(E përditësuar 23:50) Të hënën ka nisur seanca gjyqësore historike ndaj ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili akuzohet për falsifikim të të dhënave të biznesit me qëllimin për të fshehur pagesat për të siguruar heshtjen e aktores së filmave për të rritur Stormy Daniels, mbi një lidhje të dyshuar jashtëmartesore me të, raporton agjencia “AP”.
Të hënën nisi përzgjedhja e jurisë për rastin. Nga 96 kandidatë nga grupi i parë për juri potenciale që u sollën në gjykatë, 63 u diskualifikuan brenda pak minutave, pasi thanë se nuk mund të jenë të paanshëm në këtë rast. Në ditën e parë nuk u zgjodh asnjë anëtar i jurisë. Do të vazhdojë seanca ditët në vijim.
I veshur me një kostum blu dhe me kollare të kuqe, Trump ndoqi seancën nga banka e të pandehurit, ndërsa prokurorët i kërkuan gjykatësit që ta gjobiste dhe t’i kujtonte atij se mund të burgosej nëse shkelte urdhrin që e ndalon atë të flasë publikisht mbi dëshmitarët e çështjes, me qëllim për ta penguar që të ndikojë mbi ta.
Gjyqi mund të mbahet katër ditë në javë, përreth një muaj e gjysmë.
77-vjeçari Trump është i detyruar të jetë i pranishëm gjatë seancave gjyqësore, përveç në rastet kur kërkon përjashtim. Kjo me gjasë do ta pengojë atë të vazhdojë fushatën për zgjedhjet e nëntorit, për një periudhë të madhe kohore. Trump do të përballet me Joe Bidenin në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Trump, i cili ka shërbyer si president prej fillimit të vitit 2017 deri në janar të vitit 2021, ka kritikuar vazhdimisht proceset penale ndaj tij.
Javën e kaluar në platformën e tij sociale “Truth Social” ai shkruante se një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë në vend dhe se ai po detyrohej të ulej të hënën përpara një gjykatësi të korruptuar e që e urrente pa fund atë.
Trumpi akuzohet për fshehjen e një pagese prej 130 mijë dollarësh bërë yllit të filmave për të rritur Stormy Daniels, pak përpara zgjedhjeve të 2016-s, me synimin për të siguruar heshtjen e saj lidhur me pretendimet e kësaj të fundit, për një marrëdhënie jashtëmartesore.
Prokurorët kanë përmendur gjithashtu edhe rastin e ish-modeles së revistës “Playboy”, Karen McDougal, e cila pretendon se ka pasur një lidhje 10-mujore me Donald Trumpin në mesin e viteve 2000. McDougal është paguar 150 mijë dollarë nga kompania mëmë e tabloidit “National Enquirer”, për të siguruar ekskluzivitetin në publikimin e kësaj historie, e cila gjithsesi nuk u publikua kurrë, sipas dyshimeve, me kërkesë të Trumpit.
Ish-presidenti i ka mohuar marrëdhëniet me të dyja gratë si dhe të 34 akuzat me të cilat përballet në çështjen e New York, përfshirë atë se udhëzoi ish-avokatin e tij Michael Cohen, që të paguante aktoren Daniels e më pas e rimbursoi atë gjatë vitit të parë të presidencës së tij në vitin 2017. Paratë u regjistruan si rrogë mujore e shpenzime ligjore për Cohenin.
Secila nga akuzat mbart mundësinë e një dënimi me katër vjet burg. Pritet që Trumpi të apelojë vendimin nëse do të shpallej fajtor.
Shpallja fajtor nuk e pengon atë të marrë detyrën, por gjysma e votuesve të pavarur dhe një në katër republikanë thonë se nuk do ta votonin nëse shpallej fajtor, sipas një sondazhi të realizuar nga agjencia e lajmeve Reuters dhe kompania e anketimeve Ipsos.
Para gjykatës së Manhatanit në New York kishte prani të shtuar të autoriteteve të rendit dhe ishin vendosur barrikada të shumta.
Para se të hynte në gjykatë, Trumpi tha se “kjo ishte një përndjekje politike”.
