Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Irani paralajmëron se sulmet izraelite në Liban kërcënojnë armëpushimin me SHBA-në

Liban

Foto: Associated Press

Irani ka paralajmëruar se sulmet izraelite kundër Hezbollahut në Liban mund ta rrezikojnë armëpushimin e Teheranit me SHBA-në, pasi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, urdhëroi sulme në periferitë jugore të Bejrutit, raporton "BBC".

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi tha se marrëveshja me SHBA-në ishte “pa asnjë dyshim një armëpushim në të gjitha frontet, përfshirë Libanin” dhe se “shkelja e tij në një front është shkelje e armëpushimit në të gjitha frontet”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Më herët, Netanyahu tha se “objektiva terroriste” në Dahieh të Bejrutit do të goditeshin si përgjigje ndaj sulmeve me raketa dhe dronë nga Hezbollahu i mbështetur nga Irani.

Në postime të mëvonshme në rrjetet sociale, presidenti amerikan Donald Trump këmbënguli se bisedimet me Iranin po vazhdonin me një ritëm “të shpejtë” dhe tha se kishte folur si me Netanyahun ashtu edhe me përfaqësues të Hezbollahut, nëpërmjet ndërmjetësuesve.

“Pata një telefonatë shumë produktive me kryeministrin Bibi Netanyahu të Izraelit dhe nuk do të ketë trupa që do të shkojnë në Bejrut, ndërsa çdo trupë që ishte në rrugë e sipër tashmë është kthyer mbrapsht”, tha Trump.

“Po ashtu, përmes përfaqësuesve të nivelit të lartë, pata një telefonatë shumë të mirë me Hezbollahun dhe ata ranë dakord që të gjitha të shtënat do të ndalen – Izraeli nuk do t’i sulmojë ata dhe ata nuk do ta sulmojnë Izraelin”.

Nuk pati koment të menjëhershëm nga Izraeli apo Hezbollahu.

Agjencia iraniane e lajmeve Tasnim raportoi më herët se Teherani mund t’i pezullojë negociatat indirekte me SHBA-në.

Agjencia e lajmeve – e cila është e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) – tha gjithashtu se Irani dhe aleatët e tij do të “aktivizonin fronte të tjera, përfshirë Ngushticën Bab al-Mandab” në hyrje të Detit të Kuq.

Autoritetet iraniane nuk kanë komentuar publikisht raportin e Tasnim-it, por televizioni shtetëror tha se gjasat që armëpushimi me SHBA-në të përfundojë janë të larta nëse Izraeli nuk i jep fund ofensivës së tij në Liban.

Armëpushimi midis SHBA-së dhe Iranit hyri në fuqi më 8 prill, por ai nuk ka arritur t’i japë fund luftimeve.

SHBA-ja është përpjekur t’i ndajë ngjarjet në Liban nga negociatat me Iranin, i cili prej kohësh i ka ofruar Hezbollahut mbështetje të konsiderueshme ideologjike, ushtarake dhe financiare dhe këmbëngul se çdo marrëveshje duhet të përfshijë paqen në Liban.

Të dielën, një zyrtar amerikan tha se sekretari i Shtetit, Marco Rubio, i kishte propozuar Netanyahut dhe presidentit libanez Joseph Aoun një plan për “ulje graduale të tensioneve”.

Ushtria izraelite e ka goditur Bejrutin dy herë që kur armëpushimi mes Izraelit dhe Libanit hyri në fuqi më 16 prill, së fundmi të enjten. Por kjo përbën një reduktim krahasuar me periudhën e mëparshme, ndërsa raportimet thonë se Shtëpia e Bardhë ka ushtruar presion mbi Izraelin që t’i kufizojë veprimet e tij ushtarake në Bejrut për të mos rrezikuar përpjekjet për të arritur një marrëveshje më të gjerë për t’i dhënë fund luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.

Tensionet mes Iranit dhe SHBA-së u përshkallëzuan gjithashtu gjatë fundjavës në Ngushticën e Hormuzit. SHBA-ja ka thënë se goditi objekte ushtarake iraniane gjatë fundjavës, ndërsa Teherani tha se u kundërpërgjigj duke shënjestruar një bazë amerikane në Kuvajt.
 

Trumpi thotë se Izraeli e Hezbollahu janë pajtuar t’i ndalin luftimet

23 min. më parë / 1 qer 2026 23:04
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë të hënën se ka biseduar me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, lidhur me luftimet në Liban, e po ashtu ka biseduar edhe me përfaqësues të Hezbollahut nëpërmjet ndërmjetësuesve, transmeton agjencia "AP".  

Trump në një postim në rrjete sociale ka thënë se “trupat izraelite s’do të shkojnë në Bejrut dhe çdo ushtar që ishte nisur atë drejtim, është kthyer prapa”. 

Ai po ashtu ka thënë se se Hezbollahu “është pajtuar t’i ndalojë sulmet”. 

“Izraeli nuk do t’i sulmojë ata, dhe ata s’do ta sulmojnë Izraelin”, ka shkruar Trump. 

Netanyahu ka konfirmuar bisedën me Trumpin, por ka treguar se i ka thënë presidentit amerikan se Izraeli do ta godasë Bejrutin nëse Hezbollahu nuk i ndalë sulmet. Ai ka thënë se Ushtria izraelite do të vazhdojë “të operojë sipas planit” në jug të Libanit. 

Nga Hezbollahu s’ka pasur njoftim lidhur me këtë bisedë. 

Izraeli e Hezbollahu ishin dakorduar për armëpushim në mesin e prillit, por janë rinisur sulmet pasi goditjeve të Izraelit në Liban. Izraeli tha se ato sulme ishin për vetëmbrojtje.