-it se u përfshinë në incident pas një kërkese nga Shërbimi i Kontrollit të Kafshëve, por nuk dhanë më shumë detaje për mënyrën se si ndodhi arrestimi. CNN ka kontaktuar zyrën e prokurorit të qarkut Bell për të komentuar mbi veprimet e mbrojtësit publik në këtë rast.
Pas përfundimit të dënimit 30-ditor, Thomas u mor nga Shërbimi i Emigracionit dhe Doganave (ICE) dhe u transferua në një qendër emigracioni. Pas disa javësh, ai thotë se u vendos në një qeli me burra që pretendonin se do të dëboheshin në Nikaragua.
“Trokita në derë dhe kërkova që një oficer të më shpjegonte se çfarë po ndodhte”, tha ai. Më pas, sipas tij, një mbikëqyrës e siguroi se nuk do të dëbohej, por thjesht do të transferohej në një qendër tjetër.
Megjithatë, gjatë transportit, ai tregon se iu tha se disa persona po dëboheshin në Nikaragua, e të tjerët në Xhamajkë. Edhe pse protestoi, oficerët këmbëngulën se ai ishte shtetas xhamajkan dhe duhej të dëbohej atje. Ai u detyrua të hipte në avion dhe u trajtua “si një i arratisur”, duke qenë i rrethuar nga 10 mareshalë amerikanë gjatë fluturimit.
Më 28 maj, në bord të një avioni drejt një vendi ku nuk kishte qenë kurrë më parë, me vetëm rrobat që kishte veshur, ai tha: “Çdo shpresë u zhduk. Nuk shihja më të ardhme”.
Beteja për shtetësi
Thomas thotë se deri në të 20-t e hershme nuk kishte menduar kurrë se mund të mos ishte shtetas amerikan. Duke qenë se babai i tij ishte shtetas amerikan, ai nuk kishte dyshuar kurrë për statusin e tij të imigracionit.
Gjithçka ndryshoi në vitin 2008, kur u ndalua nga ICE pas lirimit nga një dënim dyvjeçar për posedim të lëndëve narkotike. Ai kujton se babai i tij shpjegoi situatën përpara autoriteteve të emigracionit dhe u lirua. Më pas, në vitin 2013, mori një njoftim për ta konfirmuar praninë (Notice to Appear) nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare, ku thuhej se ai ishte shtetas xhamajkan me dënime penale në SHBA dhe për rrjedhojë i nënshtrohej dëbimit.
Çështja u përfshi në një betejë të gjatë ligjore që kishte të bënte me pyetjen nëse një bazë ushtarake amerikane jashtë vendit mund të konsiderohet si “në territorin e SHBA-së” për qëllime të shtetësisë sipas së drejtës së lindjes, një çështje ligjore e paqartë pas një vendimi të fundit të Gjykatës Supreme. Avokatët e tij argumentuan se, si bir i një shtetasi amerikan i lindur në një bazë ushtarake amerikane, ai ishte qytetar sipas Amendamentit të 14-të. Por një gjykatë apeli në vitin 2015 vendosi se ai nuk ishte qytetar dhe mund të dëbohej. Gjykata Supreme refuzoi të shqyrtonte rastin, pavarësisht mbështetjes nga disa anëtarë të Kongresit në vitin 2016.
Në këtë vendim, Gjykata Supreme mbështeti gjetjen e gjykatës më të ulët se lindja në një bazë ushtarake jashtë vendit nuk përbën lindje “në SHBA” sipas amendamentit të 14-të, i cili garanton shtetësinë për këdo që lind “në Shtetet e Bashkuara dhe nën juridiksionin e tyre.” Edhe pse SHBA-ja kontrollon bazat e saj ushtarake jashtë vendit, ato nuk konsiderohen si territor amerikan, sipas Departamentit të Shtetit.
Për më tepër, personat e lindur jashtë SHBA-së të paktën nga një prind shtetas amerikan zakonisht marrin automatikisht shtetësinë - por ekzistojnë disa kufizime dhe ligji ka ndryshuar me kalimin e kohës. Megjithatë, gjykata vendosi se babai i Thomasit nuk përmbushte kushtin për praninë fizike në SHBA në kohën e lindjes së tij. Në atë kohë, babai kishte jetuar vetëm 9 vjet në SHBA, përfshirë shërbimin ushtarak, ndërkohë që ligji kërkonte 10 vjet për t’ia transmetuar shtetësinë fëmijës së tij. Sikur Thomas të kishte lindur vetëm një vit më vonë, ai do të ishte shtetas amerikan.
Në dokumentet drejtuar Gjykatës Supreme, avokatët e Thomasit përmendën edhe rastin e John McCainit, ish-senator i Arizonës, i lindur në një bazë detare amerikane në Zonën e Kanalit të Panamasë. Kur McCain kandidoi për president në vitin 2008, vendlindja e tij u vu në pikëpyetje, pasi Kushtetuta kërkon që presidenti të jetë shtetas i lindur natyrshëm. Por një shqyrtim ligjor dypartiak përfundoi se ai përmbushte këtë kusht dhe ishte i përshtatshëm për presidencën. Qeveria në rastin e Thomasit argumentoi se Zona e Kanalit të Panamasë ishte në atë kohë një territor sovran amerikan, në dallim nga baza ku kishte lindur Thomas në Gjermani.