Rasti i New Yorkut është një nga katër paditë penale me të cilat përballet ish-presidenti Trump, që përfshijnë 88 akuza, të cilat ai i ka hedhur të gjitha poshtë.
Pas seancës të së hënës, Trumpi tha se është i zhgënjyer se mund të humbë ceremoninë e diplomimit të të birit.
Ai më pas kritikoi gjykatësin po ashtu dhe tha se “po ndërhyhet në zgjedhje”. Trumpi tha nuk do të ofrohet gjyq fer për të.
Gjykatësi Juan Merchan ka refuzuar kërkesën e ekipit të Trumpit që të lirohet ish-presidenti javën e ardhshme për të marrë pjesë në seancën e Gjykatës Supreme të SHBA-së ku ka apeluar për imunitet.
Merchan tha se është me rëndësi që Trumpi të jetë i pranishëm në seanca.
Nis procesi i parë gjyqësor penal ndaj ish-presidentit Donald Trump
Të hënën në New York nisi përzgjedhja e jurisë në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trump, nën akuzat për falsifikim e të dhënave të biznesit me qëllimin për të fshehur pagesat për të siguruar heshtjen e aktores së filmave për të rritur Stormy Daniels, mbi një lidhje të dyshuar jashtëmartesore me të.
Trump është ish-presidenti i parë amerikan që përballet me akuza penale dhe nëse dënohet, rrezikon të vuajë dënim me burg.
Ai po ndjekë procedurat sot nga tryeza e të pandehurit. Gjyqi mund të mbahet katër ditë në javë, për rreth një muaj e gjysmë.
Trump, i cili ka shërbyer si president prej fillimit të vitit 2017 deri në janar të vitit 2021, ka kritikuar vazhdimisht proceset penale ndaj tij. Javën e kaluar në platformën e tij sociale “Truth Social” ai shkruante se një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë në vend dhe se ai po detyrohej të ulej të hënën përpara një gjykatësi të korruptuar e që e urrente pa fund atë.
Trump është i detyruar të jetë i pranishëm gjatë seancave gjyqësore, gjë që me gjasë do ta pengojë atë të vazhdojë fushatën për zgjedhjet e nëntorit, për një periudhë të madhe kohore.
Trump po përpiqet të rimarrë Shtëpinë e Bardhë, pas humbjes në 2020 ndaj presidentit aktual Joe Biden.
Trump akuzohet për fshehjen e një pagese 130 mijë dollarëshe bërë yllit të filmave për të rritur Stormy Daniels, pak përpara zgjedhjeve të 2016-ës, me synimin për të siguruar heshtjen e saj lidhur me pretendimet e kësaj të fundit, për një marrëdhënie jashtëmartesore.
Prokurorët kanë përmendur gjithashtu edhe rastin e ish-modeles së revistës “Playboy”, Karen McDougal, e cila pretendon se ka pasur një lidhje 10-mujore me Trumpin në mesin e viteve 2000. McDougal është paguar 150 mijë dollarë nga kompania mëmë e tabloidit “National Enquirer”, për të siguruar ekskluzivitetin në publikimin e kësaj historie, e cila gjithsesi nuk u publikua kurrë, sipas dyshimeve, me kërkesë të Trumpit.
Trump i ka mohuar marrëdhëniet me të dyja gratë si dhe të 34 akuzat me të cilat përballet në çështjen e New Yorkut, përfshirë atë se udhëzoi ish-avokatin e tij Michael Cohen, që të paguante Danielsin e më pas e rimbursoi atë gjatë vitit të parë të presidencës së tij në vitin 2017. Paratë u regjistruan si rrogë mujore e shpenzime ligjore për Cohenin.
Secila nga akuzat mbart mundësinë e një dënimi me katër vjet burg. Pritet që Trump të apelojë vendimin nëse do të shpallej fajtor.
Rasti i New Yorkut është një nga katër paditë penale me të cilat përballet ish-presidenti Trump, që përfshijnë 88 akuza, të cilat ai i ka hedhur të gjitha poshtë.