Botë

Irani shpall zyrtarisht përfundimin e marrëveshjes bërthamore

Irani - flamuri

Një marrëveshjeje ndërkombëtare me Iranin e dizajnuar për ta mbajtur botën të sigurt nga armët atomike ka përfunduar zyrtarisht, me Teheranin që ka shpallur ndërprerjen e marrëveshjes 10-vjeçare.

Irani ka thënë të shtunën se nuk është më i detyruar që të respektojë kufizimet mbi programin e tij bërthamor dhe se nuk është më i lidhur me marrëveshjen e vitit 2015, zyrtarisht e njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit, sipas të cilës sanksionet ndërkombëtare ishin hequr në këmbim të kufizimeve mbi programin bërthamor të Teheranit.

Që tani e tutje “të gjitha dispozitat e marrëveshjes së 2015-s, përfshirë kufizimet mbi programin bërthamor iranian dhe mekanizmat që lidhen me të konsiderohen të përfunduara”.

Megjithatë, ka shtuar se shteti “shpreh përkushtimin e tij në diplomaci”, raportoi Guardian. 

E nënshkruar në Vjenë nga Irani, Kina, Britania, Franca, Gjermania, Rusia dhe SHBA-ja, marrëveshja shpresohej se do t’i jepte fund ngërçit diplomatik dhe do shënonte një epoke të re në marrëdhëniet mes Iranit dhe Perëndimit.

Më 2018, gjatë mandatit të parë si president Donald Trumpi e largoi SHBA-në nga marrëveshja dhe rivendosi sanksione. Si rezultat i kësaj, Teherani nisi rritjen e programit bërthamor. Pas luftës 12-ditore Iran-Izrael në qershor të këtij viti, edhe shtetet tjera nënshkruese rikthyen sanksionet. Hyrja në fuqi e sanksioneve e bëri formalitet ndërprerjen e marrëveshjes, që si ditë u caktua 18 tetori, saktësisht 10 vjet pas miratimit të rezolutës 2231 të OKB-së.

Irani pritet ta shpallë ndërprerjen e marrëveshjes me një deklaratë më vonë të shtunën në OKB.