Kryebashkiakut të burgosur të Stambollit, Ekrem Imamoglu, i është bllokuar qasja në llogarinë e tij në X, në përgjigje të një kërkese ligjore, thuhet në një mesazh në llogarinë e tij në mediat sociale të enjten.
Policia ka arrestuar Imamoglun më 19 mars, duke shkaktuar protestat më të mëdha në Turqi në një dekadë.
Ai është burgosur katër ditë më vonë në pritje të gjyqit për akuzat për korrupsion, të cilat ai i mohon.
Partitë opozitare e kanë quajtur arrestimin e tij të politizuar dhe antidemokratik.
Llogaria X e Imamoglut ka afro 10 milionë ndjekës.
Avokati i njohur turk, Gonenc Gurkaynak, ka thënë në X se ai po paraqiste, me kërkesë të X, një kundërshtim ndaj vendimit të gjykatës për të bllokuar qasjen në llogari.
Sondazhet e opinionit tregojnë se mbështetja popullore për Imamoglun është rritur më shumë mbi Erdoganin që kur është arrestuar, duke përforcuar pikëpamjen se ai do të ishte rivali kryesor i Erdoganit në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, të cilat nuk do të mbahen deri në vitin 2028.