Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Opinion

Ngjarjet e marsit 2004 dhe projekti serb për ndarjen e Kosovës

Tani, 22 vjet pas trazirave të marsit dhe në dritën e rishikimit të ngjarjeve të viteve të fundit, si sulmi terrorist në Banjskë, sulmi në Ibër-Lepenc dhe kapja e një rrjeti të spiunazhit të lidhur me BIA-n në Kosovë, trazirat e marsit marrin një kuptim më të qartë politik dhe strategjik. Ngjarjet duken si pjesë e një logjike ku kriza e sigurisë, infiltrimi dhe destabilizimi përdoren për ta mbajtur veriun e Kosovës të kontestuar e shtetësinë e Kosovës të paplotë

Infrastruktura dhe kontrolli ilegal i veriut (2000–2004)

Pas luftës në Kosovë, situata nuk karakterizohej vetëm nga tranzicioni institucional dhe vendosja e pushtetit nga misionet ndërkombëtare, por në të njëjtën kohë edhe nga vendosja e një realiteti paralel nga strukturat ilegale serbe në enklavat serbe, e sidomos në veri të Kosovës. Raportet e organizatave ndërkombëtare, përfshirë edhe Grupin Ndërkombëtar të Krizave (ICG), i përshkruanin qartë këto fenomene dhe, për këtë, në vitin 2002, ata sqaronin ndikimin dhe financimin e Serbisë për ndarjen e Kosovës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ky grup kërkonte në mënyrë eksplicite presion ndaj Beogradit për të ndërprerë mbështetjen për strukturat paralele në veri të Mitrovicës. Raporti vinte në pah infiltrimin e Beogradit në Kosovë dhe financimin e strukturave paralele, duke përfshirë në qendër grupin “Rojet e Urës”. Raporti theksonte se financimi bëhej drejtpërdrejt nga Ministria e Brendshme e Serbisë (MUP) dhe përbënte një shkelje të Rezolutës 1244 të OKB-së. I njëjti raport vinte në pah edhe faktin se Misioni Ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara (UNMIK), asokohe, e kishte të vështirë të vendoste autoritetin e vet matanë Ibrit, për shkak të prezencës së institucioneve paralele serbe të financuara nga Beogradi.

ICG kërkonte nga komuniteti ndërkombëtar që ta kushtëzonte ndihmën financiare për Serbinë me ndërprerjen e mbështetjes për strukturat paralele. Po ashtu, propozohej që Serbisë, për shkak të këtyre veprimeve, t’i mohohej anëtarësimi në Këshillin e Evropës, në Partneritetin për Paqe me NATO-n dhe në marrëveshjet me BE-në. Analistët e raportit argumentonin se Beogradi nuk do të bashkëpunonte në këtë drejtim pa një presion serioz ndërkombëtar, të barabartë me atë që u përdor për të siguruar bashkëpunim me Tribunalin e Hagës, pasi stabiliteti politik në Kosovë ishte në rrezik.
Ky raport analizonte hollësisht, asokohe, përpjekjet e Serbisë për ndarjen dhe kantonizimin e Kosovës, duke i identifikuar këto si strategji të Beogradit për ta mbajtur nën kontroll veriun dhe për të diktuar statusin final të Kosovës. Raporti theksonte se Mitrovica ishte e ndarë de facto dhe se qëllimi i Beogradit ishte ndarja përfundimtare e provincës. Plani i kantonizimit, si propozim i Beogradit, synonte ndarje formale gjeografike përmes një sistemi të “vetësundimit”, ku, sipas këtij plani, serbët do të kontrollonin 30% të territorit të Kosovës, të ndarë në pesë kantone. Madje, propozim ishte edhe ndarja sipas modelit të Bosnjës dhe krijimi i “entiteteve”.