Të afërmit e tij u shprehën të tronditur nga vendimi i gjykatës kundër tij, sidomos duke marrë parasysh se babai i tij kishte shërbyer 18 vjet në ushtri.
“Pyetja ime është: pse duhet ta mbani një fëmijë përgjegjës për diçka që nuk e ka pasur kurrë nën kontroll apo dijeni?”, thanë ata.
Me gjithë vendimin që nuk ishte shtetas amerikan, Thomas qëndroi në SHBA – e vetmja shtëpi që ai kishte njohur ndonjëherë. Ai tha se pas refuzimit të kërkesës së tij nga Gjykata Supreme, vazhdoi të raportonte tek autoritetet e emigracionit në San Antonio për disa muaj, derisa, sipas tij, një oficer i tha se nuk kishte më nevojë ta bënte.
“Si një dënim i përjetshëm”
Pas vendimit refuzues të Gjykatës Supreme në vitin 2016, Thomas u përpoq të kuptonte situatën e tij si një person pa shtetësi. “Kush e ka dëgjuar ndonjëherë për diçka të tillë?”, tha ai. “Çfarë duhet të bësh kur je pa shtetësi?”
Ai thotë se nuk është qytetar i Gjermanisë, ku një certifikatë lindjeje e shqyrtuar nga CNN konfirmon se ka lindur në një spital ushtarak amerikan, dhe as i Xhamajkës, gjë që e vërteton një letër nga konsullata xhamajkane në Miami, gjithashtu e shqyrtuar nga CNN. Sipas kushtetutës xhamajkane, fëmijët e qytetarëve xhamajkanë që lindin jashtë vendit duhet të aplikojnë zyrtarisht për shtetësi. Gjithashtu, ai nuk është qytetar i Kenias, vendlindja e nënës së tij, pasi në atë vend vetëm baballarët mund të bartin shtetësinë te fëmijët e lindur jashtë shtetit.
Situata si ajo e Thomasit janë të reja dhe të rralla në SHBA, sipas Betsy Fisher, një avokate emigracioni dhe pedagoge e ligjit për refugjatët në Fakultetin e Jurisprudencës në Universitetin e Miçiganit.
Nga pikëpamja ligjore, Fisher shpjegon se Thomas ka qenë ndoshta pa shtetësi gjatë gjithë jetës së tij, gjë që e ka bërë “të prekshëm ndaj dëbimit dhe humbjes së komunitetit, lidhjeve, identitetit ligjor – gjithçka që po përjeton tani në Xhamajkë”.
“Jemi realisht duke ecur prapa në këtë çështje”, shtoi Fisher. “Kjo është diçka që Kongresi mund ta zgjidhë shumë shpejt, nëse do të kishte vullnet politik”.
Një i afërm i Thomasit e përshkroi statusin e tij pa shtetësi si “një dënim i përjetshëm”.
“Jeton në skajet e shoqërisë, sepse nuk ke status ligjor që të jep mundësinë të punosh, të kesh strehim, të bësh diçka”, thotë ai.
I pastrehë në një vend të huaj
Thomas thotë se çdo ditë zgjohet në vapën përvëluese të Kingstonit, qindra kilometra larg nga miqtë dhe familja e tij. “Më duhet pak kohë të përballem me realitetin”, tha ai.
“Nuk mund ta besoj që jam ende këtu”, vazhdoi ai. “Duket si një ëndërr e keqe. Një makth, por në të vërtetë jam këtu”.
Fillimisht ai qëndroi në një dhomë hoteli të paguar nga Ministria e Sigurisë Kombëtare të Xhamajkës, por tani thotë se ndodhet në një vend për të pastrehët, që është e zhurmshme, e nxehtë dhe kaotike. “Jam gjithmonë i uritur, krejtësisht i rraskapitur”, tha ai për jetën në strehimore.
Meqë nuk është as shtetas xhamajkan dhe as i ndonjë vendi tjetër, ai nuk mund të aplikojë për një dokument identifikimi ligjor apo të punojë në vend, tha ai. “Nuk e di çfarë do të bëj”, tha ai. “Nuk njoh askënd këtu”.
Edhe pse njerëzit me të cilët ka pasur kontakt në Xhamajkë kanë qenë “respektues dhe mikpritës”, shumica flasin dialektin xhamajkan (Patois), një gjuhë kreole me bazë angleze që e ka të vështirë ta kuptojë. “Ka shumë barriera dhe shumë ndërlikime”, tha ai.
Një i afërm i tij tha se është “tmerruese” të shohësh nga larg situatën e tij të vështirë, ndërsa flasin çdo ditë me mesazhe në rrjete sociale. Familjarët e tij, disa prej të cilëve nuk janë shtetas amerikanë, i thanë CNN-it se duan ta vizitojnë, por frikësohen se mund të mos lejohen të kthehen më në SHBA.
“Është si ta kemi humbur përgjithmonë”, tha i afërmi. “Sepse nuk do të shkoj kurrë atje, nga frika se nuk do të më lejojnë të kthehem”.
Ndërkohë, Thomas thotë se i mungon “ndjesia e lirisë dhe e të qenit vetvetja” në Shtetet e Bashkuara.
“Dua vetëm të di kur do të kthehem në shtëpi”, tha ai.