Dy shqiptarë e dy serbë nga Kosova po mbahen të paraburgosur prej muajsh në Serbi. Burime të KOHËS kanë thënë se Beogradi zyrtar ka vënë pengesa për realizimin e vizitave tek ta. E, në Ministrinë e Punëve të Jashtme kanë bërë të ditur se janë ankuar te ndërkombëtarët për këtë
Katër shtetas të Kosovës ndodhen ende në paraburgim në Serbi: dy shqiptarë nën pretendimin se kanë kryer krime lufte e dy serbë akuzohen për spiunazh.
Lulzim Halili është në paraburgim që nga korriku i 2025-ës, dhe është arrestuar ndonëse prej kohësh ka jetuar në Serbi dhe ka kryer punë ndërtimore. Krahas tij, që nga gushti i vjetëm është në paraburgim edhe Behar Preniqi.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoBurime të KOHËS në Ministrinë e Punëve të Jashtme kanë thënë se Serbia nuk ia ka lejuar zyrtarëve të Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi asnjë vizitë te Sasha Gjorgjeviqi që është arrestuar në korrik të 2025-s e as te Milan Vukanshinoviqi, që ndodhet në paraburgim që nga nëntori kur nga persona të panjohur është rrëmbyer në fshatin Jellakcë në Kosovë, dhe është dërguar në territorin e Serbisë.
Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës e ka konfirmuar se ka kërkuar leje për t’i vizituar të paraburgosurit, por vizitat i janë pamundësuar në disa raste.
“Në këto raste, janë ndërmarrë veprime të vazhdueshme për të garantuar respektimin e të drejtave të tyre, përfshirë edhe të drejtën për vizita. Në rastet kur janë hasur pengesa, ato janë adresuar përmes kanaleve zyrtare diplomatike”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Për pengimin e vizitave e edhe për trajtimin e shtetasve të Kosovës në paraburgim, Ministria u është drejtuar edhe ndërkombëtarëve.
“Çështja e trajtimit të shtetasve të Republikës së Kosovës në paraburgim në Serbi është ngritur në vazhdimësi në komunikimet me partnerët ndërkombëtarë dhe mekanizmat relevantë, me qëllim sigurimin e mbrojtjes së të drejtave të tyre në përputhje me standardet ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.
Muajin e kaluar, është liruar nga paraburgimi Mit’hat Llozhani, i cili është në mesin e shumë shqiptarëve që është arrestuar duke shfrytëzuar rrugët nëpër Serbi për të udhëtuar në shtete të BE-së.
Ministria e Punëve të Jashtme u ka bërë thirrje vazhdimisht shtetasve të Kosovës të mos udhëtojnë nëpër territorin e Serbisë, shkaku i ndalimeve e arrestimeve arbitrare dhe në kundërshtim me të drejtat e njeriut.