Serbët që më së shumti e shtynin këtë ide ishin nga qeveria e Serbisë e deri te ata me pozita në Kosovë. Lista fillonte me Vojsllav Koshtunicën, kryeministër asokohe; Nebojsha Çoviq, zëvendëskryeministër i Serbisë dhe udhëheqës i qendrës koordinuese për Kosovën; Branisllav Krrstiç, zëvendësdrejtor i qendrës koordinuese dhe autor i shkrimeve ku bazoheshin propozimet e Çoviqit për kantonizim; Oliver Ivanoviq, asokohe anëtar i koalicionit “POVRATAK”; Marko Jakshiq, nënkryetar i partisë DSS dhe udhëheqës radikal në veri; si dhe Millan Ivanoviq, kryetar i Këshillit Kombëtar Serb të Kosovës Veriore, i cili, bashkë me Jakshiqin, shmangnin bashkëpunimin me UNMIK-un dhe kërkonin ndarjen, etj. Synimi ishte që gjithmonë të paraqitej se multi-etniciteti nuk funksionon.

Në atë kohë, ICG raportonte se Beogradi kishte derdhur në Kosovë mbi 50 milionë euro vetëm në tetë muajt e parë të vitit 2001. Sipas raportuesve, Banka Botërore duhej t’i ndalte ndihmat për buxhetin e Serbisë, pasi paratë e kësaj banke tërthorazi përfundonin në financimin e strukturave paralele.

Se sa të fuqishme dhe të paprekshme ishin këto struktura paralele tregon fakti se, në një përleshje të bandës së Slavoljub Jovic “Pagi”, pjesëtar i Rojave të Urës, me policët e UNMIK-ut, nga këta të fundit mbetën të plagosur 26 policë.

Të gjitha këto përbënin një provokim strukturor dhe një krijim situatash që dërgonin në ndarjen e Kosovës nëpërmjet strukturave paralele, sistemeve të segregimit, grupeve që mbanin gjendjen e tensionuar nëpërmjet përplasjeve, barrikadave rrugore, konfrontimeve te ura, etj.

Trazirat e marsit 2004 dhe indikacionet për përfshirjen e Serbisë

Edhe raporte të tjera të asaj kohe theksonin elementin e tendencave të Serbisë për kantonizimin e Kosovës apo ndarjen e saj. Në raportin e “Human Rights Watch” për trazirat e marsit 2004, vlerësohej se kishte shqetësime të mëdha te pala shqiptare nga ngritja e “institucioneve paralele” nga Beogradi. Sipas raportit, frika rritej edhe nga dështimi i UNMIK-ut për t’i sfiduar këto struktura dhe kjo lejonte Beogradin ta bënte akt të kryer kantonizimin e Kosovës.

Po ashtu, i njëjti raport përmendte edhe Rojat e Urës si grup ku bëhej pikënisja e dhunës në çdo rast, duke identifikuar si vendtakimin e tyre kafenenë “Dolce Vita”, që ndodhej pranë urës.

Nebojsha Çoviq, në një intervistë të tij, tregonte për një operacion të fshehtë ushtarak të kryer nga forcat serbe në emër të mbrojtjes së Manastirit të Graçanicës gjatë trazirave të marsit. Ai deklaronte se, bashkë me një grup kryesisht parashutistësh dhe oficerësh policie, kishin kaluar kufirin me veturë civile dhe ishin vendosur brenda kishës. Ai më tutje shtonte se kishte kontaktuar komandantin e KFOR-it për t’u takuar. Ky i fundit i kishte kthyer se nuk mund ta takonte për shkak të largësisë, por kur Çoviq e njofton se ai tashmë është në Manastir dhe kishte arritur rreth orës 09:00 të mëngjesit, kjo kishte shkaktuar befasi te komandanti i KFOR-it.

Kjo deklaratë e Çoviqit tregon se Serbia e dinte më herët se çka pritej të ndodhte në Kosovë.

Shfrytëzimi politik i trazirave dhe avancimi i planeve për ndarje

Në një raport nga Borut Grgic dhe Jana Urh, theksohet prezantimi i planit të Beogradit, i prezantuar në prill 2004, menjëherë pas trazirave të marsit, për ndarje etnike. Qëllimi ishte një ndarje inxhinierike përmes decentralizimit të pushtetit mbi baza etnike, me rajone autonome që dërgonin drejt ndarjes.

