Botë

Hamasi s’është më i interesuar për armëpushim, pas planit të ri të Izraelit

Hamas

Foto: Associated Press

Një zyrtar i lartë i Hamasit, ka thënë të martën se grupi militant s’është më i interesuar për bisedime të armëpushimit, pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka njoftuar për planin e ri për intensifikim të ofensivës ushtarake në Rripin e Gazës, ka raportuar The Guardian.

“Nuk ka logjikë të angazhohemi në bisedime apo të konsiderojmë propozimet e reja të armëpushimit përderisa lufta e urisë dhe lufta shfarosëse vazhdon në Gazë”, ka thënë Basem Naim, teksa i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar “t’i bëjë presion qeverisë së Netanyahut me qëllimin që t’u jepet fund krimeve të urisë, etjes dhe vrasjeve”.

Ai i bëri këto komente një ditë pasi ushtria izraelite pati njoftuar për operacione të zgjeruara ushtarake në Gazë, që përfshijnë zhvendosjen e “shumicës” së banorëve nga territori i enklavës palestineze.

Izraeli ka kryer sulme të përditshme në Gazë që nga përfundimi i armëpushimit me Hamasin, në muajin mars.

Ndër të tjera, ka ndalur edhe qasjen e të gjitha importeve të produkteve ushqimore dhe atyre mjekësore në Rripin e Gazës, në atë që autoritetet izraelite e kanë kualifikuar si përpjekje për ta detyruar Hamasin t’i lirojë pengjet.