Persona të armatosur kanë qëlluar për vdekje të paktën 26 turistë në një qendër turistike në Kashmirin e kontrolluar nga India, raporton agjencia “AP”.
Policia e Indisë e ka përshkruar këtë incident si “sulm terrorist” dhe i ka fajësuar militantët që luftojnë kundër sundimit të Indisë.
“Ky sulm është dukshëm më i madh se çdo sulm tjetër që kemi parë ndaj civilëve në vitet e fundit”, tha Omar Abdullah, zyrtari më i lartë rajonal.
Dy zyrtarë të policisë kanë thënë se katër persona të armatosur, të cilët i përshkruanë si militantë, qëlluan mbi dhjetëra turistë nga një distancë e afërt. Shumica e turistëve të vrarë ishin nga India, thanë policët, duke folur në kushte anonimiteti. 24 janë vrarë në Baisaran, rreth 5 kilometra nga qyteti turistik Pahalgam. Dy të tjerë vdiqën më vonë në spital.
Policia ka thënë se është në kërkim të sulmuesve.
Dyshohet për 20 të vdekur nga sulmi ndaj një grupi turistësh në Kashmir
Dyshohet se të paktën 20 njerëz kanë mbetur të vdekur pasi persona të armatosur kanë hapur zjarr ndaj një grupi turistësh vendas, që vizitonin një vend të bukur në Kashmirin e administruar nga India.
Sulmi ka ndodhur në Pahalgam, një qytet piktoresk në Himalaje, i përshkruar shpesh si "Zvicra e Indisë".
Kryeministri i rajonit, Omar Abdullah, ka thënë se sulmi ishte "shumë më i madh se çdo gjë që kemi parë të drejtuar ndaj civilëve në vitet e fundit", raporton BBC.
Raportet sugjerojnë se numri i viktimave është dukshëm më i lartë se sa është konfirmuar deri më tani.
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi ka thënë se autorët "do të sillen para drejtësisë".
"Vendosmëria jonë për të luftuar terrorizmin është e palëkundur dhe do të bëhet edhe më e fortë," ka shkruar Modi në një deklaratë në X.
Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Ka pasur një kryengritje të gjatë në rajonin me shumicë myslimane që nga viti 1989, megjithëse dhuna është zbehur vitet e fundit.
Automjetet nuk janë në gjendje të arrijnë në zonën ku ndodhën të shtënat, ka thënë Inspektori i Përgjithshëm i Policisë së Jammu dhe Kashmir, Vidi Kumar Birdi për BBC Hindi.
Një turist nga Gujarat, i cili ishte pjesë e një grupi që është qëlluar ka thënë se pas sulmit të papritur ka shpërthyer kaos dhe se të gjithë kishin filluar të vraponin, të qanin dhe të bërtisnin.