Një raport tjetër, që përmban shumë analiza nga disa autorë, shpjegonte të njëjtën gjë: se si Beogradi po synonte ndarjen e Kosovës. Tim Judah argumentonte se plani i Beogradit parashikonte krijimin e pesë distrikteve autonome serbe që do të formonin “Komunitetin Autonom Serb të Kosovës dhe Metohisë”. Janusz Bugajski, po ashtu, argumentonte se plani për “decentralizimin etno-territorial” është një përpjekje e hershme për ndarjen e Kosovës. Madje, asokohe, Bugajski tërhiqte vërejtjen se nuk ka një rrugë të tretë për Kosovën mes varësisë dhe pavarësisë, dhe se vonesat për përcaktimin e statusit inkurajojnë radikalët dhe planet për ndarje.

Këto trazira u përdorën fuqishëm nga Beogradi kundër lëvizjes së Kosovës drejt statusit final, duke argumentuar se qeverisja multi-etnike është e paqëndrueshme dhe duke shtyrë përpara planet e tyre për kantonizimin dhe ndarjen e Kosovës, të cilat i kishin filluar para trazirave të marsit.

Më 25 gusht 2005, Nebojsha Çoviq shkarkohet nga detyrat e tij për shkak të përplasjeve të tij të shpeshta me Koshtunicën, i cili asokohe mbante pozitën e kryeministrit. Çoviq e akuzonte qeverinë për mungesë të strategjisë së qartë për Kosovën dhe bllokim të iniciativave të tij. Ndërsa, në anën tjetër, shkarkimi i tij u shoqërua me akuza të rënda për keqpërdorimin e fondeve shtetërore të destinuara për serbët në Kosovë, që publikisht ishin të destinuara kryesisht për ndërtimin e shtëpive që nuk përfunduan kurrë. Këto akuza publike lënë hijen e përdorimit të tyre të dështuar në trazirat e marsit.

Çoviq pastaj u zëvendësua me Sanda Rashkoviq-Iviq, e cila kishte një qasje më të afërt me Koshtunicën.

Vazhdimësia e një strategjie: nga marsi 2004 deri sot

Tani, 22 vjet pas trazirave të marsit dhe në dritën e rishikimit të ngjarjeve të viteve të fundit, si sulmi terrorist në Banjskë, sulmi në Ibër-Lepenc dhe kapja e një rrjeti të spiunazhit të lidhur me BIA-n në Kosovë, trazirat e marsit marrin një kuptim më të qartë politik dhe strategjik. Ngjarjet duken si pjesë e një logjike ku kriza e sigurisë, infiltrimi dhe destabilizimi përdoren për ta mbajtur veriun e Kosovës të kontestuar, shtetësinë e Kosovës të paplotë dhe për ta penguar konsolidimin e plotë të saj. Andaj, marsi 2004 paraqitet si një provokim dhe nxitje që kishte për synim krijimin e një ambienti ku të dëshmohej se multi-etniciteti nuk funksionon dhe se ndarja e Kosovës ose trajtimi i saj si çështje e papërfunduar mbetet opsion politik. I parë nga perspektiva kronologjike, nga ngjarjet para marsit 2004, ato më pas e deri më sot, kuptohet se ekziston një strategji e qëndrueshme që synon realizimin e planeve të Serbisë për ndarjen e Kosovës, e cila ka ndryshuar në forma dhe modele veprimi ndër vite, por jo në qëllime. Pikërisht në këtë kuptim, krizat nuk shfaqen vetëm si episode dhune, por edhe si mjete për të prodhuar pasoja politike dhe për të shtyrë përpara objektiva që Serbia nuk ka arritur t’i realizojë me mjete të drejtpërdrejta. Transdisiplinariteti në analizimin e këtyre ngjarjeve ofron një pasqyrë që e zhvesh propagandën dhe e vendos fokusin mbi faktet.

(Autori është profesor në kolegjin “Universum” dhe bashkëpunëtor i jashtëm në ISLH “OCTOPUS”)