Dy vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara mund të lëvizin përpara në konferencën e qershorit mbi zgjidhjen me dy shtete për çështjen e Palestinës, ka raportuar “The Guardian”.
Britania e Madhe është në bisedime me Francën dhe Arabinë Saudite mbi njohjen e një shteti palestinez në një konferencë në qershor të thirrur nga këto dy vende, sipas sekretarit britanik të Jashtëm, David Lammy.
Komentet e Lammy shënojnë herën e parë që Britania ka njoftuar për bisedime me Francën për një proces të njohjes së Palestinës si shtet.
Njohja e Palestinës si shtet nga dy anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit në OKB-së do të ishte një qëndrim i fortë por përballet me shumë sfida diplomatike, duke përfshirë nevojën për qartësim më të madh rreth asaj se çfarë është duke propozuar Franca dhe nëse njohja mund të jetë pjesë e një procesi kredibil drejt një zgjidhjeje me dy shtete, diçka që Izraeli e kundërshton.
Lammy, duke folur para Komitetit të zgjedhur të jashtëm të Parlamentit britanik, tha se Britania dëshiron të ndërmarrë veprime që do të kishin ndikim në terren dhe jo në një moment simbolik, duke shtuar njohja e një shteti palestinez nga disa vende evropiane kohët e fundit nuk ka pasur asnjë ndikim.
Duke kujtuar se deri tani 160 vende e kanë njohur Palestinën shtet, duke përfshirë edhe të fundit, Spanjën, Norvegjinë dhe Irlandën, Lammy tha e “askush nuk ka veto se kur e njeh Britania atë shtet palestinez... Ne gjithmonë kemi thënë se njohja nuk është një fund në vete dhe ne preferojmë njohje si pjesë e një procesi drejt dy shteteve”.
“Presidenti francez Emmanuel Macron ka pasur shumë të thotë rreth kësaj, më së fundi, bashkë me sauditët, dhe sigurisht ne jemi në bisedime me ta në këtë moment”, ka shtuar Lammy.
Ai tha se në bisedimet me Katarin javën e kaluar ai ka qenë duke e theksuar se çdo zgjidhje afategjate do të kërkonte që Hamasi të mos jetë pjesë e qeverisë në Gazë dhe lidershipi i tij të largohet, me shumë gjasë në një vend të tretë. Po ashtu duhet të ketë një demilitarizim të plot i ngjashëm me atë që ka ndodhur pas marrëveshjes së Premtes së Mirë në Irlandën Veriore, ka deklaruar ai.
Spekulimi i fundit rreth sagës së gjatë të njohjes filluan kur presidenti francez, Emmanuel Macron u kthye nga një udhëtim në Egjipt më 9 prill dhe tha se Franca me shumë gjasë do të pranonte një shtet palestinez në konferencën e qershorit. Do të ishte njohja e parë e Palestinës si shtet nga një anëtar i G7-s.
Disa ditë më vonë, Macron qartësoi se lëvizja do të jetë me qëllim që të “nxisë një seri të njohjeve të tjera... duke përfshirë edhe njohjen e Izraelit nga shtatë që nuk e njohin tani”.
Lammy ka shfaqur frustrimin e tij me lidershipin izraelit për ndalimin 60-ditor të ndihmave në Gaza por ai nuk ka propozuar masa të reja.
“Bllokada është e tmerrshme, vuajtja është e madhe, nevoja është shumë e madhe, humbja e jetëve është ekstreme”, shtoi ai.