Botë

Gjermania dënon me burgim të përjetshëm doktorin sirian

Doktori sirian

Foto: Associated Press

Një gjykatë gjermane ka dënuar të hënën një mjek sirian me burgim të përjetshëm për torturë dhe krime lufte në atdheun e tij sirian, për vrasjen e dy personave dhe torturimin e nëntë të tjerëve në Siri midis viteve 2011 dhe 2012.

Gjykata e Lartë Rajonale e Frankfurtit ka përcaktuar gjithashtu rëndësinë e veçantë të fajit, e cila praktikisht përjashton lirimin e parakohshëm pas 15 vjetësh - siç ndodh shpesh në Gjermani kur njerëzit dënohen me burgim të përjetshëm, raporton AP.

Siriani 40-vjeçar, është identifikuar si Alaa M. në përputhje me rregullat gjermane të privatësisë. Në vendimin e tij, kryetari i trupit gjykues Christoph Koller ka përshkruar veprimet e të akuzuarit në spitalin ushtarak në qytetin sirian të Homsit në fazat e hershme të luftës civile që filloi në vitin 2011. Ai ka thënë se mjeku kishte tendenca sadiste dhe i interpretonte ato gjatë torturës.

"Mbi të gjitha, i akuzuari kënaqej duke dëmtuar njerëz që i dukeshin inferiorë dhe me vlerë të ulët", ka thënë Koller, sipas dpa.

Gjatë gjyqit, i cili ka zgjatur pothuajse tre vjet e gjysmë, viktimat kishin përshkruar abuzimet më të rënda, duke përfshirë rrahje, shqelma dhe djegien e plagëve dhe pjesëve të trupit, raportoi dpa.

Koller ka theksuar se pa gatishmërinë dhe guximin e dëshmitarëve për të ndarë detajet e vuajtjeve të tyre, faktet e çështjes nuk do të ishin sqaruar.

M. ka jetuar në Gjermani për dhjetë vjet dhe ka punuar si kirurg ortoped në disa klinika, së fundmi në Bad Wildungen në Hessen veriore. Në verën e vitit 2020, ai ishte arrestuar pasi disa nga viktimat e tij e kishin njohur nga një dokumentar televiziv për Homsin, raportoi dpa.

Mjeku dyshohet se ka torturuar të burgosurit që konsideroheshin si kundërshtarë të ish-diktatorit sirian Bashar Assad. Gjyqi kundër tij ka nisur në janar 2022.

Alaa M. e ka përshkruar veten si të pafajshëm gjatë gjyqit, duke pretenduar se ishte viktimë e një komploti, sipas dpa.  

Vendimi nuk është ende përfundimtar.